Teoritë e sizmiologëve për tërmetin që tronditi Shqipërinë

679
Sigal

Pas tërmetit që goditi Shqipërinë në shtator, sizmiologët ishin violina e parë në media për të qetësuar qytetarët. Pas goditjes fatale të 26 nëntorit, ka qytetarë që thonë se prania e tyre nuk është shumë e madhe në media.

Në fakt ata kanë folur, por intensiteti i raportimeve ka qenë shumë i lartë dhe ata mund të mos jenë dëgjuar mirë.

Në kushtet kur tërmeti është diçka që nuk parashikohet, ka shumë njerëz që pyesin se cili është qëndrimi i ekspertëve për atë që ndodhi. Mbi të gjitha, a priten sërish lëkundje të rrezikshme?

Për ta nisur nga jashtë, sizmiologu italian Alessandro Amato thotë se tërmeti që goditi Shqipërinë kishte një forcë të tillë që mund të shkaktonte 300 viktima.

Ai thotë se toka do të dridhet për muaj dhe vite.

Kurse në Greqinë fqinje, sizmiologët kanë të tjera tone. Ata thonë se lëkundja ishte shumë e fuqishme, por shkak për pasojat në njerëz janë ndërtimet e dobëta.

Ndërsa Daily Mail citon Shërbimin Gjeologjik Amerikan, që thotë se një tërmet i kësaj shkalle ka potencialin për të shkaktuar viktima.

Për t’u rikthyer në terrenin shqiptar. Sizmiologu Shyqyri Aliaj thotë se nuk mund të parashikohet ajo që do ndodhë. Por ai thotë se ky tërmet ishte më i dobët se ai i prillit të vitit 1979, pasi ai ishte shkatërrues me një fuqi deri në 10 ballë në epiqendër.

Kurse sizmiologu Rrapo Ormeni thotë se fuqia e tërmetit të djeshëm mund të ketë qenë deri në 8 ballë. Sipas tij, ai goditi atë që njihet si Zona e Zjarrit, në këtë rast rajoni i Durrësit.

“Ky tërmet ka rënë në zonën e zjarrit, që karakterizohet nga tërmete të fuqishme. Pasgoditjet vijojnë dhe siç dihet, edhe një goditje e vogël shkakton panik”, tha ai.