Thjeshtohen procedurat për vizat amerikane

1646
Ambasada: Viza amerikane bazohet te intervista, jo te dokumentet
Zyra Konsullore njofton se për udhëtimet turistike nuk është e nevojshme të sillen vërtetime të ndryshme shtesë
Ambasada amerikane në Tiranë njoftoi se viza turistike për shqiptarët, të cilët duan të vizitojnë Shtetet e Bashkuara, do të bazohet më së shumti te intervista me aplikantët dhe jo te dokumentet. Në njoftimin e djeshëm, zyra konsullore deklaroi se nuk ka nevojë të sillen shumë dokumente shtesë në intervistë. “Procesi i vizave të Shteteve të Bashkuara përqendrohet te intervista. Për t’u përgatitur sa më mirë, shpjegoni planet tuaja të udhëtimit dhe lidhjet në vendin tuaj dhe përgjigjuni disa pyetjeve”, thuhet në njoftim. Gjithashtu, aplikantët ftohen të lexojnë paraprakisht informacionin te travel.state.gov për vizat e vizitorëve. 

1 – Vëllai im e ka pasur datën e intervistës më datë 16 nëntor dhe e kthyen mbrapsht për dy zbardhje vendimesh, sepse vëllai im ka pasur dy probleme me policinë për patentë makine, sepse ka qenë i mitur. Ne ia kemi dorëzuar ambasadës të noterizuara, edhe të përkthyera, siç ja kanë thënë ditën e intervistës. Po bëjmë gati një muaj që ja kemi dërguar me DHL. Sa kohë zgjat që ta thërrasin prapë për intervistën? Ka ndonjë kohë të caktuar, pasi letrat i ka për bashkim familjar?

Zyra konsullore: “Sugjerojmë që vëllai juaj të na kontaktojë në adresën e email [email protected], pasi nuk mund të diskutojmë çështje individuale te kjo rubrikë. Faleminderit”.

2 – Jam e përzgjedhur e DV 2018 me lotarinë amerikane. Ndërkohë jam në pritje të caktimit të datës së intervistës. Kam një paqartësi për sa i përket shkollës së mesme. Kam mbaruar semestrin e parë të vitit të parë në Gjirokastër. Më pas jam transferuar në një shkollë tjetër, ku kam përfunduar gjimnazin. Pyetja është: 1 – A më duhet të marr vërtetim notash tek shkolla në Gjirokastër? Apo mjafton vetëm diploma e gjimnazit tek shkolla ku kam përfunduar? 2 – Kur kam filluar universitetin më kanë kërkuar që të vulos diplomën tek drejtoria e shkollës dhe e rrethit, të cilën e kam bërë në vitin 2010. Si duhet të veproj tani? Ta çoj diplomën e gjimnazit vetëm tek Ministria e Arsimit?

Zyra konsullore: “Dëftesa e Pjekurisë (ose Vërtetimi i Notave në mungesë të Dёftesёs sё Pjekurisё) pёr aplikanёt qё e kanё kryer shkollën e mesme në Shqipëri duhet të certifikohet 1- nga Drejtoria Rajonale Arsimore e Rrethit, 2 – nga Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe më pas 3 – të legalizohet nga Ministria e Punëve tё Jashtme e Shqipёrisё. Dëftesa e pjekurisë dhe Vërtetimi i Notave DUHEN pёrkthyer në anglisht. Sigurohuni qё sekretarja e shkollёs tё pёrfshijё në mёnyrё korrekte tё gjitha lёndёt qё keni studiuar tek vёrtetimi i notave”.
Këshillat 
Nuk ka nevojë të sillni shumë dokumente shtesë në intervistën tuaj
Procesi i vizave të Shteteve të Bashkuara përqendrohet te intervista
Për t’u përgatitur sa më mirë, shpjegoni planet tuaja të udhëtimit dhe lidhjet në vendin tuaj dhe përgjigjuni disa pyetjeve
Lexoni paraprakisht informacionin te travel.state.gov për vizat e vizitorëve
Sigal