Tillerson: Një brez i ri serbësh, kroatësh, shqiptarësh, boshnjakësh e kosovarësh

600
Sekretari amerikan i Shtetit, Reks Tillerson, në një fjalim për marrëdhëniet SHBA-Europë, tha se vendet ballkanike janë në mesin e vendeve evropiane, të cilat Shtetet e Bashkuara i konsiderojnë si vende aleate. Ai tha se “Uashingtoni e pranon brishtësinë e Ballkanit dhe ne do të vazhdojmë të punojmë me partnerët tanë në Bashkimin Evropian për të vendosur stabilitetin, mirëqenien dhe demokracinë në rajon”. “Vendeve ballkanike ne u themi: braktisini armiqësitë e vjetra, në mënyrë që paqja të bëhet e përhershme. Ju keni shansin të drejtoni një kurs të ri të historisë. Diferencat etnike midis vendeve nuk duhet të shndërrohen më në fronte konfliktesh. Shtetet e Bashkuara dhe bota dëshirojnë të shohin një brez të ri serbësh, kroatësh, shqiptarësh, boshnjakësh, kosovarësh dhe të tjerë, që ta falin atë që ka ndodhur në të shkuarën, edhe në se nuk mund ta harrojnë atë kurrë”, tha Tillerson. Sekretari i Shtetit u përpoq të sigurojë edhe një herë Evropën se Shtetet e Bashkuara mbeten plotësisht të përkushtuara ndaj sigurisë evropiane, veçanërisht në sprapsjen e kërcënimeve që vijnë nga Rusia. Tillerson, i cili javën e ardhshme do të ndërmarrë një tur në disa kryeqytete evropiane, tha se SHBA do të ishte e para që do t’i përgjigjej çdo sulmi ndaj një aleati evropian sipas klauzolës 5 të NATO-s që parashikon mbrojtjen e ndërsjellë. Komentet e tij në një fjalim të mbajtur në Qendrën “Wilson” në Uashington, synonin të zbutnin shqetësimin e përhapur se administrata e Presidentit Trump po tërhiqet nga aleanca me kërkesat që vendet anëtare evropiane të shpenzojnë më shumë për mbrojtjen.
Sigal