Tërbohet shëndetësia, edhe gjakun e jep me koncesion

552
Akuzat dhe denoncimet e bëra për koncesionet në shërbimet mjekësore që sajon, shpall, financon dhe “dhuron” për klientët e tij ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja, shtohen edhe me një fakt tjetër skandaloz, që ka lidhje me një koncesion tjetër në miliarda lekë, që po jepet po në sektorin e shëndetësisë. Pas koncesionit të Dializës, të “Chek-up”, të projekt-koncesionit të laboratorëve e analizave mjekësore, të mbetjeve spitalore, të ushqimit, lavanterive në spitale, të parkingut në QSUT, të zhdukjes së urgjencës etj, sot në datën 24 maj 2016, lidhet kontrata për një koncesion tjetër në shëndetësi, që sipas informacioneve është “ideuar” e firmosur nga ministri Beqja. Ky koncesion jepet me këtë objekt: “Për kryerjen e testimeve me metodologjinë NAT për detektimin e HCV/HIV/HBV në gjakun e dhuruar pranë Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut”. Pra, sajohet koncesion për të kontrolluar gjakun që dhurohet, ose që blihet prej shtetti për nevoja mjekësore! Ky koncesion i mbyllur si “pazar” prej Ministrisë së Shëndetësisë është publikuar në “Buletinin e Prokurimeve Publike” Nr. 19, datë 16 Maj 2016. Ky prokurim, zyrtarisht është publikuar si tender shërbimesh kalimtare, njoftuar si procedurë tenderimi e shpallje fituesi. Në fakt, nuk është tender “rutinë”, por është koncesion mbasi ka shtrirje kohore prej 3 vitesh, ndërkohë që sipas ligjit, shërbimet jo koncesionare jepen me afat vetëm për 1 vit kalendarik, madje kufizuar brenda vitit kalendarik përkatës edhe nëse brenda vitit ka ngelur vetëm 1 muaj afat, duke mos kaluar as si fond e as si prokurim për vitin pasardhës! Në rastin konkret, kemi një koncesion jo vetëm antiligjor, por edhe të “çuditshëm” për nga objekti i shërbimit. Ky koncesion është në vlerën koncesion afro 1.7 miliardë lekë për 2 vite! Çfarë ndodh? 
Koncesion për kontrollin e gjakut, kur gjaku kontrollohet kur dhurohet e blihet!
Sipas këtij koncesioni, firma private “Pegasus Shpk” me NIPT J62903750A, shpallur “fituese” nga KVO e Ministrisë së Shëndetësisë, do të kryej një shërbim absurd, që nuk ndodh në asnjë sektor shëndetësie shtetërore në botë, madje as në vendet më të zhvilluar në këtë shërbim, nuk ka koncesione për të kontrolluar sigurinë dhe standardet e gjakut të kontrolluar e të futur në “Bankën e gjakut”! Por ky lloj koncesioni e shërbimi fiktiv është shpikur dhe sot në datën legalizohet me kontratë që lidhet midis Ministrisë së Shëndetësisë dhe firmës fituese të këtij koncesioni! Çudia është se është bërë koncesion 3 vjeçar me vlerë afro 1.7 miliardë lekë nga taksat e shqiptarëve për kontrollin e sigurisë dhe cilësisë së gjakut, kur gjaku kontrollohet përpara se të dhurohet e blihet edhe për cilësinë, edhe për sigurinë në lidhje me infeksionet që mund të mbart e përcjell! Por ja që për të zhvatur ca miliarda të tjera, sajohet një koncesion tipik hajdutëror, për të kryer një shërbim me “mbivendosje”, pra të shërbim që gjoja do verifikoj shërbimin. Ka një logjik edhe ligjore në lidhje me sigurinë dhe cilësinë e gjakut që dhurohet, blihet, depozitohet, mbahet në ruajtje e përdoret për pacientët, madje ka edhe kohë përdorimi e skadence! Për këtë proces paguhen nga shteti qindra mjekë, specialistë, këshilltarë ministri, ekspertë, laborantë e punonjës të tjerë që merren me “thithjen” dhe administrimin e gjakut për shërbime mjekësore njerëzore! Atëherë, përse duhet ky koncesion “i “çuditshëm”, që me miliardat e shtetit, kryen një shërbim që kryhet përditë nga punonjësit e Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, të cilët paguhen me buxhetin e shtetit? 
Po gjaku që dhurojnë në çast familjarët e pacientëve, si garantohet?
Ky shërbim i mbivendosur mbi një shërbim që kryhet realisht për kontrollin e sigurisë dhe standardeve të gjakut që dhurohet nga ata që shkojnë vetë në qendrat spitalore të gjakut, ose që e dhurojnë si sensibilizim nën çadra të ngritura rrugëve, po trumbetohet si “arritje e madhe”. Në fakt është falsitet, mbasi ka një stonim që zbulon këtë fiktivitet. Supozohet që firma fituese e koncesionit do të kontroll gjakun e kontrolluar që gjendet i depozituar në “bankat e gjakut”. Po, gjaku që dhurojnë në çast familjarë, shokët dhe dashamirësit e pacientëve, si do ta kontrolloj kjo firmë koncesionare, kur ai dhurohet, merret e përroet në moment tek pacienti e sidomos në rastet urgjente për nevoja gjaku, duke u kontrolluar vetëm prej laborantëve të spitalit me disa analiza rutinë?! Mjafton aplikimi i kësaj praktike, për të konfrimaur faktin që koncesioni i shpikur nga ministri Beqja dhe “firmëtarët” e tij është një fiktivitet, një “cek” afro 1.7 miliardë lekë që i zhvaten shtetit në formë “shërbimi modern” për sigurinë e gjakut që dhurohet, koncesion që “u pi” gjakun shqiptarëve në vlerën financiare sa kanë buxhetin vjetor 11 bashkitë Tepelenë, Përmet, Bulqizë, Malësi e Madhe, Kuçovë, Selenicë, Ersekë, Delvinë, Konispol, Has e Librazhd!
Shteti jep 38 milionë lekë për blerje gjaku, ndërsa për kontrollin e tij jep 1.6 milionë euro!
Përballë shifrës 1.6 milionë euro, skandali merr përmasa deri denigruese me nevojat për gjak që kanë spitalet shqiptare! Çfarë ndodh? Ministria e Shëndetësisë shpik e fut ën veprim një tender fiktiv për një shërbim fiktiv në shëndetësi me vlerë 1.6 milionë euro për kontrollin e sigurisë së gjakut! Por ka një shifër tjetër që tregon se “shqetësim” e ka ministria dhe shtetit këtë punën e gjakut në spitale. Konkretisht, ndërsa shteti jep afro 1.7 miliardë lekë për kontrollin e gjakut të kontrolluar, çuditërisht akordon një fond prej 38 milionë lekë në vit për blerje gjaku dhe shërbime dhurimi, depozitimi e ruajtje gjaku! Komenti nuk ka vend! 
vijon
—————————-
Njoftim fituesi, publikuar në “Buletini i APP” Nr. 19, datë 16 Maj 2016 
MINISTRIA E SHENDETESISE 
FORMULARI I NJOFTIMIT TË FITUESIT 
Për: “Pegasus Sh.p.k”, me NIPT J62903750A, 
Adresë: Tiranë, Rruga Siri Kodra, tek ish Frigoriferi, Nr. 149 * * * 
Përshkrim i kontratës: “Furnizimi i një sistemi për kryerjen e testimeve me metodologjinë NAT për detektimin e HCV/HIV/HBV në gjakun e dhuruar pranë QKTGJ”. 
Fondi limit në total: 139.800.000 (njëqind e tridhjetë e nëntë milion e tetëqind mijë) Lekë pa TVSH, vënë në dispozicion nga buxheti i shtetit: 
Afati dhe ndarja e pagesave, për dy vite:
1. Viti 2016 (Qershor-dhjetor): 48 milionë e 930 mijë lekë, pa 20% TVSH
2. Viti 2017: 69 milionë e 900 mijë lekë, pa 20% TVSH 
3. Viti 2018 (Janar-Maj): 20 milionë e 970 mijë lekë, pa 20% TVSH 
Fitues: “Pegasus Shpk” me NIPT J62903750A 
Oferta e ofruar: 138 milionë lekë, pa TVSH, ose 1.65 miliardë lekë!
Sigal