Torturë e tallje/Ligjet, VKM-të dhe formularët e pensioneve, janë ndërruar 317 herë në 25 vite

Përparim HALILI

Në 4 vite, një tepelenas ka trokitur 272 herë në zyrat e ISSH në Tepelenë, Gjirokastër e Tiranë dhe nuk po del dot në pension

Përsëri dje, nëndrejtori i ISSH, njoftonte shqiptarët, se ka dalë një formular i ri për aplikimin për daljen në pension, pajisur me rregulla të reja! Ky nuk është formulari i parë që nxirret prej këtij institucioni. Në këto 25 vite, ligjet, vendimet, udhëzimet, rregullat dhe formularët për të dalë në pension, janë ndryshuar 317 herë. Nga këto, në 109 raste, udhëzimet, formularët, ligjet dhe VKM-të kundërshtojnë njeri-tjetrin, aq sa punët kanë shkuar deri aty, sa 10 ligje të nxjerrin në pension, 20 ligje të mbajnë në punë, 35 ligje ta japin pensionin, 45 ligje e VKM ta heqin, 20 të japin pension të plotë, 30 të japin pension të pjesshëm, ndërsa 15 ligje, VKM e udhëzime të detyrojnë, të rikthesh shumat e pensionin që ke marrë dhe t’i ndalin. E kemi fjalën, për pensionet pleqërisë! Zyrat e ISSH janë kthyer në zyrat e tmerrit për ata që shkojnë dhe kërkojnë të plotësojnë dokumentet, për të dalë në pension pleqërie apo në lloje të tjerë pensionesh. Sa futen në zyrat e ISSH, përcillen nga një zyrë në tjetrën, nga një institucion në tjetrin, nga një rreth e prefekturë, në tjetrën. Që të përfitosh pensionin, duhet të trokasësh në 65 zyra në Tiranë e rrethe, në 21 prej të cilave, sipas rregullave që kanë vendosur “agallarët” e ISSH, je i detyruara të shkosh e paguash nga 3-4 herë, për të konfirmuar vërtetime e vula të lëshuara edhe nga zyra që ndahen me 15 centimetër, madje edhe brenda një zyre, nga njëra tavolinë, në tjetrën, mbasi kështu janë rregullat dhe kompetencat! Çfarë vazhdon të ndodhë me procedurat e daljes në pension? Pensionet janë bërë një torturë lodhëse, rraskapitëse, tallëse e zhvatëse për shqiptarët që nuk kanë fuqi e lidhje shtetërore, apo familjare me zyrtarët e kupolës së ISSSH, apo me sekserët e tyre. E tjetërsuar në një “gropë të zezë” korrupsioni si veprimtari dhe në një “çiflig” me zyra të mbushura me partiakë e familjarë si institucion dhe e përfshirë në një anarki dokumentare, ISSSH po i shkatërron psikologjikisht dhe ekonomikisht qytetarët. në 54 raste që ka shkuar një qytetar nga Tirana për të aplikuar për daljen në pension, i kanë dhënë 54 udhëzime të ndryshme, e kanë trajtuar me 32 ligje e VKM të ndryshme, ka plotësuar 197 formularë në total! Por nuk po del dot në pension. Shefi i thotë -të takon, vartësi i thotë -nuk të takon, drejtori i thotë -do ta verifikojmë! Në redaksinë e gazetës “Telegraf”, kanë ardhur dhjetëra ankesa e denoncime për vonesa, për vërdallisje nëpër ndërmarrje, qytete, qendra shëndetësore, prefektura, bashki, këshilla qarqesh, ish-komuna, institucione e kudo ku “u thotë mendja” zyrtarëve të këtij shërbimi SHTETËROR! Kjo vërdallisje e ka emrin “harxhime financiare”, për letra që kërkohen kot, që anulohen e përsëriten, për shkak se del një ligj, VKM, udhëzim, formular i ri! Përse? Sepse zyrtarët e ISSH përtojnë të evidentojnë vitet e punës së qytetarëve. Shpesh, nga parazitizmi, i përcjellin me shprehjen: “Nuk i ke vitet e punës në regjistër”, “Nuk e njohim librezën e punës të para vitit 1990”, “Shko kërkoi vitet e munguara me gjyq me dëshmitarë” e lloj-lloj motivesh! Të kërkosh të dalësh në pension në Shqipëri, ke kërkuar vuajtjen e stërzgjatur, mashtrimin, shpërfilljen dhe shpenzime pa fund. Po përmendim vetëm një fakt: Në 4 vite, një qytetari nga Tepelena që banon në Tiranë, të cilit i ka kaluar 4 vite mosha e daljes në pension e nuk po ia japin këtë të drejtë ligjore, ka “trokitur” 272 herë në zyrat e ISSH në Tepelenë, Gjirokastër e Tiranë dhe nuk po del dot në pension! Në numrat e ardhshëm, do të publikojmë një investigim të detajuar që kemi realizuar me fakte të shumta zvarritjesh, abuzimesh e korrupsioni në këtë institucion.