Tërmetet, Meta në Durrës: Të jemi të qetë e të vëmendshëm

485
Sigal

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, është nisur drejt Durrësit, ku ishte dhe epiqendra e tërmetit të fuqishëm me magnitudë 5.8 ballë i shkallës rihter, më i forti i 30 viteve të fundit. Rreth orës 17:24, Presidenti Meta u fut në Prefekturën e Durrësit, ku zhvilloi një takim me prefektin Roland Nasto për t’u njohur në detaje me pasojat që shkaktoi tërmeti.

Pas takimit, Meta në një prononcim për gazetarët apeloi qytetarët të ruajnë qetësinë. “Të jenë në koherencvë në raport me mediat me informacionet që jepen nga strukturat shtetërore dhe qeverisë vendore dhe qëndrore për të bashkëpunuar ngushtë dhe evidentuar pasojat e goditjeve të deritanishme dhe për të ndjekur situatën me gatishmëri dhe qetësi maksimale. U njoha nga prefekti dhe përfaqësuesi i shtabit të emergjencës për punën që po bëjnë në terren në kordinim dhe me strukturat qëndore. Është e rëndësishme të evidentohet çdo dëmtim dhe të merren masa për të verifikuar pasojat që mund të kemi dhe për të ardhmen, sidomos në drejtim të banesave dhe objekteve që mund të jenë dëmtuar dhe që mund të jenë problematike për akomodimin e qytetarëve”.

Jemi në kushte emergjence?
Jemi në kushtet e një vigjilencë të vazhdueshme dhe të përhershme se jetojmë në një rajon problematik.Është e rëndësishme të jemi në bashkëpunim të vazhdueshëm me të gjitha vendet fqinje sa i takon shërbimeve sizmiologjike në mënyrë që të jemi të përgatitur për çdo situatë.

Ju e paralajmëruat tërmetin, a u morën masat?
Është koha për të qenë të vëmendshëm dhe është e rëndësishme të punohet me një kordinim efikas nga të gjitha strukturat shtetërore , edhe bashkëpunim të komunitetit me këto struktura.

Nga ana tjetër, Prefekti i Durrësit, Roland Nasto, tha se dëme ka në ato apartamente ku ka pasur shtesa, në disa shtëpi të vjetra dhe në një shkollë ku ka rënë një pjesë e tavanit.