Tmerr në Poliçan, roja vret shefin e sigurimit të armatimit, i pritet koka

84

TRAGJEDI FAMILJARE/ Dyshohet se shkak për krimin ka qenë largimi nga puna e gruas së Gëzim Dervishit

Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin ushtarak të Poliçanit në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme, ku të vdekur kanë mbetur dy persona. Gëzim Dervishi me detyrë, polic i ruajtjes së objektit të Kombinatit Ushtarak ka vrarë me automatik shefin e sigurimit teknik të armatimit Vladimir Gurin. Më pas ka vrarë veten po me armën e shërbimit, që sipas policisë ishte automatik kallashnikov. Pas ngjarjes vëllai i Vladimir Gurit, kur është njohur me vrasjen e të vëllait ka marrë sharrën dhe ka hyrë brenda në ambientet e Kombinatit, pikërisht aty, ku ndodheshin dy trupat e pajetë dhe në shenjë hakmarrje i ka prerë kokën, Gëzim Dervishit dhe më pas është larguar me shpejtësi për t’i shpëtuar arrestimit të policisë

Ngjarja

Ngjarja ka ndodhur në orën 08:00, të mëngjesit të ditës së hënë në ambientet e drejtorisë së Kombinatit të Poliçanit. Burimet policore bëjnë të ditur se, Gëzim Dervishi, 50 vjeç, me detyrën, polic i ruajtjes së objektit ushtarak ka marrë shërbimin në orën 06:00 të mëngjesit dhe me bindjen për të vrarë shefin e sigurimit teknik të armatimit, Vladimir Guri e ka pritur atë deri në orën 08:00, kur merrte turnin. Kur e ka parë i ka dalë përpara. Ata fillimisht kanë debatuar ashpër me njëri-tjetrin, por më pas debatet dhe fyerjet ia kanë lënë radhën automatikut kallashnikov. Roja 50- vjeçar ka qëlluar në drejtim të Vladimir Gurit duke i marrë jetën. Më pas kur ai është siguruar që ka vdekur ka marrë veprimin ekstrem duke u vetëvrarë, po me atë armë. Para se të shkonte policia në vendngjarje vëllai i Vladimir Gurit, Kreshnik Guri, ka kryer një aktet tjetër të tmerrshëm. Ai në shenjë hakmarrjeje merr sharrën dhe i pret kokën vrasësit të vëllait tij, Gëzim Dervishit dhe më pas largohet nga vendngjarja. Pas tij kanë mbërritur forca të shumta policie, të drejtorisë së Policisë së Beratit, Ndërhyrja e shpejtë FNSH dhe Policia Ushtarake. Pas ngjarjes i gjithë territori i Kombinatit u vu nën kontrollin e tre policëve. Pas këqyrjes së vendngjarjes policia është vënë në kërkim të autorit që i preu kokën rojës së objektit ushtarak. Vladimir Guri më parë ka kryer dhe detyrën e Kryetarit të Sindikatës së Kombinatit Ushtarak, ku disa herë për të drejtat e punëtorëve ka kryer protesta dhe ishte një nga krerët më kryesorë të sindikatave.

Hetimet

Pas ngjarjes është ngritur grupi hetimor i policisë ushtarake. Sipas hetimeve të policisë, për “Telegraf” bëhet e ditur se, shkak i ngjarjes ka qenë heqja nga puna e bashkëshortes së Gëzim Dervishit. Ky ka qenë shkaku i fillimit të sherrit, i cili ka vazhduar për disa ditë me radhë. Sipas policisë, Gëzimi e kishte kërcënuar Vladimirin duke i thënë “do të ma paguash shtrenjtë që më hoqe bukën e fëmijëve nga goja”. Nga i dërguari i “Telegraf”, në vendngjarje bëhet e ditur se grupi hetimor, pas këtyre të dhënave po punon për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje. Sipas hetimeve deri në orët e vona të mbrëmjes njoftohet se nuk është e vërtetë hipoteza e parë për shkak të xhelozisë. Tensionimi i dy fiseve tashmë është acaruar shumë.