Tiranë/ I shpërtheu mina në celular, policia troktet në dyert e familjarëve të Gentian Hoxhës

136
Dy ditë pas shpërthimit të ndodhur në një dyqan celularësh në rrugën “Qamil Guranjaku” në kryeqytet, Policia e Tiranës ka marrë dëshminë e të afërmve të të plagosurit Gent Hoxha.
Lajmi bëhet i ditur për Tv Klan, nga burime të Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Sipas tyre, është pyetur një mikeshë e të plagosurit Gent Hoxha, si dhe një nga vëllezërit e tij, Aldo Hoxha.
Oficerët e krimeve kanë kërkuar të dinë me tepër rreth aktivitetit të pronarit të dyqanit të celularëve, i cili tashmë qëndron i prangosur në Spitalin e Traumës. Të dy personat kanë mohuar të kenë dijeni mbi aktivitetin e mundshëm të Hoxhës. Mësohet se mikesha e tij, emri i së cilës nuk bëhet i ditur, ka pohuar se ka kohë që njihet me të dhe ka marrëdhënie miqësie, por se nuk ka informacion që tekniku i celularëve të jetë marrë me aktivitete të paligjshme. 
Në të njëjtën linjë ka qëndruar edhe i vëllai Aldo Hoxha.
Por ky i fundit mësohet se ka refuzuar të firmosë një deklarim mbi dijeninë e tij mbi aktivitetin e të vëllait, Gent Hoxha. Veprimet e tjera të policisë pritet të orientohen pas ekzaminimit që do t’i kryhet kompjuterëve dhe telefonave të sekuestruar nga policia të hënën pas shpërthimit të ndodhur në këtë dyqan celularësh.
I plagosuri Gent Hoxha, i akuzuar për prodhim mbajtje e shitje të lëndëve plasëse, pritet të dalë të enjten përballë gjykatës ku edhe mund të japë shpjegimet e tij mbi rrethanat e shpërthimit në dyqan