Tërmeti/ Mobilizohen 110 forca speciale të policisë së Kosovës drejt Shqipërisë

709
Sigal

Pas ushtrisë mëngjesin e sotëm edhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Kosovës, ka mobilizuar njësitet e saja policore të cilat i ka nisur në drejtim Shqipërisë, për t’iu asistuar njësiteve emergjente të cilat janë të inkuadruara në operacionin e kërkim-shpëtimit, si pasojë e tërmetit të fuqishëm.

Njësitet policore të PK-së, në përbërje prej njëqind e dhjetë (110) operatorëve të njësive të specializuara, të pajisura me pajisje të ndryshme logjistike, të cilat tanimë kanë kaluar kufirin e Kosovës, do të jenë në shërbim të autoriteteve të Shqipërisë dhe sipas nevojës emergjente do të operojnë në kërkim-shpëtim të banorëve që dyshohet se kanë mbetur nën gërmadha të objekteve të rrënuara.

Policia e Kosovës shpreh gatishmërinë e saj që të vërë në funksion të gjitha kapacitetet policore dhe logjistike, në përkrahje dhe mbështetje të autoriteteve të Shqipërisë dhe qytetarëve të saj, të prekur nga tërmeti i mëngjesit të sotëm.