Teqetë e bektashinjve në Skrapar, bazë e rilindësve

1753
Sigal

SKRAPAR/Klerikët bashkëpunuan me patriotët e dhanë kontribut për shkollimin shqip e lirinë

Në Skrapar, teqetë e bektashinjve janë vlerësuar ndër dekada e shekuj jo vetëm si godina kulti, por njëkohësisht dhe si qendra, ku ka gjetur strehë atdhetarizmi. Kur shkon në Skrapar dhe takon të moshuar e rinj, ata të flasin me pasion të madh për historinë e traditat atdhetare të kësaj krahine malore, e cila shtrihet nga mali Ostrovicës, Qafa e Gjarprit, Mali Tomorit, Tenda e Qypit dhe Kokojkat e Frashërit. Të gjitha teqetë në këto zona, kanë histori të veçanta e shumë domethënëse në këtë aspekt.

OBJEKTET E KULTIT

Në Skrapar numërohen disa Teqe e Vakëfe të ndryshme, siç janë Teqeja e Backës, e Therepelit, Prishtës, Kulmakut, Kuçit, Frashërit, etj.. Referuar dokumenteve të kohës e rrëfimeve të vendasve, krerët e tyre  kanë bashkëpunuar vazhdimisht me rilindësit. Kështu, Teqeja e Backës u krijuar nga Baba Fetau rreth viteve 1870, me ndihmën e patriotit Petro Nini Luarasi. Kjo teqe që u ndërtua dhe u frymëzua dhe nga rilindësit e tjerë si: Mihal Grameno, Themistokli Gërmenji e vëllezërit Frashëri ndikoi shumë në luftën kundër pushtuesve turq. Kjo teqe bashkë me Teqenë e Frashërit, ku ishte Baba Alushi, u bënë çerdhe e krijimit të çetave si asaj të Sali Butkës, ajo e Backës, çeta e Çerçiz dhe Bajo Topullit. Midis Teqesë së Backës dhe asaj të Frashërit, me ndikim të patriotëve rilinda, koordinoheshin veprimet në të mirë të kombit.

Si bazë e Bektashizmit të asaj kohe ishin rilindësit Frashëri dhe teqeja e Frashërit. Në Teqenë e Frashërit janë bërë dy mbledhje të rëndësishme, ku janë diskutuar dhe koordinuar veprimet kundër turqve. Një rol të rëndësishëm ka luajtur Baba Fetau i Teqesë së Backës. Në Teqenë e Backës, në hyrje të sajë, u ndërtua simboli i Skënderbeut me shkabën dykrenore.

PËR SHKOLLIMIN

Po ashtu, me nismën e klerikëve e patriotëve, u hap shkolla e parë shqipe, ku u shkolluan e mësuan komandantët e ardhshëm e patriotët që dhanë dije e heroizëm për vendin. Në Teqenë e Backës kanë ardhur e janë strehuar çetat Koto Haxhit dhe Çerçis Topullit, të cilët koordinuan veprimet luftarake për përballjen luftarake me pushtuesit. Një bektashian tjetër, Dervish Iljazi ndihmoi në ndërtimin e urave, çezmave e objekteve të tjera për komunitetin. Më pas, po ky ka ngritur dhe Teqenë e Kulmakut, u bë gjithashtu një bazë e patriotizmit dhe atdhetarizmit. Në këtë teqe u krijua dhe çeta e parë e Skraparit me komandant Mestan Ujanikun. Bektashizmi dhe përfaqësuesit e saj në Skrapar kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm edhe në luftën Nacionalçlirimtare.