Tepelenë/ Identifikohet autori i grabitjes së bankës, policia vijon ndjekjen e tij

486
Sigal

Autori i grabitjes së bankës në Tepelenë nuk është arrestuar ende nga policia, ndonëse kanë kaluar rreth 3 orë nga ngjarja. Por në një reagim të dytë për mediat policia thotë se e ka identifikuar personin që sot pas dreke hyri në filialin e një banke të nivelit të dytë, megjithatë për shkak të sekretit hetimor identiteti i tij nuk bëhet me dije ende. Ja njoftimi i plotë i policisë.

Në vijim të informacionit për vjedhjen me armë në një filial të një banke të nivelit të dytë në qytetin e Tepelenës, ju informojmë se: Falë reagimit të shpejtë dhe profesional të Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër dhe Policisë lokale, në kohë reale është bërë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar të vjedhjes me armë.

Për arsye hetimi nuk bëhen me dije gjeneralitet. Policia është vënë në ndjekje të autorit, duke përdorur të gjitha format e metodat operacionale dhe hetimore për të bërë të mundur kapjen e tij.