Thoma Goga/ Qendra e ardhshme e Tiranës, pa shërbim urban

533
Lagjja e re që fillon mbi Liqenin Artificial e deri te Liqeni i Thatë është zgjeruar dhe tani ka marrë pamjen e një qyteti. E keqja e madhe është se në këtë lagje mungojnë shërbimet më kryesore si qendra shëndetësore, shkolla e kopshtet publike, pagesat e dritave, ujit dhe telefonave, marrja e pensioneve etj. Në këtë mënyrë banorët nisen në këmbë drejt qendrës. Të moshuar që marrin pensionet, ilaçet, që vizitohen, fëmijë që shkojnë në shkolla e në kopshte duke u lagur e duke marrë të ftohtin e dimrit. Së fundi këta banorë janë të dënuar të mos kenë edhe shërbimin urban. Për një vizitë mjekësore, për një konsultë, për një problem fare të vogël (përveç problemeve jetësore) njerëzit duhet të marrin rrugën drejt qendrës në shi, në të ftohtë e në vapën përvëluese. 
Afër dhe larg kryeqytetit
Shumica e banorëve të kësaj lagjeje zyrtarisht figurojnë si banorë të Tiranës, pavarësisht se banesat janë nën hartën e Komunës Farkë. Edhe kjo hartë është shumë e çuditshme dhe e paqartë. Pra edhe afër edhe larg metropolit. Por banorët e kësaj lagjeje u gëzuan kur mësuan se Këshilli Bashkiak në mbledhjen e gushtit të viti të kaluar mori vendim për të vënë 5 linja të reja autobusi urban publik. Madje u vendosën parametrat e autobusëve, dizenjot, stacionet, gjurmët nga do kalojnë autobusët dhe të gjitha këto u botuan në shtyp apo në faqen zyrtare të Bashkisë në periudhën gusht – shtator. Tre nga këto linja u vunë në qarkullim dhe po funksionojnë, kurse dy akoma mbahen peng nga ortakëria e keqe. Këto linja janë Qendër–Kopshti Zoologjik dhe Qendra Kristal-Qendër. Një firmë fantazmë mban peng këto dy linja dhe më e keqja nuk lejon konkurrencën për të vendosur një shërbim bashkëkohor. Shumë ankesa ka pasur edhe për firmën dhe për autobusët që ngjajnë si ca kolibe llamarine. Por dhe firma dhe autobusët paskan një mburojë të sigurt. Si lejohen këta autobusë “të ndotin” rrugët dhe sheshin e Tiranës duke kaluar para hundës së Bashkisë? Autobusët e kësaj linje që lëvizin sa për të mbajtur të pushtuar linjën Qendra Kristal-Qendër, nuk plotësojnë asnjë nga parametrat e caktuara, nuk ka kontroll dhe nuk ka stacione. Akoma më keq kur ndonjë autobus lëviz pa leje apo pa kontratë nga zona e Lundrës apo TEG-ut. Thonë se e ka pushtuar edhe këtë zonë. Kurse në linjën tjetër Qendër–Kopshti Zoologjik nuk ka fare autobus. Të gjithë e dinë se kjo linjë mbahet peng nga firma fantazmë, por autobusët e saj të marra nëpër varrezat e makinave, tani janë bërë për në kombinatin metalurgjik, atje ku njëri nga këta autobusë shkoi këto ditë. 
Shteti i munguar 
Ku janë vendimet e Këshillit Bashkiak? Ku janë ato kontrata bashkëpunimi me komunat ngjitur me bashkinë e madhe të Tiranës? Sigurisht që kjo vjen erë ortakërie, klientelizëm pa vizion e gati mesjetar. E pra, me këtë klientelizëm, me këto firma dhe autobusë nuk mund të flasim për infrastrukturë bashkëkohorë, nuk mund të flasim për rrjet modern në shërbim të qytetarëve. Dhe e fundit; këta banorë që punojnë e jetojnë në perimetrin e Bashkisë së Tiranës, pse janë të dënuar për të mos pasur një shërbim bashkëkohor vetëm e vetëm se paska një firmë fantazmë autobusi që mbahet nën kujdesin e kryetarit të komunës së Farkës dhe të kryeplakut të këtij fshati. E pra, kjo lagje që mendohet të jetë qendra e ardhshme e Tiranës, nuk mund të ketë shërbim urban, kur lagje apo fshatra më të largët si Kashari, Paskuqani, Ndroqi apo Kombinati kanë shërbim urban të kontrolluar. Tani kësaj lagjeje iu shtua edhe unaza e madhe, por kemi frikë se edhe kjo unazë do të pushtohet nga klintelizmi mesjetar.
Sigal