Terrorizmi, Rama: Shqipëria as më shumë e as më pak e kërcënuar se mbarë Europa

62
Në masakrat e Parisit më 13 nëntor, terrorizmi e uli shënjestrën nga lartësia e monumenteve dhe simboleve të qytetërimit modern demokratik, tek lartësia e njerëzve të zakonshëm në hapësirën e jetës së tyre të përditshme.
Tanimë, askush, askund matanë perçeve dhe rrobave të zeza të shkretëtirës shpirtërore që solli erën e gjakut në rrugët e Parisit nuk është i sigurtë. Ky është mesazhi që na përcollën terroristët natën e 13 nëntorit dhe kjo është dhe sfida jonë në radhë të parë me vetveten.
Kur them sfida jonë kam parasysh botën e lirë të cilës ne i përkasim, familjen europiane dhe euroatlantike. Sepse mostra gjakatare e xhihadizmit synon që përmes terrorit të imponohet për së pari shoqërisë së vendeve demokratike, ku bën pjesë dhe Shqipëria jonë.
E vogël po e vendosur në zgjedhjen e saj për të qenë një shoqëri e lirë demokratike dhe një vend pjesëtar i NATO-s dhe i Europës së bashkuar.
Ajo çka kjo mostër kërkon, duke derdhur gjak të pafajshëm në zemrën e Europës është që të na kallë datën dhe të na detyrojë të mos jemi më ata që jemi. Të na detyrojë të udhëhiqemi nga frika, jo nga ëndrrat dhe shpresat, sapo çelim e derisa mbyllim sytë. Të na detyrojë të këshillohemi nga pasiguria, jo nga ambicia për familjen, për komunitetin, për vendin tonë. Të na detyrojë të tërhiqemi mbrapsht nga ankthi i mbijetesës dhe jo të nxitemi përpara nga mundësitë që na jep liria për ta bërë jetën tonë më të mirë.
Bashkësia terroriste kërkon të na e kthejë përmbysë ngrehinën e vlerave të jetës dhe të bashkëjetesës sonë.
Kërkon të na strukë pas perçes dhe brenda rrobave të zeza të frikës për të na imponuar tjetërsimin e vetvetes.
Kërkon të na mbyllë ndaj të tjerëve dhe të na nxijë jetën, duke na kthyer në qenie dhe në vende që gjallojnë pa forcën e vlerave dhe normave të bashkëjetesës që mbajnë gjallë gjithë qytetërimin tonë. Por historia ka njohur mortje edhe më të mëdha sesa kjo shkretëtirë shpirtërore e mishëruar në trupa njerëzish të mbuluar në të zeza që përçudnojnë fenë për t’ju dhënë emrin e fesë akteve të tyre të mizore, mbi njeriun dhe mbi trashëgiminë kulturore të njeriut mbi tokë.
Edhe kjo do të ketë fundin që patën të tjerët përpara saj. Ne shqiptarët do të vazhdojmë të qëndrojmë me besim të plotë në anën e duhur të historisë si pjesë e Europës së bashkuar, e aleancës së madhe të së mirës, kundër së keqes.
Ajo që ndodhi në Francë dhe që vazhdon të ndodhë përditë në formën e kërcënimeve apo të marrjes së masave mbrojtëse kundër terrorizmit duhet që në radhë të parë të mos lejojmë të na prekë njeriun brenda nesh. Vlerat që na kanë përcjellë të parët tanë apo që mishëron bota që kemi zgjedhur. Normaliteti në jetesën e familjes sonë, familjes sonë të vogël dhe po ashtu familjes sonë të madhe, qoftë familja shqiptare, qoftë familja europiane.
S’ka vend për panik.
S’ka vend për frikë.
S’ka vend për të ndryshuar asgjë në rendin e ditës sonë.
Shqipëria nuk është as më shumë dhe as më pak e kërcënuar sesa vendet e tjera.
Jeta vazhdon dhe secili prej nesh duhet ta jetojë atë përditë pa rënë pre e pasigurisë që duan ta kallin në zemrat dhe në mendjet tona ushtarët e shkretëtirës pa zot. Në Shqipëri është marrë çdo masë e mundshme edhe pse askush, askund në botën, të cilës i përkasim nuk mund të jetë jashtë rrezikut.
Jeta duhet të vazhdojë normalisht. Sepse s’ka absolutisht asnjë arsye të veçantë, asnjë fakt apo informacion të caktuar që ne në Shqipëri të ndjehemi më të kërcënuar sesa të gjithë të tjerët.