Tirana pa makina, Bashkia: Qytetarët të përdorin biçikleta ose urbanët

563
Sigal

Bashkia e Tiranës publikoi sot axhendën e aktiviteteve që do të zhvillohen nesër në 22 shtator, në Ditën Ndërkombëtare pa makina. Në një deklaratë për mediat, nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku, prezantoi aktivitetet që do të mbushin hapësirën e Unazës së Vogël, në sheshin “Skënderbej”, si dhe u bëri thirrje qytetarëve të Tiranës që të përdorin mjetet alternative të transportit, veç automjeteve të tyre.

“Nesër Unaza e Vogël do të jetë e mbyllur për automjetet. U lutemi të gjithë qytetarëve që, jo vetëm në këtë hapësirë, por në të gjithë qytetin, 22 shtatorin ta kthejmë ashtu siç bëhet në shumicën e kryeqyteteve evropiane, një ditë që ne ia kushtojmë lëvizjes pa makina”, deklaroi Mazniku. Në thirrjen drejtuar qytetarëve, nënkryetari i Bashkisë së Tiranës kërkoi që ata të mos i përdorin mjetet e tyre, por të lëvizin me transport publik, të ecin ose të pedalojnë.
“Lëvizja pa makina është një çështje e mundshme dhe nesër në fund të ditës secili do të jetë i kënaqur që e ka bërë këtë, sepse do kemi mundësi ta gëzojmë qytetin ndryshe. Ndaj, nesër mos i merrni automjetet tuaja, mos lëvizni me makina, por ecni, përdorni mjetet e transportit publik apo biçikletën”, tha Mazniku. Gjithashtu, ai shpjegoi detajet për rrugët që do të bllokohen në 22 shtator, për t’i krijuar mundësi që sheshi “Skënderbej” t’iu kthehet për një ditë qytetarëve.
“Duke ardhur në kryqëzimin e rrugës ‘Dedë Gjo Luli’ me bulevardin ‘Zogu i Parë’, rruga do të jetë e bllokuar dhe i gjithë trafiku, i cili tani hyn në qendër të Tiranës do të kthehet i gjithi në krahun e djathtë, për të lëvizur në drejtimin e rrugës ‘Dedë Gjo Luli’”, deklaroi Mazniku. Sipas tij, do të ketë bllokim në rrugën “Dedë Gjo Luli”, ku ndërthuret me rrugën e Durrësit, në rrugën e Kavajës ku kombinohet sërish me rrugën “Dedë Gjo Luli”, në rrugën “Çamëria”, makinat në rrugën “Myslym Shyri” nuk do të lëvizin më drejt për t’u futur drejt qendrës, por do të kthehen djathtas.
Ndërkaq, rruga “Luigj Gurakuqi”, rruga që vjen nga Pazari i Ri, gjithashtu do të lëvizë në të dy kahet, majtas e djathtas, por pa hyrë më në qendër të Tiranës. Nënkryetari Mazniku kujtoi se Bashkia e Tiranës ka organizuar një sërë aktivitetesh që ndodhin në të gjithë hapësirën pa makina që do të krijohet në sheshin “Skënderbej”. Ai shtoi se kjo hapësirë do të shndërrohet në një zonë shumë të këndshme për të gjithë qytetarët.
Në hapësirën brenda Unazës së Vogël aktivitetet do të nisin prej orës 7:00 të mëngjesit deri në 22.00 të mbrëmjes. Për të informuar qytetarët, Bashkia e Tiranës ka publikuar axhendën e plotë të aktiviteteve, si dhe vendin ku do të zhvillohen ato.
Qarkullimi i automjeteve në datë 22 shtator
Qarkullimi i automjeteve përreth sheshit Skënderbej, do të bëhet i kufizuar, sipas planit lëvizës bashkëlidhur kësaj urdhërese si më poshtë:
Ndalohet qarkullimi i mjeteve në sheshin “Skënderbej” më datë 22 shtator.

Qarkullimi i automjeteve, mjeteve të emergjencës dhe Policisë së Shtetit do të bëhet i drejtuar si më poshtë:
• Në kryqëzimi i rrugës “Ded Gjo Luli” me bulevardin “Zog i I”, drejtim i detyruar djathtas.
• Rruga “Ded Gjo Luli”, me një sens lëvizjeje me drejtim nga bulevardi “Zog i I” deri në rrugën e “Durrësit”.
• Në kryqëzimi e rrugës “Ded Gjo Luli” me rrugën “Durrësit”, drejtim i detyruar drejt djathtas.
• Në kryqëzimi e rrugës “Durrësit” me rrugën “Ded Gjo Luli”, drejtim i detyruar djathtas.
• Në kryqëzimi e rrugës “Kavajës” me rrugën “Dëshmorët e 4 Shkurtit”, drejtim i detyruar djathtas.
• Në kryqëzimi i rrugës “Luigj Gurakuqi” me rrugën “George W Bush”, drejtim i detyruar djathtas.
• Ura që lidh bulevardin “Dëshmorët e Kombit” me bulevardin “Bajram Curri” dhe “Zhan D’Ark”, lëvizja e mjeteve nga sheshi “Nënë Tereza” – Ura e madhe do të jetë me drejtim majtas.
• Në kryqëzimi i rrugës “Myslym Shyri” me rrugën “Ibrahim Rugova”, drejtim i detyruar djathtas.
• Mjetet e transportit publik me drejtim sheshin “Skënderbej” nga rruga e Dibrës do të devijohen në rrugën “Urani Pano”.
• Mjetet e transportit publik me drejtim sheshin “Skënderbej” nga rruga e Kavajës dhe Durrësit do te devijohen në rrugën “Ibrahim Rugova”.

Programi 22 shtator
Aktivitetet që do të zhvillohen brenda Unazës së Vogël:
1. Yoga – Këndi i qetësisë shpirtërore (Sheshi Skënderbej, ora 07:00)
2. Celebrimi i dashurisë mbi dy rrota (Sheshi Skënderbej, ora 08:00)
3. Lojërat nostalgjike të rrugës për brezin e ri dhe Këndi i Këmbëzbathurve
4. Markato e gjelbër, promovimi i 13 komunave të Tiranës, promovimi i artistëve të riciklimit dhe produkteve të tyre.
5. “Barrikadat e Muzikantëve” – vendosja e artistëve, pianistë, violinistë dhe kitaristë në udhëkryqet e vizatuara për bllokimin e rrugëve.
6. Recycle Jeans “ Atelieri i makinave qepëse në rrugë.
Ora 09:30- 12:30 Vendndodhja( Kryqëzimi i Rr. M.Shyri me bulevardin)
7. Pantomimet në semaforë
8. Pedalimi shumëngjyrësh i vajzave gjimnaziste
9. Street art (Dj në cep të Parkut Rinia, përballë shatërvanit)
10. Stage me muzikë (Sheshi Skënderbej) :
Teatri ora 9:00 – 10:00
Ansambli i fëmijëve 12:15 – 13:00
Bands 18:00- 23:00
11. Banda e qytetit (Gjatë gjithë bulevardit)
13. Çajtore çiklisti – “Një çaj për një fidan”
Ora 09:00 – 21:00 Vendndodhja (Bulevardi Dëshmorët e Kombit para Galerisë së Arteve)
13. Universiteti Polis “Ekspozitë Open Air”
Ora 08:00 -22:00 (Përballë sheshit Skënderbeut)
14. Muzeu i Biçikletave
Ora 08:30 – 22:00 ( Përpara Muzeut Kombëtar )
15. Vizatime natyrore, simbole gjethesh, lulesh, dielli, hëna në çdo udhëkryq që do bllokohet
16. Pikniku
Ora 18:00 (Lulishtja pas sheshit Skënderbe )
17. Kamping me Çadra
Ora 08:00 – 22: 00 (Përballë Teatrit të Kukullave )
18. Aktivitete Cirku Kombëtar i Tiranës
Ora 09:00 – 22:00 ( Mbrapa Muzeut Kombëtar)
19. Kurse paragliding
Ora 09:00- 22:00 Sheshi Skënderbej dhe bulevardi Dëshmorët e Kombit
20. Biçikleta Taksi
Ora 09:00- 22:00 Sheshi Skënderbej dhe bulevardi Dëshmorët e Kombit
21. Gara e vogëlushëve
Ora 09:00- 22:00 Sheshi Skënderbej dhe bulevardi Dëshmorët e Kombit)
22. Animatore (Parku Rinia)