Testimi, Avokati i Popullit, në mbështetje të bluzave të bardha

535
Sigal

Mjekët: testimi absurd dhe fyerje. Ministri Beqja përdor dy standarde, nuk merr në provim pedagogët e mjekësisë

Provimi i bluzave të bardha e ka kaluar tashmë kufirin e subjekteve që do të testohen. Debati është shtrirë në një tjetër nivel. Tashmë, diskutohet ligjshmëria e testimit në masë e bluzave të bardha. Mjekët dhe infermierët, nëpërmjet një peticioni, që do i dorëzohet Kryeministrit dhe Kryetarit të Kuvendit Popullor, kanë vijuar me mbledhjen e firmave nga bluzat e bardha, që janë kundër këtij testimi. Mësohet se përfaqësues të tyre dhe presidenti i “Urdhrit të mjekut” gjithashtu, kanë kontaktuar dhe kanë zhvilluar takime me Avokatin e Popullit, z. Igli Totozani. Sipas mjekëve, z. Totozani, ka shprehur solidarizim dhe mbështetje të plotë për personelin shëndetësor në këto takime. Mendohet se institucioni i Avokatit të Popullit, në mbështetje të bluzave të bardha, do të kërkojë rishikimin e vendimit për futjen në testim të mjekëve dhe infermierëve. Burime nga “Urdhri i mjekëve” thonë por “Telegraf” se në takimin shumë produktiv me Avokatin e Popullit është konkluduar se testimi në masë i bluzave të bardha duhet trajtuar si një shkelje e së drejtës. Nga ana tjetër, sipas ligjit “Për Urdhrin e mjekëve në Republikën e Shqipërisë”, ky institucion përfaqëson interesat e profesioneve mjekësore dhe rregullon marrëdhëniet midis tyre në funksion të publikut. Po, sipas këtij ligji është “Urdhri i mjekut” që planifikon dhe harton programet e formimit mjekësor dhe të edukimit e kualifikimit të vazhdueshëm të mjekëve. Pra, duket qartë se ministri i Shëndetësisë, në këtë rast, kërkon të marrë kompetencat e “Urdhrit të mjekut”. Profesioni i mjekut, apo dhe infermierit janë të rregulluara me ligj dhe është marrja e licencës, dokumenti që zyrtarizon këto profesione. Përpos licencës, e cila zyrtarizon profesionin e bluzave të bardha, është krijuar dhe Qendra Kombëtare e Edukimit në Vazhdim, e cila është e licencuar për të shpërndarë kreditet. Kështu, nëpërmjet praktikave profesionale, pjesëmarrjes në konferencat shkencore, botimet shkencore etj. mjeku merr kredite të cilat janë pjesë e portofolit të tij profesional. Duke qenë se është një profesion i rregulluar me ligj, kundërshtimi dhe motivimi i këtij reagimi ka kapluar shumicën e bluzave të bardha. Përfaqësues të mjekëve, duke kundërshtuar hapur vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë shprehen për gazetën se ky testim është joprofesional dhe abuziv, ndërsa mendojnë se, së pari, Ministria e Shëndetësisë para se të dalë në këto vendime duhet të bashkëpunojë me “urdhrin e mjekut”, si institucioni i vetëm që sipas ligjit përfaqëson interesat e tyre. Mjekët shprehen se Avokati i Popullit gjykon se testimi nuk është mënyra e vetme për identifikimin e problematikave që ka shëndetësia sot. Ndërsa është evidentuar se janë pikërisht drejtuesit e qendrave shëndetësore dhe spitalore, që kanë për detyrë menaxhimin e burimeve njerëzore, identifikimin e problematikave dhe referimin e tyre në instancat përkatëse, të cilat më pas duhet të kundërveprojnë me trajnime apo edukime në vazhdim, si mënyra e vetme e ngritjes profesionale të mjekëve apo infermierëve.

Mjekët bëjnë me dije se në takimin me Avokatin e Popullit është ngritur edhe problemi i përjashtimit nga testimi vetëm i pedagogëve të mjekësisë. Edhe z. Totozani, në mbështetje të tyre, e ka quajtur jo etike përjashtimin e tyre, kur vetë ligji “Për Kujdesin Shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, nuk përcakton përjashtime për edukimin e vazhdueshëm profesional për asnjë kategori mjekësh.

Sipas tyre, vendimi i Ministrit të Shëndetësisë nuk mund të jetë selektiv, të favorizojë pedagogët dhe disfavorizojë mjekët dhe infermierët. Si mjekët ashtu dhe burime nga “Urdhri i mjekut” besojnë se Avokati i Popullit në deklaratën e tij do ta quajë të kundraligjshëm dhe në shkelje të të drejtave të njeriut këtë testim. Ndërsa është konkluduar, se, me këto vendime arbitrare, mund të ndikojë në humbjen e besimit të qytetarëve te shteti dhe te ligji, i cili shkelet sa herë ministra apo drejtues të caktuar të institucioneve shtetërore kërkojnë të eksperimentojnë, duke vënë në jetë idetë e tyre, jo të mbështetura në ligj. Gjithashtu, Bashkimi Europian, në kuadër të procesit të integrimit në të, kërkon nga qeveria zbatimin në mënyrë rigoroze të ligjit, duke iu përafruar standardeve ndërkombëtare.

PETICIONI I MJEKËVE

 Drejtuar:

 1. Z. Bujar NISHANI, President i Republikës, Republika e Shqipërisë

 2. Z. Ilir META, Kryetar i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë

 3. Z. Edi RAMA, Kryeministër i Republikës së Shqipërisë

 4. Z. Igli TOTOZANI, Avokat i Popullit, Republika e Shqipërisë

 5. Znj. Lndita NIKOLLA, Ministre e Arsimit dhe Sportit, Rep. e Shqipërisë

 6. Z. Ilir BEQAJ, Ministër i Shëndetësisë, Republika e Shqipërisë

 7. Znj. Albana VOKSHI, Kryetare e Komisionit Shëndetësisë, Parlamenti, Rep. e Shqipërisë

 8. Z. Genc POLLO, Kryetar i Komisionit të Arsimit, Parlamenti, Republika e Shqipërisë

 9. Deputetë të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë

Lënda:  Mbi eksperimentimet denigruese të testimit të bluzave të bardha!

 Ne, mjekët, kirurgët, stomatologët, farmacistët, infermierët, laborantët dhe profesionistët e tjerë të mjekësisë, profesione të rregulluara në ligj (Ligji 10/271 i vitit 2009), në vazhdim të debateve aktuale për sa i përket testimit të bluzave të bardha në rang vendi. Testim, certifikim dhe licencim që e kemi kryer në mënyrë të vazhdueshme nga të gjithë hallkat institucionale shtetërore përkatëse nga Fakulteti i Mjekësisë, Universiteti, Urdhri i Mjekut, si dhe duke ndjekur edukimin në vazhdim.

Ne si grupe interesi, kërkojmë që çështja e testimit të bluzave të bardha, referuar prononcimeve të bëra nga Ministria e Shëndetësisë, kjo e fundit të tërhiqet nga ky mision denigrues në radhë të parë për reputacionin dhe besueshmërinë e personelit mjekësor në popullate dhe së dyti denigrimin e bluzave të bardha nga Ministria e Shëndetësisë. Këto provokime denigruese ndaj profesionit tonë, jo vetëm kanë krijuar një shqetësim të pavend në radhët tona, por dhe një tensionim të panevojshëm dhe absurde, duke larguar vëmendjen nga problemet esenciale që ka shëndetësia jonë dhe  ndikuar për keq në një mënyrë apo tjetër, edhe në kujdesin mjekësor ndaj pacientit në rang vendi.

Shqetësimet tona kryesore lidhen me ndërhyrjet në vazhdimësi të Ministrisë së Shëndetësisë në këto 24 vitet e fundit, duke bërë eksperimente nga më të ndryshmet që edhe kavjet laboratorike do të ishin lodhur, duke bërë që eksperimentuesit më kokëfortë që ikin dhe vijnë të  heqin dorë nga kjo përbaltje dhe denigrim që vazhdon t’i bëhet bluzave të bardha.

 Ne si profesionistë te mjekësisë me diploma, licenca dhe profesione të rregulluara në ligj, jemi kundër këtyre prononcimeve dhe proceseve non sens nga Ministria e Shëndetësisë. Këto nisma nga ministria përkatëse, jo vetëm qe nuk ka kapacitet e duhura të burimeve njerëzore (akademike, klinike, akretidimet, eksperienca…etj) për të ndërmarrë nisma të tilla, sikurse nuk ka asnjë lloj infrastrukture në tërësi për këto lloj projektesh mbarë kombëtare. Nuk dihen modalitetet e këtij testimi, bordet që do të kryejnë këto testime, individët që do të përfshihen në të, përmbajtjes së këtyre testimeve, ndërkohë që ne profesionistët e mjekësisë, sapo përfunduam filtrimin e projektit të parë të edukimit në vazhdim 5 vjeçar të sistemit të pikëve, të  rregulluar ligjërisht.

Në vazhdim, bazuar në ligjin 10/217 (2009), për profesionet e rregulluar, profesioni i mjekëve, stomatologëve, farmacistëve, infermierëve janë profesione të rregulluara në këtë ligj, ushtrimi i këtyre profesioneve nuk mund të bëhet pa u diplomuar, certifikuar, dhe dhënë provimet përkatëse, dhe zotërimin e licencës kur individi i trajnuar, certifikuar, akredituar pajiset me licencë përkatëse për ushtrim profesioni.

Marrja e kësaj licence vjen pas diplomimit në universitete të akredituara dhe të njohura nga shteti ynë, si dhe nënshtrimit të provimeve, testimeve, pikëve/krediteve. Pas marrjes së licencës profesionale, këto profesionistë të mjekësisë bëhen pjesë e edukimit në vazhdim të mjekësisë, e cila drejtohet nga Qendra Kombëtare e Edukimit në Vazhdim (QKEV). Kjo e fundit akoma nuk e ka përmbyllur procesin e krediteve të profesionisteve të mjekësisë dhe diskutimi i këtij procesi me grupet e interesit, ku mund të ofrohen edhe modalitete për përmirësimin e cilësisë së edukimit në vazhdim, në mënyrë artificiale, na krijohen shqetësime dhe deri në denigrime të pavend të një procesi testimi në rang kombëtar të bluzave të bardha.

Ju vejmë në dijeni, që ky proces testimi është konsideruar i pavend, i kundraligjshëm dhe deri në denigrues për grupet e interesit dhe kanë gjetur mbështetjen e pothuajse të gjithë profesionisteve të mjekësisë, duke përfshirë edhe profesoriatin e mjekësisë, dhe Urdhrin e Mjekut.

Ju adresohemi si përfaqësues të vendit tonë, përfaqësues ligj-bërës, ligj-zbatues për kapërcimin e këtij shqetësimi, duke kërkuar sqarimet e nevojshme nga urdhëruesit e këtij testimi që ka krijuar një stres, shqetësim, denigrim deri në tensionim të panevojshëm në radhët e këtyre profesionistëve të mjekësisë në ushtrimin e profesionit të tyre fisnik.

Ju falenderojmë për kohën tuaj dhe mbetemi në pritje të mirëkuptimit dhe ndihmesës nga ana Juaj!

Profesionistët e Mjekësisë në Shqipëri