Tiranë – Nënshkruhet deklarata e përbashkët për antitrafikimin mes Shqipërisë, Malit të Zi dhe Kosovës

536
Sigal

Shqipëria,
Kosova dhe Mali i Zi nënnënshkruan deklaratën e përbashkët, përmes së cilës unifikohen
procedurat për identifikimin, referimin, kthimin vullnetar dhe asistimin e
mbrojtjen e viktimave të trafikimit. Çështjet që u diskutuan gjatë takimit ishin
intensifikimi i bashkëpunimit mes të tre vendeve si dhe rritja e bashkëpunimit
mes institucioneve ligjzbatuese në vendet respektive, në luftën kundër
trafikimit të qenieve njerëzore. Në takimin ku morën pjesë Koordinatori Kombëtar
i Malit të Zi Zoran Ulama, zv/ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës Valdet
Hoxha, zv/ministrja e Punëve të Brendshme Elona Gjebrea deklaroi se do të ketë
kontrolle më të rrepta për emigrantët e parregullt.  

Elona Gjebrea – Zv/ministre e Punëve të Brendshme,
Shqipëri:
Me
nënshkrimin e kësaj deklarate të përbashkët sot do të propozoj që ne të kemi
një kalendar aktivitetesh të përbashkëta, të cilat të na ndihmojnë për të
synuar fuqizim kapacitetesh policore, zbatim me korrektesë të procedurave dhe
kontrolle më rigoroze të emigrantëve të parregullt, takime, operacione të
përbashkëta, shkëmbim praktikash pozitive në bërjen ballë të fenomeneve të
trafikimit dhe trendet e reja, sikurse janë dhe fëmijët në lëvizje apo lëvizjet
migratore.
Do të doja të ndalesha në
këtë të fundit, lëvizjet migratore kanë qenë një shqetësim. Të gjithë kemi parë
dhe jemi dëshmitarë të situatës së paprecedentë migratore që kaloi Europa dhe
që sipas të gjitha informacioneve që kemi, nuk është një gjë që është mbyllur
dhe është ndaluar. Prandaj ne na duhet që të bashkëpunojmë më ngushtësisht.

Zoran Ulama – Koordinator Kombëtar i anti-trafikimit,
Mali i Zi:
Me
të drejtë mund të themi që procedurat tona trilaterale mund t’i shërbejnë edhe
shteteve të tjera  të rajonit, pse jo dhe
më gjerë, si shembull në bazë të të cilit mund të vendoset apo avancohet
bashkëpunimi ndërkufitar, pa të cilin nuk mund të imagjinohet lufta e
trafikimit të qenieve njerëzore.

Valdet Hoxha – Zv/ministër
i Punëve të Brendshme, Kosovë:
Në dinamikën e zhvillimeve në botë dhe në rajon ju
po e shikoni që fusha për të cilën jemi mbledhur këtu është e lidhur shumë
ngushtë me aspektin e lëvizjeve të ndryshme emigratore por edhe të lëvizjeve të
grupeve të ndryshme kriminale. Në këtë kontekst unë me kënaqësi po ofroj dhe po
vendos në dispozicion tërë kapacitetet e mekanizmave tona të sigurisë. Në radhë
të parë në implementimin e kësaj marrëveshje, aneks protokolli për çështjet
teknike të cilat janë shumë thelbësore dhe po e them janë shumë të rëndësishme
në epilogun e çdo rasti hetimor. Po shfrytëzoj rastin që nga këtu ti bëjë
thirrje edhe pushteteve të tjera të ndara, pasi hetimi i çështjeve të krimit të
organizuar si dhe në veçanti të hetimit të trafikimit të qenieve njerëzore pa
një bashkëpunim mes pushteteve është e pamundur të realizohet.