Thirrjet për armatosje/Tahiri: Berisha të ndiqet penalisht!

475
Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili ka reaguar ndaj apelit së ish-kryeministrit, e ka cilësuar atë si skandaloze dhe ka bërë thirrje që prokuroria ta ndjekë rastin si vepër penale. “Nuk e di si mund të vazhdojë punimet ky Parlament, kur një ish-kryeministër iu bën thirrje qytetarëve që të armatosen. Uroj që prokuroria ta thërrasë pasi është vepër penale të bësh thirrje publike për armatosje dhe dhunë ndaj institucioneve. Kjo është një mendësi kriminale dhe djallëzore. Është skandaloze”, tha Tahiri. Sipas tij, “një ish-kryeministër që bën thirrje për armatosjen e popullit, tregon se në ç’mënyrë ka qeverisur vendin, “në një kohë kur e kemi të freskët kujtesën se si vrau 4 qytetarë të pafajshëm në mes të Bulevardit”, ka thënë Tahiri. “Unë shpresoj që Prokuroria të marrë masa dhe të nisë ndjekje penale ndaj tij. Kjo është thirrje e një epoke tjetër, të cilën shqiptarët e kanë lënë pas më 23 qershor 2013”, është shprehur Tahiri, i cili ka ftuar deputetët e opozitës që të distancohen nga thirrja e Berishës.
Sigal