Totozani kundër Didit dhe Tahirit: Antikushtetues ndalimi në kufi për gjobat

538
Sigal

Avokati i Popullit Igli Totozani është përfshirë në një betejë ligjore me ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri dhe drejtorin e policisë Artan Didi. Igli Totozani në një rekomandim drejtuar drejtorit të bluve dhe për dijeni ministrit Tahiri, ka kërkuar shpalljen si të pavlefshëm të urdhërit të lëshuar me datë 10 janar të këtij viti nga numri një i policisë. Në këtë urdhër parashikohet se asnjë drejtues automjeti nuk mund të largohej nga Shqipëria, nëse ai kishte gjoba për të paguar. Sipas rekomandimit hartuar nga avokati sqarohet se shkelet neni 17 i Kushtetutës, ku parashikohet se kufizimet e te drejtave dhe lirive mund të vendosen vetëm me ligj, për një interes publik ose për mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve .Gjithashtu sipas Avokatit te Popullit ky urdhër nuk ka bazë ligjore sepse është nxjerrë në kundërshtim të plotë dhe të hapur me nenin 118 të Kushtetutës, i cili parashikon se aktet nënligjore nxirren në bazë dhe në zbatim të ligjeve nga organet e parashikuara në Kushtetutë. Totozani u rikujton drejtuesve të lartë se ndalimi i daljes jashtë shtetit, është një nga llojet e masave të sigurimit personal masë shtrënguese e parashikuar në nenin 232/1 a të Kodit të Procedurës Penale. “Ne gjykojmë se nuk është normale që në një shtet te se drejtës organet shtetërore dhe në rastin konkret policia e shtetit për të realizuar vjeljen e një detyrimi administrativ ligjor, që qytetari ka ndaj shtetit të shkeli një të drejtë kushtetuese të tij apo të përvetësojë e e ushtrojnë një tagër ligjor që me ligj i është dhënë nje organi tjeter” thuhet ne rekomandim. Sipas Avokatit të Popullit lidhur sa më sipër urdhri i Drejtorit të Pergjithshëm të Policisë së Shtetit nr.49 datë 10.01.20014 për shlyerjen e detyrimeve të papaguara në pikat e kalimit kufitar nga shtetasit shqiptar, të cilët udhëtojnë jashtë vendit me automjete është akt administrim absolutisht i pavlefshëm. Por, megjithëse vërejtjet e Avokatit të Popullit janë konsideruar të drejta nga Policia e Shtetit ky urdhër ende është në fuqi.