Ti Shqipëri më jep nder, më jep emrin shqiptar!

Moikom ZEQO

Naimi i madh

Ne jemi të tërë naimianë, dmth Naimi shpreh diçka të pavdekshme nga identiteti ynë shekullor që s’vdes, që nuk vjetrohet. 

Vit i Naimit natyrisht në kuptimin e jubileut, po koha e Naimit është shumë më tepër se limitet kalendarike. Në këtë 90 vjetor të vdekjes së tij (të vdekjes, ç’fjalë konvencionale, Naimi e retushoi, e jetërsoi këtë fjalë fatale e të pashmangshme) ne jemi të sigurt, se pas 10 viteve, Naimi bëhet njeriu i tre shekujve. Thonë, se në shekullin XXI patina e pikturave të Rembrandit humbet diçka, kurse fjala poetike është më përparësore, nuk i nënshtrohet rrezatimeve, madje fiton një rinim të imazhit, një lëvizje të pafundme. A nuk e kemi të tërë ndjesinë e mrekullueshme se fjala e Naimit është rinuar, - kush e beson se Naimi i lindur në fundin e shekullit XIX sot është i plakur, ndoshta bashkëkohësinë, qytetarësinë e arteve tona ai e ka aq sa ne ndoshta më shumë! Janë të paktë ata njerëz, që arrijnë këtë gjë. Naimi është demiurg i fjalës hijerëndë shqipe. Naimi është e guxoi të jetë më tepër: demiurg i kohës. Ai është po aq i së ardhmes, sa është i vetëm përpjekës i së kaluarës së paharruar. Naimi shpartalloi anonimatin. Ai e ndjeu si askush, apelin e historisë, kur kombi rrezikon të shpërbëhet,të zhduket atëherë lind sozinë e tij, pra Naimi është shumë më tepër se sa një njeri. Ai është një qenie e pluralizuar- Njeriu Popull. Naim do të thotë i fuqishëm dhe kjo semantikë nuk është e rastësishme, s’është e pa kuptim metafora e emrit. Naimi është me të vërtetë i fuqishëm, sepse ai krijon kryeformulën e shpirtit tonë. Ti Shqipëri më jep nder, më jep emrin shqiptar! Sa shumë shekuj, sa shumë dendësi ka në këtë varg, sa shumë tragjedi! Sa kuptim ka ky varg, absolutisht i papërsëritshëm, në aspektin historik, anagogik, alegorik e tropologjik, siç do të thoshte Bogdani i madh. Naimi është nga ata emra, që krijuan kozmogoninë e kulturës sonë me katër elementë, e para me idenë e njeriut shqiptar, nga homerikët më të vjetër të kontinentit, njeri i qytetërimit të qëmotshëm dhe të ri, njeri i emancipuar, krenar, thellësisht demokratik, i ashpër dhe i brishtë, sakrifikues dhe mendje e talent shpesh i mahnitshëm. E dyta universin e botës shqiptare, e gjuhës letrare. Naimi është i pari, që konstruktoi e bëri shumë formula të këtij universi, të shumë koncepteve e ideve, që janë në bazën e konstitucionit modern shpirtëror të shqiptarëve. E treta Naimi, si askush nga shkrimtarët e mëdhenj ballkanikë ngriti atributin miqësisë së popujve, ishte më tepër se një poet, një lider shpirtëror i mençur paralajmëtar. E katërta me idenë, se arti fisnikëron, humanistizon, se arti nuk është ornament i kotë, por katharsis i fuqishëm, një mrekulli e demokracisë, lidhje e ndritur, lidhje e veçantë dhe e jashtëzakonshme e individit me popullin e ndërsjelltas. Naimi është babai i literaturës moderne shqipe. Porsi pikë referimi ai është përfaqësuesi i madh i paraardhësve të mëdhenj. Pra i një race të pavdekshme krijuesish kolosë. Vepra buzukiane është një manifest i jashtëzakonshëm gjuhësor, kombëtar po edhe letrar. Lekë Matrënga, që duhet vlerësuar më shumë dhe Budi synuan të bënin epopetë e para në poezi shumë më përpara se Naimi të shkruante “Qerbelanë” e tij. Bogdani, padyshim talent i përmasave evropiane, më ciklin e Sibilave krijoi konceptin e bukurisë perëndi dhe perëndisë bukuri, po që nuk kishte asnjë vlerë pa Shqipërinë, pra bëjnë një herezi të pashembullt në konceptin teologjik. Nuk janë perënditë ato që krijuan Shqipërinë, po Shqipëria krijon edhe perënditë dhe këta nuk janë mistikë të pakonceptueshëm. Ne themi emrat e talenteve të popullit dhe nuk kemi nevojë për përkthim, as për retorikë shpjeguese. Naimi është një novator i madh, ideja e kombit, ideja e pavarësisë, lirisë është në tërë kozmosin naimian. Me eposin e Skënderbeut ai lartësoi tregimin epokal të Barletit, mesazh qytetërimi e krenarie për Evropën. Ai është shkrimtari që bashkon kulturat, Homerin, Virgjilin me Hygoin, Lamartinin, Bajronin me Firdusin e Sadiun. Ecën kështu në hullinë e hapur bogdaniane, eruditët e gjuhëve të perëndimit e të lindjes, për t’i pasuar nga Noli, gjithashtu i papërsëritshëm. Në qoftës e Naimi është formula artistike e Rilindjes kombëtare, Migjeni formula artistike e rilindjes shoqërore, Kadareja, formulë e madhe e kohës së sotme. Nuk e dimë a ka qenë ndonjë herë Naimi në Durrës. Por, ai shkroi vargun lapidar “Durrës, o qytet i bukur që je kërthizë e mëmëdheut”. Ai ka shkuar për detin. Durrësi është qyteti patriark i shqiptarëve. Naimi e dinte shumë mirë këtë gjë. Sa të zbehta janë fjalët për ta falënderuar, sa modestë gjestet tona përshëndetëse e homazhi ynë, por sidoqoftë jemi të vetëdijshëm për të, po bëhemi akoma më të vetëdijshëm, akoma më tepër shqiptarë, se pse në këtë botë lindi e s’diti të vdesë Naim Frashëri. 

Durrës, 20 tetor 1990