Territorialja, Ndërkombëtarët: Reforma konsolidon njësitë vendore

482
Sigal

TIRANE– Komuniteti Ndërkombëtar shpreh mbështetje për realizimin e reformës administrative-territoriale. Të pranishëm në mbledhjen e komisionit për këtë reformë, përfaqësues të Komunitetit Ndërkombëtar kanë theksuar rëndësinë e realizimit të kësaj reforme, e cila sipas tyre do të konsolidojë njësitë e qeverisjes vendore, pasi “Sistemi aktual i qeverisjes vendore i paqëndrueshëm”. Për realizimin e kësaj reforme, ndërkombëtarët kanë vënë theksin në gjithëpërfshirjen e aktorëve politikë dhe shoqërisë civile, si dhe të merren parasysh minoritetet. “Mbështesim angazhimin e qeverise për këtë reforme që bazohet në standardet ndërkombëtare,duke u bazuar në analiza objektive, transparente dhe gjithëpërfshirëse. Jemi të bindur se institucionet shqiptare do e shfrytëzojnë këtë informacion për të marrë vendimet e duhura politike. Nuk ka kriter nga BE për reformën territoriale, kështu që s’bëjmë dot rekomandim. Por ne si BE, duam që ta përfshijmë në nivel lokal edhe reformën në administratë. Është e rëndësishme që reforma administrative-territoriale të trajtohet për të përmirësuar shërbimet, por të ketë parasysh edhe minoritetet. Duhet një dialog gjithëpërfshirës me aktorët nga shoqëria civile, etj; pasi duhet të shkohet te përmirësimi i të ardhurave. Kjo do ndihmojë në zbatimin e ligjit për shërbimin civil në nivelin lokal. Një nga qëllimet kryesore duhet të jetë lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar në nivel lokal”, theksuan përfaqësuesit e Komunitetit Ndërkombëtar. Bashkëkryetari i komisionit Bashkim Fino, tha se reforma administrative-territoriale është ndër më të rëndësishmet në vend, dhe tregohet një vëmendje e madhe ndaj sugjerimeve të ndërkombëtarëve. “Kjo reformë territoriale do të ndikojë pozitivisht në shumë aspekte të shtetit”. Ndërkaq, Fino ka pyetur përfaqësuesen e PNUD nëse do të ofrohet mbështetje për reformën në fazën e implementimit në terren, e cila u shpreh se do të jepet kontribut.  “Ndihma në këtë reformë është shtese përveç programeve të tjera, tha përfaqësuesja e PNUD. Ndërsa ka ftuar sërish opozitën të vijë në Komision për të kontribuar në realzimin e reformës territoriale, Fino tha se “Pas datës 16 Maj do fillojmë konsultimet me përfaqësues lokalë. 2 muaj pas konsultimeve do të kemi votim në Parlament. Besojmë ende te konsensusi me opozitën”.