Tiranë, radhë edhe sfilitje tek Kontrolli i Automjeteve

459
Sigal

Drejtuesit e mjeteve: Është skandal, rrimë me orë e ditë në radhë për kolaudimin. Po të paguash dikë nën dorë, mund të mbarosh punë.

Dita e hënë ka shënuar radhë të gjata në Qendrën e Kontrollit të Automjeteve, e vetmja pikë, ku janë detyruar që të shkojnë drejtuesit e makinave për të bërë kolaudimin e tyre. Jo vetëm kaq, por funksionimi i një sporteli të vetëm, ka bërë që dhjetëra apo qindra persona që ndonëse kanë pritur me orë në radhë, nuk kanë arritur që të mbarojnë punë. Burime për gazetën “Telegraf” pohojnë se, radhët e gjata dhe sfilitja e drejtuesve të makinave përballë këtij sporteli, është bërë një ritual i përditshëm. “Kështu ndodh çdo ditë këtu, por tani, në fund viti, kur vijnë emigrantët apo qytetarë nga Tirana duan ti kalojnë festat e ndërrimit të viteve jashtë Shqipërisë, situate rëndohet tej mase. Është e pa falshme të punohet kështu me një sportel. Unë kam ardhur që në orën 09:00 këtu, prita tre orë, por shoh që radha është e madhe e po iki, Po nesër, kështu do të jetë përsëri, e unë jam i detyruar që të vij përsëri këtu”,- pohon 61-vjeçari S. Kasaj nga Kamza. Burime për “Telegraf” shtojnë se, dita e djeshme ka qenë ditë ankthi për dhjetëra drejtues apo pronarë makinash që donin të kolaudonin mjetet e tyre. Sfilitja nga radhët dhe orët e gjata të pritjes, shkoi deri në prag revolte. “Kërkuam që të takojmë një nga drejtuesit, por askush nuk na përgjigjet. Po tallen me ne. Ne paguajmë këtë shërbim, por sfilitemi me orë e ditë të tëra në radha. Nuk di se çfarë bëjnë kështu. Kjo situate, për mua, jo që nuk dihet por bëhet enkas, për të përfituar persona të veçantë. Se po të paguash nën dorë ndonjë sekser, mund të mbarosh punë më shpejt. Është e pa falshme e shteti duhet të ndërhyjë sa më shpejt shton një 51-vjeçar nga lagja “Ali Demi” në Tiranë.