Sigal

Ministria shqiptare për Europën dhe Punët e Jashtme ka dënuar ashpër të premten thirrjet anti-shqiptare gjatë festimeve të Ditës së Republikës në Maqedoni.
Në një deklaratë për mediat, MEPJ “shpreh keqardhjen dhe dënon gjuhën e urrejtjes dhe thirrjet raciste antishqiptare të hedhura dje gjatë ceremonisë së festimit të kryengritjes së Ilindenit në Meçkin Kamen në Krushevë. Besojmë se këto janë veprime të një grupi të vogël njerëzish të nxitur nga ndjenjat nacionaliste ekstreme dhe shpresojmë që incidente të tilla që ndjellin urrejtje ndëretnike të mbeten të izoluara. MEPJ i bën thirrje institucioneve përgjegjëse që të hetojnë nxitësit e dhunës dhe vendosjen e tyre para drejtësisë.”

Në deklaratë thuhet se Shqipëria dhe shqiptarët kanë qenë dhe do të jenë miq të përhershëm të Maqedonisë. “Ne besojmë në vlerat e bashkëjetesës, në harmoninë dhe bashkëpunimin midis vendeve e qytetarëve tanë.”

Presidenca maqedonase nuk është distancuar ende nga incidentet, megjithëse reagimet në vend kanë qenë të shumta.

Thirrjet “Shqiptar i mirë është shqiptari i vdekur” një pjesë e të pranishmëve në ceremoninë e organizuar nga presidenca maqedonase me rastin e festës së Republikës, shoqëruan vendosjen e luleve në Meçkin Kamen në Krushevë. Çdo gjë ndodhi para syve të presidentit Ivanov.