TheTelegraf: Shqipëria, sekreti i ruajtur më mirë në Mesdhe

63
Shqipëria është bërë një destinacion mjaft i lakmuar këtë sezon veror, me pasqyrimin e bukurive të rralla natyrore të saj në shkrime të ndryshme bllogjesh turistike dhe në mediat botërore, sidomos ato Europiane dhe Amerikane.
Gazetarja e TheTelegraf, Caroline Shearing, shkruan për udhëtimin e saj një ditor në Shqipëri duke u kthyer pas në kohë, ku gjen “mikpritje, ushqime të shijshme deti dhe Butrintin, një nga vendet arkeologjike më të rëndësishme të Europës”.
“Mirësevini në qytetin bregdetar të Sarandës dhe në vendin kontradiktor që është Shqipëria.”
Kështu vazhdon më tej shkrimi i saj, ndërsa habia nis që në pikën kufitare detare të Qafë Botit, që ndan Greqinë nga Shqipëria. Gjëja e parë që i tërheq vëmendjen gazetares është ndryshimi mes pjesës së pyllëzuar greke dhe zonës së zhveshur nga pemët në pjesën shqiptare; përgjigjia që merr nga guida e saj është se regjimi i diktaturës komuniste që udhëhoqi vendin nga 1945-sa deri më 1991 kishte urdhëruar banorët e zonës të prisnin pemët për të pikasur çdo grek që përpiqej të futej në territorin shqiptar. Megjithatë për gazetaren Sharing është e kuptueshme që qëllimi në fakt ishte mos lejimi i shqiptarëve të kalonin në anën tjetër.
Por më tej pamja zbukurohet me pyje të begata me fiq dhe peme ullinjsh, teksa turistja që vizitonte për herë të parë vendin tonë përshkruan me detaje gjithçka që i hasën sytë gjatë rrugës. Për të kalimi nga Greqia në Shqipëri nuk ishte thjesht kalim i një ndarjeje gjeografike, por një kthim në kohë.
Mozaiku mural krenar i flamurit shqiptar të shqiponjës dy-krenore në sfondin e kuq, është ajo që bie në sy, drejt rrugës për vizitën e shkurtër në ujërat e Butrintit, Trashëgimisë Botërore të Unescos që daton që prej shekullit të 8 p.k.
Poeti antik Romak, Virgjili shkruante për Butrintin: “Pashë para meje një Trojë në miniaturë.” Sot, me teatrin antik Grek, banjot Romake dhe kullën Veneziane, Butrinti konsiderohet një “miniaturë” e historisë së Shqipërisë. Butrinti sipas gazetares britanike vlerësohet si ndër vendet arkeologjike më të ruajtura në Europë, e ku prej tij mund të zbulohet ende.
Por ndërsa lë pas Butrintin dhe drejtohet drejt qytetit të Sarandës, ajo shprehet se has në një tjetër lloj shkatërrimi: ndërtesa të shumta të shtrembëruara apo të rrëzuara. Pyetjes nëse Shqipëria vuan shumë nga tërmetet, i përgjigjen se në fakt këto ishin pasojat e ndërtimeve pa leje e jo të tërmeteve.
“Vetëm 20 vite më parë Saranda ishte një fshat i vogël peshkimi me shtëpi tradicionale prej guri, ndërsa tashmë shumica e atyre shtëpive janë zhdukur dhe vendin e tyre e kanë zënë blloqe të mëdha ndërtesash betoni, që kanë zënë të gjithë vijën bregdetare në formë gjysmë hëne të qytetit. Shqipëria është ndoshta për shkak të historisë së saj të kaluar, një vend në nxitim e sipër, çka reflektohet me peisazhet e saj madhështore të mbushura me shtylla betoni.”
Pjesa më e madhe e Rivierës Shqiptare nuk është zhvilluar, shkruan më tej ajo, duke përmendur rërën e butë dhe malet përreth, ndërsa thekson se duhet bërë më shumë për të mbrojtur vijën bregdetare për të shmangur një katastrofë mjedisore dhe arkitekturore. Mes pushuesve të huaj dhe shqiptarëve të pasur, ajo takon dhe një çift britanik të cilët kishin zgjedhur vendin tonë si një destinacion me çmime ekonomike, çka më pas reflektohet dhe prej saj me faturën prej vetëm 50 eurosh për një drekë me prodhime deti.
Vizita në Ciflig i lë po aq shumë mbresa me shtëpitë dhe veshjet karakteristike të grave, ku kthen sërisht në vëmendje praninë e kudogjendur të flamurit kuq e zi shqiptar. Dhurata e marrë nga një zonjë plakë, “me një buzëqeshje pa dhëmbë”, të një domateje të freskët kopshti është një moment po aq i këndshëm për të.
E ndërsa largohet dhe has në një polic kufitar dyshues që habitet me vizitën e saj në Shqipëri, ajo me shijen e ëmbël të domates që kish marrë dhuratë, pyet veten se kur do të jetë momenti i afërt kur do të vizitojë sërish Shqipërinë.
Marrë nga ATSH