Tmerrohen ministrat, makinat e reja me “çimka”

990
Gazeta “Telegraf” e ka publikuar skandalin e marrjes së 29 makinave luksoze prej shtetarëve, qysh në datën 10 prill 20015, duke denoncuar VKM Nr. 246, datë 19 mars 2015, që konfirmon zyrtarisht këtë aferë korrupsioni, prej të cilës përfitojnë ata që firmosin, ata që bëjnë tenderin dhe ata që japin makinat me qira. Ky vendim qeverie i datës 19 mars 2015, i propozuar prej ministrit të Financave, Shkëlqim Cani, autorizonte Gardën e Republikës të Shqipërisë që të zhvillonte tenderin për marrjen me qira të veturave për transportin e shtetarëve. Prej 3 ditësh, mediat shqiptare po komentojnë skandalin e këtij tenderi, i cili në muajin prill të vitit 2015 u bllokua dhe u la në heshtje, pas denoncimit të bërë prej gazetës “Telegraf”. 


Vetëm 3 ditë më parë, kjo aferë korruptive u fut përsëri në veprim nga qeveria, në formën e një njoftimi për prokurim publik, për marrjen me qira të 29 makinave luksoze, për përdorim nga shtetarët e lartë, 22 prej të cilave do të përdoren prej kryeministrit, zv/kryeministrit dhe prej ministrave, të cilët sipas këtij shpenzimi financiar, paskan… nevojë për makina të rehatshme, luksoze e të sigurta, mbasi prej 2 vitesh po “rropaten duke punuar” në shërbim të punës, sigurisë, mirëqenies dhe jetës së shqiptarëve që… ende nuk janë larguar nga Shqipëria. Mirëpo duket se edhe këtë herë, tenderi i marrjes së makinave me qira në shërbim të shtetarëve do të dështojë, mbasi kanë nisur të qarkullojnë zëra se ministrat janë mbërthyer panikut të përgjimit nëpërmjet këtyre makinave. Ky panik përgjimi, mendohet se fillimisht është shpërndarë prej një ministri “simbol” korrupsioni, i cili ka njoftuar kolegët e tij ministra se këto makina do të përdoren si “çimka”, për të zbuluar veprimtarinë korruptive të tyre. Që nga dje, ministrat po mendojnë të refuzojnë marrjen e këtyre makinave, si “zgjidhje” për të shpëtuar prej “grackës” që është menduar t’u ngrihet, mbasi dihet që makinat e ministrave janë “bunkerët” ku bëhen pazaret e aferave korruptive. Paniku i përhapur dhe i kthyer në panik e “kujdes” në psikozën e ministrave, po i detyron ata, që të mos i marrin në përdorim makinat e ofruara, mbasi sipas lajmit të përhapur, në këto makina janë montuar përgjues të cilët do të jenë “veshi” i institucioneve që po merren me procesin e dekriminalizimit të politikës e shtetit prej individëve të lidhur me botën e krimit. Fakti që qeveria aktuale ka afro 60% të ministrave drejtues, realizues dhe klientë të krimit ekonomiko-financiar, ka vënë në lëvizje këtë skemë përgjimi me “makina agjente”! Sipas informacionit të ardhur dje në gazetën “Telegraf”, thuhet se ministrat, veçanërisht ata që janë pjesë e krimit ekonomiko-financiar, kanë vendosur të vazhdojnë të qarkullojnë me makinat zyrtare që kanë në përdorim, ose me makinat e tyre private luksoze. Nuk dihet saktësisht, se cili prej ministrave e ka përhapur këtë panik mes kolegëve, por thuhet se paniku ka lidhje me “lajmin anonim”, sipas të cilit “makinat që qeveria “Rama” po u ofron ministrave si “kusht pune e siguri jete gjatë udhëtimit” nuk është “merak” i qeverisë për ta, por është një skemë e inskenuar prej shërbimeve sekrete ndërkombëtare, për të futur në kurth shtetarët dhe ministrat e korruptuar, duke u vënë përpara prova konkrete krimi ekonomik-financiar e krimesh të tjera, të “qepura” me zërin e tyre! Lajmi për panikun që ka mbërthyer ministrat të cilët do të deklarojnë refuzimin e marrjes së “makinave agjente”, ka shkuar deri në “veshin” e kryeministrit, prej të cilit ende nuk ka dalë asnjë reagim, përveç reagimit ndaj opozitës, për akuzën e bërë për shpenzimet e marrjes së makinave luksoze për shtetarët, duke përdorur taksat e shqiptarëve! Nuk dihet, nëse këto makina do t’u jepen ministrave me detyrim, po burime informacioni nga qeveria paralajmërojnë, se skema e përgjimit të ministrave me “kurth çimkash”, do të realizohet në forma të tjera përgjimi, ndoshta me variantin e “makinave agjente” pronë private të ministrave, apo edhe me forma të tjera që njeh dhe aplikon nëndheshëm bota e spiunazhit. Ajo që ka nisur të flitet në qarqet ministrore e sidomos të shoferëve të tyre, thuhet se është “versioni” i hedhur qysh prej ditës së djeshme në veprim prej ministrave, sidomos prej të zhyturve në afera korruptive, të cilët kanë nisur të mbrohen prej përgjimit, duke mbajtur nën kontroll mjetet me parkime në vende të sigurta, me qëllim që të mos bëhen “gjah” i “çimkave”, ndër të cilat është dhënia fund e takimeve e bisedave “sekrete” nëpër zyra e lokale, ku deri dje ata kanë qenë klientë… 
Ja reagimi i qeverisë
Tenderi për të cilin media të ndryshme kanë ngritur pretendime ka të bëjë me marrjen me qira (leasing) të automjeteve që Kabineti Qeveritar do të përdorë, duke pasur parasysh amortizimin e flotës aktuale të automjeteve, mungesës së sigurisë në transport, kostove shumë të larta në mirëmbajtje, si edhe kostos së lartë në konsum të karburantit. Duke qenë se tenderi në fjalë ka të bëjë me shërbimin e transportit të personaliteteve të larta shtetërore dhe sigurinë e tyre fizike, bazuar në VKM nr. 246, datë 19.03.2015, mbështetur në nenin 6 të ligjit nr. 9643, Garda e Republikës është e detyruar të rezervohet në dhënien e informacionit të klasifikuar. Por çka është më e rëndësishme është analiza financiare, që tregon se marrja me qira (leasing) e automjeteve që do të kryejnë transportin e Kabinetit Qeveritar është version më i lirë jo vetëm se blerja e automjeteve të reja, por edhe se mbajtja në përdorim e flotës ekzistuese. Sot, në shërbim të Këshillit të Ministrave janë në dispozicion 22 autovetura, kostoja e mirëmbajtjes së të cilave është 636,392 Euro në vit, ose 2,545,571 Euro për një periudhë katër vjeçare, duke përllogaritur këtu edhe vlerën e amortizimit të automjeteve. Marrja me qira (leasing) e një numri të njëjtë makinash, kushton 494,520 Euro në vit, ose 1,978,080 Euro për një periudhe katër vjeçare. Shteti shqiptar kursen 141,872 Euro në vit, ose 567,491 Euro për një periudhë katër vjeçare dhe në të njëjtën kohë automjetet në dispozicion janë të reja, më të sigurta, ndotin më pak mjedisin dhe duke pasur një efiçencë më të lartë në konsum, kursejnë rreth 30% më shumë edhe në kostot e karburantit. Për më tepër, në raste defektesh, automjeti zëvendësohet menjëherë dhe kostot e riparimit apo zëvendësimit për shtetin shqiptar janë zero. Kosto e marrjes me qira (leasing) të 22 automjeteve është akoma më e ulët nëse krahasohet me koston e blerjes së 22 automjeteve të reja. Shtetit shqiptar do t’i kushtonte plotë 3,497,142 Euro blerja dhe mirëmbajtja për një periudhë katër vjeçare e 22 automjeteve të nevojshme për Kabinetin Qeveritar. Dukshëm, përmes marrjes me qira (leasing), kursehen plotë 379,765 Euro në vit, ose 1,519,062 Euro për një periudhë katër vjeçare”.-
Sigal