Tërmetet dhe pozicioni gjeologjik i Shqipërisë

3564
Sigal

Vlashi Janopulli

Tërmetet janë lëkundjet të kores së tokës dhe shkaktohen nga lëvizjet
tektonike, nga shpërthimi i vullkaneve ose nga veprimtaria njerëzore. Ato nuk
janë veçse lëkundje të pjesëve materiale në thellësi të tokës. Lëkundjet
kryesore shkaktohen nga lëvizja e pllakave që përbëjnë koren e tokës. Përplasja
e pllakave shkakton tërmete të shkallëve të mëdha dhe që janë tërmete
katastrofike. Lëvizja e pllakave rigjeneron dhe aktivizon edhe prishjet
tektonike që diktohen në sipërfaqen e tokës. Toka është një planet i gjallë që
me fjalë popullore mund të thuhet se psherëtin vazhdimisht. Sipas statistikave
në tokë gjatë një viti ndodhin afërsisht 80.000 tërmete ose mesatarisht 9 tërmete
në orë dhe në çdo tre ditë ndodh një tërmet i fort. Jo të gjithë këto tërmete
ndihen nga njerëzit, por ato regjistrohen nga aparatet që quhen sismografe. Me
modernizimin e këtyre aparateve është bërë e mundur të regjistrohen edhe
lëkundjet më të vogla të tokës që njeriu pa këto aparate nuk i ndjen. Shkenca që
merret me studimin e lëkundjeve të tokës, tërmetet, quhet sizmologji. Vendi ose
vatra në thellësi të tokës ku lind tërmeti quhet hipoqendra dhe pika korresponduese
në sipërfaqe quhet epiqendra. Lëkundjet më të forta janë në epiqendrën e tërmetit.
Nga epiqendra përhapen valët. Fuqia e valës dobësohet duke u larguar nga
epiqendra. Për matjen e fuqisë së tërmeteve përdoren dy shkallë matëse, shkalla
Merkali dhe shkalla Rihter. Shkalla Merkali bazohet në madhësinë e dëmit që
shkakton tërmeti dhe ka 12 ndarje. Shkalla Rihter bazohet në amplitudën e
manjitutës që regjistrohet në sizmograf. Tërmete më shkatërruese janë ato me
shkallë Rihhter mbi 5-6 ballë e lartë. Nga tërmetet e fuqishme, shkatërrohen
qytete të tëra, qendra kulturore dhe vriten njerëz. Në të kaluarën ka ndodhur që
vetëm nga një tërmet i fuqishëm janë vrarë me mijëra njerëz. Mundet gjithashtu
mbas një tërmeti të fuqishëm që prek një shtet ritmi i zhvillimi të tij të
ngadalësohet. Tërmetet janë një nga fatkeqësitë më të tmerrshme të natyrës.
Njerëzit për të shmangur këtë fatkeqësi, që në kohën e lashtë janë marrë me
studimin e shkaqeve të këtij fenomeni, për mundësinë e përcaktimit të vendeve të
ndodhjes dhe parashikimit të kohës së ndodhjes së tërmeteve. Shkenca ka arritur
të përcaktojë pjesët e tokës dhe vendet me sismicitet të lartë që mund të
ndodhin tërmetet, por jo kohën e ndodhjes së tyre. Vende me sizmicitet të lart
janë ato me zhvillim tektonik të ri ose dhe të vazhdueshëm dhe në kufijtë e përplasjes
së pllakave tektonike. Kështu vende me sismicitet të lart janë pjesa perëndimore
e Shteteve të Bashkuara e pjesa perëndimore e Amerikës së Jugut, pjesa jugore e
Europës, (Portugalia, Spanja Italia dhe shtetet ballkanike ku me sismicitet më
të lart paraqitet Greqia), pjesa qendrore dhe jugore e kontinentit aziatik. Me
sismicitet shumë të lart janë ishujt e Japonisë, prandaj shkencëtarët japonezë
janë shumë të preokupuar për përcaktimin e pjesëve më të rrezikuara dhe mundësisht
të caktoj një kohë të përafërt të ndodhjes së tërmeteve. Kur tërmetet ndodhin në
det ose në oqeane dhe fuqia e tyre është e madhe atëherë krijohen valë të
fuqishme që me forcë godasin brigjet e tokës duke shkaktuar dëme të jashtëzakonshme
(cunamet), ku valët mund të përpijnë dhe të zhdukin qytete të tëra. Cuname të
fuqishme vdekjeprurëse ishin ato që para disa vitesh goditën ishujt indenozian
dhe brigjet lindore të Japonisë. Në Japoni nga cunami u prishën dhe disa
stacione të energjisë bërthamore. Shumë studime ka për shkaqet e gjenezës së tërmeteve,
por me lindjen e teorisë së ndërtimit të litosferës së tokës nga pllakat lëvizëse
mbi pjesën më të butë të asaj që është poshtë pllakave (të atmosferës) është
arritur në konkluzion së shkaku kryesor i tërmeteve është lëvizja e pllakave të
litosferës. Nga lëvizja e pllakave janë formuar malet dhe si rrjedhim dhe
prishjet tektonike. Në bazë të kësaj, prishja e famshme e Shën Andres në Amerikë,
që krijon tërmete të fuqishme në San Francisko, është krijuar në saj të përplasjes
së pllakave, asaj të Amerikës Veriore me atë të Oqeanit Paqësor. Ndodhja e tërmeteve
është e pashmageshme dhe me gjithë përpjekjet e shkencës koha e ndodhjes së tyre
është e paparashikueshme. Shkenca ka arritur të përcaktojë vendet më të prekshme
nga tërmetet duke u bazuar në zhvillimin dhe ndërtimin gjeologjik, të
pozicionit gjeologjik dhe të dinamikës së ndodhjes, historikut dhe madhësitë e
tyre. Në bazë të këtyre të dhënave janë ndërtuar harta sizmologjike të vendeve
me sizmicitet.                   

Instituti sizmologjik në Shqipëri

Në Shqipëri para disa dhjetëra vitesh është ngritur instituti sizmologjik
dhe është ndërtuar harta sizmologjike e territorit shqiptar duke u bazuar
fillimisht më tepër në të dhënat historike të ndodhjes së tërmeteve si të dhënave
të vrojtimeve në bazë të fuqisë shkatërruese. Harta sizmologjike është ripërpunuar
dhe përmirësuar vitet e fundit edhe me të dhënat e regjistrimeve të sizmografëve,
që ka instituti sizmologjik. Siç rezulton trualli shqiptar është sizmogjenez në
të gjithë territorin. Intensiteti i fuqisë sizmike ka qenë i ndryshëm për
rajone të ndryshme dhe nga të dhënat disponuese deri tani përmendet se tërmetet
kanë qenë të fuqishëm duke arritur ose dhe tejkaluar të shtatë ballë të shkallës
Rihter (tërmeti që historikisht përmendet se kishte shkatërruar qytetin e Durrësit).
Nga gojëdhënat flitet që qyteti i vjetër i Durrësit është prishur nga një tërmet
i fuqishëm dhe bile thuhet se tërmeti ka shkaktuar dhe cunam? Pothuajse në të gjithë
territorin shqiptar kane ndodhur tërmete. Dhe në disa raste kanë shkaktuar shkatërrime
në ndërtesat, plagosje dhe viktima në njerëz. Në shekullin e kaluar tërmete shkatërruese,
por fatmirësisht pa shumë viktima në njerëz kanë ndodhur në Shkodër, Lushnjë,
Fier në rajonin e Dibrës etj. Në tërmetin që ndodhi në Fier u prishën shumë shtëpi
të vjetra dhe apartamentet e reja u çanë dhe disa u klasifikuan si të pa banueshme.
Atëherë është llogaritur se fuqia e atij tërmeti ishte rreth pesë ballë. Por
megjithëse tërmeti ishte vetëm 5 ballë fuqia shkatërruese ishte e konsiderueshme
dhe kjo sepse vatra e tërmeti ishte i cekët, por edhe koeficienti sizmik i përdorur
për sigurinë e ndërtimit ka qenë i vogël.

Rajoni shqiptar është neotektonik

Dëmet janë më të mëdha sa më cekët të jetë vatra e tërmetit. Rajoni
shqiptar është neotektonik. Gjurmët e prishjeve tektonike si dhe mbihedhja e
maleve dallohen në sipërfaqe. Në këto kushte vatrat e tërmeteve presupozohet të
jenë të cekëta, kështu edhe tërmete me shkalle Rihter jo dhe shumë të madhe
mund të shkaktojnë dëme të konsiderueshme. Tërmeti që ndodhi para disa vjetësh
në rajonin e Dibrës me gjithë se kishte shkallë relativisht të vogël shkaktoi
disa dëme. Tërmeti i fundit që ndodhi në Itali vatrën e kishte relativisht jo në
thellësi të madhe, prandaj dhe shkatërrimet ishin shumë të mëdha. Toka
shqiptare është në zhvillim dhe ka ndërtim neotektonik. Në këto kushte marrja e
masave për të evituar sa të jetë e mundur më shumë dëmet nga tërmetet është e
domosdoshme. Vitet e fundit në Shqipëri banesat ndërtohen me shumë kate. Para
vitit 1990 në bazë edhe të dhënave sizmike nuk lejohesh ndërtimi i banesave mbi
shtatë kate. Duke marrë parasysh të dhënat sizmike, ndërtimi i banesave me shumë
kate kërkon teknologji ndërtimi shumë të studiuar ku veçanërisht koeficienti
kundër tërmeteve të jetë sa më i lart. Po kështu nga ana e gjeologjisë
kantjerale të studiohen formacionet e shtresave, bazamenti, ku do të vendosen
plintat ose themelet. Prandaj duhet një bashkëpunim i ngushtë midis ndërtuesve,
gjeologëve e sizmologëve si në projektimin e ndërtesave po ashtu edhe gjatë
zbatimit veçanërisht për ndërtesat shumëkatëshe pa përjashtuar veprat të rëndësishme
industriale dhe bujqësore. Ndërtimi, për shembull, i banesave shumëkatëshe në
shtresat me kompaktësi jo të mjaftueshme dhe rrëshqitëse si në kodrat e qytetit
të Durrësit, është një problem që duhet ndjekur vazhdimisht duke kontrolluar
banesat të ndërtuara. Rrezikshmëri paraqet ndërtimi i shumë kateve në këto
kodra dhe prishja tektonike, neogenike, që përshkon këto kodra dhe që vazhdon
nga kodrat te kepit të Pallës. Kujdes duhet treguar dhe për banesat të ndërtuara
edhe në kodrat e Tiranës ose për hotelet të ndërtuara në rërën e plazheve. Kontrollit
teknik duhet tu nënshtrohen gjithashtu gjithë pallatet sipas vjetërsisë së
tyre. Është e domosdoshme në ndërtimet të zbatohet kodi i ndërtimit që dhe çdo
shtet të ketë kodin e tij të ndërtimit në bazë të të dhënave të veçanta të çdo
vendi. Mbas goditjes së parë së tërmetit vazhdojnë goditje të tjera që quhen
goditje dytësore ose “mbasgoditje”, por jo gjithëmon goditja e parë është ajo më
e fortë. Sektori i sizmologjisë për çdo tërmet të ndjek goditje dhe në mundësi
dallimi të dallojë nëse është goditja e parë apo është pra goditje që paralajmëron
mbas saj goditjen më të fortë. Përveç masave rigoroze të teknologjisë në ndërtimet,
duke zbatuar me përpikëri projektet në kushte konkrete të çdo rajoni ka rendësi
dhe një përgatitje të veprimeve në raste termeti. Kjo veçanërisht është e
domosdoshme për nxënësit dhe studentë të shkollave. Tërmete teknike këto vite të
fundit në Shqipëri kanë ndodhur në rajonin e Zharës nga boshllëqet nëntokësore
që janë krijuar nga nxjerrja e naftës nga shtresa. Nga këto tërmete kanë
ndodhur çarje shtëpish, por në rastet e veçanta mund të ndodhin edhe vithisje në
sipërfaqen e tokës. Tërmete të tillë mund të shkaktohen nga pakujdesit gjatë bërjes
së parkingjeve nëntokësore etj. Këto tërmete krijojnë dhe psikozë negative për
popullatën që banon në këto zona. Si përfundim tërmetet kanë fuqi shkatërruese
të jashtëzakonshme. Me gjithë se nuk mund të parashikohet koha ekzakte e
ndodhjes së tyre, mund dhe duhet të merren masa që në raste tërmeti pasojat të
jenë të kufizuara, duke ruajtur veçanërisht jetën e njerëzve.