Tërmeti/ Familjet e prekura rome, dyfish të penalizuara

300

Tërmeti ka krisur një pjesë të mureve në dhomat ku jeton Memedije Mehmeti dhe 7 anëtarët e familjes së saj, por banesa duket se ka qenë e pabanueshme shumë më herët.

Mjerimi ka qenë këtu i pranishëm shumë përpara tëmetit, ndërsa javët e fundit, familjes i është shtuar edhe ankthi. Një prej fëmijëve të Mehmetit, një vajzë adoleshente, ka pësuar shok dhe është nën mjekim, ndërsa prej ditësh nuk arrin të flasë me shenja të paralizës faciale.

Mehmetin rreth të 60-tave e gjejmë duke larë me dorë rroba në një govatë, në një prej rrugicave periferike të Kombinatit e populluar kryesisht me pjesëtarë të komunitetit Rom. Megjithë temperaturat e ulëta, ajo është e lagur deri në mes dhe siç na thotë, nuk ka me çfarë të ushqejë fëmijët, ndërsa jeton me frikën e mureve që mund të shemben.

Fatmir Zyberi, koordinator i Qendrës për Advokim Social thotë se prej ditësh po përpiqet të bindë gruan dhe fëmijët e saj të strehohen në një nga qendrat sociale të ngritura në shkollën “Betim Muço”.

“Aty keni strehimin, ushqimin dhe kujdes mjekësor për vajzën e sëmurë”, u thotë Zyberi, por gruaja mëdyshet.

Premtimi për strehim në qendrën sociale është megjithatë provizor. Shkolla “Betim Muço” do i kthehet shpejt aktivitetit normal, ndërsa familjet e strehuara në të do të duhet të gjejnë shpejt banesa me qira, për të cilat u është premtuar bonus.

Por pjestarë të komunitetit rom dhe aktivistë që po përpiqen të ndihmojnë i thanë BIRN se çmimet e qirave janë rritur – ndërsa familjet rome mbeten dyfish të penalizuara për një zgjidhje strehimi afatgjatë.

Shtëpitë me qira mungojnë dhe shtrejtohen

Memedije Mehmeti në shtëpinë me mure të çara në Kombinat. Foto: Vladimir Karaj.

Në lagjen Kombinat – ndër më të dëmtuarat nga tërmeti në qytetin e Tiranës, njëzet pallate janë rrethuara me shirita të kuq dhe dhjetra banesa janë shpallur ndërkohë përkohësisht të pabanueshme.

Në pallatit 159, gati në qendër të Kombinatit, banorët e kanë injoruar shiritin e policisë. Ndryshe nga godinat në Qytetin Studenti, të cilat u evakuuan nga policia bashkiake, këtu veç shenjës në derë se godina është e pabanueshme, nuk ka asgjë pengesë tjetër që mund të ndalojë hyrjen apo qëndrimin.

Në shkollën “Betim Muço” pranë pallatit 159 gjenden të strehuara disa dhjetra familje në dy salla të ndryshme. Por familjarët me të cilët foli BIRN thonë se gjetja e një shtëpie me qira është një mision i pamundur.

Rita Tusha, një prej të strehuarave në palestrën e shkollës tha se ende priste verifikimin përfundimtar të shtëpisë së saj, ndërkohë që ka mësuar se çmimet e qirasë ishin rritur disafish.

Fatmir Zyberi, që po ndërmjetëson për një shtëpi me qira për një familje rome, bie dakord me Tushën. Ai i tha BIRN se është e vështirë që të gjendet një zgjidhje që kënaq të dyja palët.

Ermir Matja banor i pallatit, i tha BIRN se ai nuk kishte dalë nga shtëpia dhe se prindërit  e tij të moshuar po ashtu refuzonin të largoheshin. Matja thotë se ka qenë e pamundur që të gjejë shtëpi me qira dhe se çmimet ishin rritur gjatë këtyre ditëve.

“Kshu e kanë këta, çmimet e qirave janë tre-katërfishuar,” thotë ai.

Vështirësinë e gjetjes së banesave me qira e pohon edhe Havaja, një grua që fillimisht këmbëngul të mos i përmendej fare identiteti pasi punonte në shtet. Ajo pranon se i është premtuar bonusi i qirasë dhe se i kanë thënë që do i trasferohej të shtunën në llogarinë bankare, por pretendon se nuk ka gjetur ende një shtëpi.

Mosbesim te ekspertiza

Pallati 159 në Kombinat është shpallur përkohësisht i pabanueshëm, ndërkohë që një pjesë e banorëve vazhdojnë të jetojnë aty. Foto: Vladimir Karaj.

Njësoj si në zonat e tjera të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit, edhe banorët e Kombinatit nuk janë të bindur me ekspertizën. “Pallatin e kanë shpallur të pabanueshëm, por refuzojnë të na japin aktin e konstatimit,” thotë një banore.

Pallati i ndërtuar me tulla silikate të bardha, nga ato që janë bërë sinonim i problemeve pas tërmetit, nuk tregon nga jashtë shenja të krisjeve, por banorët pranojnë se në brendësi kishte dëme.

Gruaja dhe të tjerë banorë që mblidhen menjëherë rreth nesh, në një ritual që duket se është bërë i zakonshëm pas çdo të interesuari, akuzojnë se pallati u dëmtua pas ndërhyrjeve në dyqanet e pjesë së përparme. Sipas tyre, pjesë të pallatit u dëmtuan pas ngritjes së një qendre për të moshuar nga bashkia, e cila rrëzoi një pjesë të mureve mbështetës të pallatit.

Qëndrimet janë megjithatë kontradiktore. Një banor i tha BIRN se nuk kishte se si pallati të ishte i pabanueshëm sa kohë aty nuk kishte punonjës policie që të mos i lejonin ata të ngjiteshin lart dhe se shenja që ndalonte qëndrimin në banesa nuk ishte e mjaftueshme.

Të ngecur mes vështirësisë për t’u shkëputur prej shtëpive ku kanë jetuar për dekada dhe pamundësisë për të gjetur shpejt diçka të re, banorët kërkojnë të informohen seriozisht dhe të kenë letra në të cilat të shkruhen edhe shkaqet e dëmtimit të pallatit.

Madje, duke ironizuar, banorët thonë se është e çuditshme se ndërsa hyrja e tyre ishte shënuar si e pabanueshme, në faqen tjetër të pallatit, një bankë, disa dyqane të vogla dhe zyrat e Postës së Shqipërisë nuk ka shirit dhe aktiviteti vijon normalisht.

Thimi Xhonga, i cili bashkë me tre vëllezërit shet elektro- shtëpiake në atë krah të pallatit i tha BIRN se po përpiqeshin të mos e mbyllnin biznesin deri në fund të muajit. Xhonga nuk ishte i bindur që pallati ishte dëmtuar aq shumë. “Unë nuk kam pësuar asgjë, as abazhurët nuk më janë thyer,” tha ai.

Xhonga u ankua gjithashtu se ndërsa qeveria kishte dhënë ndërkohë një zgjidhje për banesat, askush nuk kishte menduar për dyqanet e vogla. “Ne nuk kemi ku të shkojmë, nuk është menduar fare për ne,” tha ai. “E kuptoj që deri tani ka qenë çështja e kokës, por me këtë dyqan ushqehen familje dhe mbahen me rrogë tre persona,” thotë burri, që tregoi se vinte nga Përmeti.

Puna vijon ngjashmërisht edhe në zyrat e postës, ndërsa dy banka që ndodhen aty i kanë mbyllur dyert. Pallate të tjera, të cilat nuk kanë dyqane në katet e para duken ndërkohë të braktisura dhe në to nuk shihen as drita dhe as shenja jete.

Të varfërit që nuk kërkojnë

Shkolla “Betim Muço” në Kombinat është kthyer në strehë provizore për banorët e dëmtuar nga tërmeti. Foto: Vladimir Karaj.

Tërmeti shkatërroi mijëra banesa në të gjithë Shqipërinë, por në një pjesë të madhe të asaj që njihet si Rruga e Fabrikës së Qelqit në Kombinat, banorët kanë bashkëjetuar prej vitesh me shkatërrimin.

Dhjetra familje rome jetojnë në baraka apo në shtëpi të mbuluara me llamarinë dhe nuk duhet të jesh inxhinier i Institutit të Ndërtimit për të vërtetuar se ato janë të pabanueshme. Pak mure tulle që kanë qenë në këmbë janë plasaritur, çatitë e tavanet kanë vënë bark, ndërsa nëpër faqe muresh duke rrëketë e shiut që kanë hyrë brenda.

Në një barakë të tillë jeton edhe Memedije Mehmeti. Gruaja thotë se kishte frikë të kërkonte shtëpi me qira, sepse nuk i jepnin dhe po ashtu frikë të braktiste gjysmë-banesën në të cilën strehohej bashkë me 7 anëtarë të familjes së saj, përfshi një foshnje, për shkak të një konflikti pronësie me të afërm.

Siç mësojmë nga Fatmir Zyberi, i njohur në lagje prej pothuajse të gjithëve, mungesa e informacionit dhe e dokumenteve për shtëpitë i penalizon mjaft prej familjeve rome, një pjesë e të cilave nuk ja dalin të përmbushin detyrimet burokratike.

Hall të ngjashëm ka edhe Mustafa Zeqiri. Burri që ka ndërtuar një shtëpi të vogël në vitin 1994 është në proces legalizmi, por ndërkohë tullat silikat të cilat ai i ka përdor janë krisur prej dy tërmeteve. Zeqiri tregon se kishte pësuar dëme edhe nga tërmeti i shtatorit dhe se ende priste vlerësim për dëmet e reja, por nuk ishte në gjendje të thoshte nëse do të përfitonte prej ndihmës.

Në lagje mjaft prej banorëve janë ende të frikësuar prej lëkundjeve. Një pjesë kanë ngritur çadra me mushama në oborre dhe refuzojnë të kthehen në banesa. Në mes të pasigurisë, Juliana Muça, nëndrejtoreshë e shkollës 9-vjeçare në Yzberisht që po vizitonte zonën ku jetonin nxënësit e saj, i ka vënë mision vetes që të japë kurajo.

Muça ndiqet nga pas prej fëmijësh që i thërrasin drejtoreshë dhe e pyesin kur do fillojë shkolla. Ajo i njeh thuajse të gjithë me emra, ndërsa shton se ka probleme edhe në shtëpinë e saj.

Ndërsa flet me Memedijen dhe vajzën e saj që është nën mjekim pas tërmetit ajo kërkon t’i qetësojë, duke shpjegur se si lëviz toka dhe pse nuk duhet të kenë frikë.

Por frika këtu nuk lidhet vetëm me lëvizjet e tokës. Memedija e ka të vështirë edhe të ushqejë të bijën që duhet të hajë çdo vakt para se të marrë ilaçet. Gruaja përlotet kur pohon se pak mundësi ka që të ketë ushqim në tavolinë dhe se nuk i mbetet asgjë për darkën./Vladimir Karaj