Tërhiqet Akademia, Asamble e jashtëzakonshme për reformën

499
Kryesia vendosi të thërrasë më 11 shtator sërish një takim të akademikëve. Një komision i posaçëm do të trajtojë çështjen e reformimit
Akademikët kanë bërë një hap pas dhe kanë pranuar të nisin një proces reformues të Akademisë së Shkencave, pas presionit në rritje nga opinioni publik dhe qeveria. Për më tepër, kryeministri Rama njoftoi se do të ndërpriste financimet për Akademinë, pas zgjedhjeve të fundit, ku drejtuesit e saj bënë rokadë në detyrat që mbanin. Kryesia e Akademisë, e mbledhur ditën e djeshme, me propozim të sekretarit shkencor thërriti mbledhjen e jashtëzakonshme dhe të zgjeruar të asamblesë së Akademisë së Shkencave, më 11 shtator. Në rendin e ditës së mbledhjes do të jetë “ngritja e komisionit të akademikëve për të gjitha çështjet e reformës institucionale në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, me mandat të plotë përfaqësimi dhe negocimi nga asambleja e akademikëve”. Në këtë mënyrë, sërish të hënën e ardhshme, në sallën “Aleks Buda”, akademikët do të mblidhen për të zgjedhur komisionin e posaçëm që do të trajtojë çështjen e reformimit. Në publik janë hedhur disa variante dhe opinione për mundësinë e ndryshimeve për të cilat ka nevojë Akademia e Shkencave, ndërsa qeveria nga ana e saj ka publikuar nëpërmjet ish-ministres Lindita Nikolla edhe veprimet e ndërmarra në kuadrin ligjor. 
Fuga: Komisioni, farsë e farsës
Akademiku Artan Fuga, një ndër kritikët kryesorë të punës së Akademisë, ka kërkuar dorëheqjen e të gjithë kryesisë. “Produkti i Akademisë të Shkencave sot është artificial, fiktiv dhe i padobishëm në një masë shumë të madhe, pa futur gjithçka në një kategori! Asnjë institucion nuk mund të shpërblehet për një punë të pabërë dhe me rezultat gënjeshtar!”, shprehet Fuga. Sipas tij, as loja me emrat e akademikëve të mëdhenj, as politizimi i çështjes, as manipulimet me emrin e Agollit të madh nuk legjitimojnë gjë. “Unë vazhdoj të them, se as nuk mund të nisi një proces i vërtetë reformimi, nëse paraprakisht nuk do të realizoheshin masat e menjëhershme: 1 – Dorëheqje e menjëhershme e të gjithë kryesisë të rizgjedhur; 2 – Administrim i përkohshëm i aparatit të Akademisë me kompetenca të kufizuara nga ana e sekretarit shkencor; 3 -Transparenca e plotë e pastërtisë të figurës të Akademikut sipas kërkesës të bërë nga Kryesia e kaluar; 4 – Auditim i përdorimit të burimeve njerëzore, materiale dhe financiare të Akademisë të Shkencave nga ana e organeve ministeriale dhe jo vetëm. Auditimi që duhet të inciohet nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, si edhe të kërkohet vetë nga Akademia e Shkencave është më se urgjent!”, thotë Fuga. Sipas tij, vetëm atëherë mund të konsiderohet ngritja e një komisioni të përkohshëm reformimi, mund të kishte vlerë dhe të niste një punë të pastër, të sinqertë, të thellë, dhe efikase! “Përndryshe farsa do të transformohej në një farsë të farsës!”, tha Fuga.
Sigal