Tiranë – Përurohet kompleksi i ri multisportiv në Parkun e Liqenit

242
Parku i Liqenit të Tiranës ka fituar një përmasë të ri, jo vetëm sa i takon hapësirës që ofron për argëtim, por edhe rëndësisë që po i jepet ushtrimit fizik dhe sportiv. Pas këndit të lojërave për fëmijë dhe këndit të ri të forcës për të rriturit, Liqenit i është shtuar edhe kompleksi më i madh multisportiv, i cili u shërben të gjithë atyre që duan të luajnë futboll, basketboll, volejboll, regbi, hendboll, hokej me patina etj. Bashkia e Tiranës ka rehabilituar plotësisht tre fushat sportive, të cilat nga sot janë në dispozicion të qytetarëve dhe të apasionuarve pas sportit në natyrë. Fushat e reja u përuruan nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili theksoi se ky kompleks i jep më shumë jetë parkut dhe krijon mundësi argëtimi për të gjitha grupmoshat.

“Më vjen mirë që në një periudhë rekord stafi i APR-së transformoi një djerrinë, një pellg, një kënetë, një moçal, një vend aspak të dashur, një vend në terr, ku askush nuk donte të kalonte kohë, madje edhe kur e bënte vrapin e bënte shpejt sepse nuk kishte asgjë tërheqëse, në një mjedis të jashtëzakonshëm për qytetarët”, tha kryebashkiaku Veliaj. Ai theksoi se fushat ofrojnë standarde bashkëkohore dhe do jenë të hapura për qytetarët në çdo kohë. Kreu i bashkisë shtoi se ato do të shërbejnë edhe për organizime të ndryshme sportive, duke ofruar edhe një hapësirë për akomodimin e shikuesve.

“Kjo do të jetë një hapësirë e hapur 24 orë. Pra, kushdo në Tiranë mund të vijë këtu e të shijojë ajrin e pastër, duke u marrë me sport”, tha Veliaj. Ai nënvizoi se projekte të tilla do të zbatohen edhe në parqe të tjera të Tiranës, në mënyrë që edhe ato të marrin jetë dhe të frekuentohen nga qytetarët që duan të praktikojnë sporte të ndryshme. “Unë besoj se kemi bërë një zgjedhje fantastike, duke e pozicionuar këtë kënd këtu. Jo vetëm kaq, por ky është një nga shumë këndet që po hapen në gjithë Tiranën. Disa janë nëpër lagje, ku këndi i lodrave ka edhe një fushë basketbolli, volejbolli ose kalçeto, e disa të tjera, si ky kompleks, do t’i bëjmë edhe në parqet e Kasharit, Farkës, që të luajnë të gjithë”, u shpreh Veliaj. Ai tha se ky investim do të nxisë një jetë më aktive të qytetarëve, duke sjellë dhe një jetë më të shëndetshme. 

Kompleksi sportiv ofron mundësi për lojëra basketbolli, volejbolli, futbolli, regbi, hendboll dhe hokej me patina. Fushat sportive janë funksionale ditën dhe natën, me ndriçim dhe ujitje, si dhe do të mirëmbahen nga Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit. Një nga fushat është me bar, ndërsa dy të tjerat janë me tartan për basketboll, volejboll, kalçeto. Ndërkohë, tre tribunat ofrojnë 600 vende ulëse për publikun.