Tenderi ”Pollo” u quajt “i vlefshëm”, por kontrata “Harito” është pavlefshme mbasi nuk e ka firmosur Këshilli Drejtues i RTSH

557
Këto ditë, gjendemi përballë faktit që Prokuroria e Përgjithshme ka rihapur dosjen e tenderit koncensionar të dixhitalizimit të Radio-Televizionit Shqiptar (RTSH), dosje e mbushur me elementë të plotë korruptiv e procedura antiligjore, me objekt abuzimi vlerën 23 milionë euro fonde publike, të tenderuar për koncesionin “Financim, dizajnim, instalim, trajnim dhe transmetim të frekuencave të RTSH, në një sistem dixhital (DVB-T2)”. Kjo dosje u rihap 6 ditë më parë, referuar depozitimit të denoncimit të bërë në prokurori në datën 3 maj 2013, prej 2 deputetëve socialist Taulant Balla e Alfred Dalipi, kundër ministrit të Inovacionit Genc Pollo, si personi, shtetari dhe autoriteti zyrtar që ka urdhëruar dhe realizuar gjithë procedurat tenderuese të këtij koncesioni! 
Tenderi u quajt “i vlefshëm”, por kontrata “Harito është pavlefshme mbasi nuk është firmosur nga Këshilli Drejtues i RTSH
E ndërsa prokuroria e ka rihapur dosjen në kuadër të dekriminalizimit dhe ndëshkimit të krimeve të shtetarëve e ish-shtetarëve, qeveria “Rilindja” e ka mbyllur këtë dosje, duke u tërhequr nga padia e bërë afro 30 muaj më parë, ose 2 muaj përpara se të fitonte zgjedhjet e 23 qershorit 2013. Më saktë, për qeverinë “Rilindja” kjo dosje nuk ekziston më mbasi dy deputetët e kanë tërhequr padinë si “luftë, nxitje dhe nxitim politik”. Njoftimi publik për tërheqjen e denoncimit dhe anulimin e procesit gjyqësor të nisur për këtë tender, qeveria “Rilindja” e njoftoi me deklaratë shtypi nëpërmjet ministres së Inovacionit Milena Harito, bërë në datën 5 mars 2015, duke cilësuar tenderin… “me urdhër ligjor, transparent, pa asnjë shkelje procedurash, me leverdi financiare për shtetin, bërë konkurrim të hapur, me fitues të merituar”. Troç, 14 muaj pas ardhjes në pushtet dhe 16 muaj pas denoncimit në prokurori qeverisja e PS e “u ktheu pllakën, duke mohuar e “pastruar” krimin financiar të ish-ministrit Genc Pollo, që me një firmë e vulë, përlante 23 milionë euro fonde publike. 

Paçka se e kishin çuar në prokurori për ndjekje penale, më 23 qershor 2013, pas ardhjes në pushtet, tenderi nuk u ndëshkua e nuk u anulua, por u firmos nga qeveria “Rilindja” dhe u blindua me favore tjera abuzive e antiligjore në interes të firmës që u shpall fituese prej ish-ministrit Pollo, me abuzime e klientelizëm. Kontrata është firmosur sipas një tenderi të zhvilluar 30 muaj më parë dhe çmimet e referencës për pajisjet dixhitale kanë qenë të vitit 2013, në një kohë që sot këto pajisje, për shkak të zhvillimit teknologjik, mund të gjenden me një vlerë të paktën me çmim 20-30% më lirë, por që do të paguhen me çmim 20-30% më shtrenjtë nga taksat e shqiptarëve. Por ka një shkelje të rëndë të ligjit, lidhur me vendimet për përdorjen e buxhetit të RTSH: Sipas ligjit për Radio-Televizionin Publik Shqiptar, çdo kontratë që firmoset në emër të RTSH-së mbi vlerën 5% të buxhetit vjetor të saj, për t’u konsideruar ligjore dhe e zbatueshme, duhet të marrë më parë miratimin e Këshillit Drejtues të RTSH. Në rastin konkret, vlera e kontratës e kalon vlerën 5% të buxhetit dhe për këtë duhet miratimi i Këshillit Drejtues të RTSH, por në momentin e nënshkrimit të kontratës prej ministres Harito, RTSH nuk ka pasur as këshill Drejtues e madje edhe drejtor të komanduar vetëm për… 3 muaj! 
Ja 4 privilegje abuzive e antiligjore, shtuar në kontratë në favor të firmës 
Kontrata për dixhitalizmin e RTSH, nënshkruar në datën 19 mars 2015, prej Ministres së Inovacionit dhe Administratës Publike, zonjës Milena Harito, me Drejtorin e Përgjithshëm të RTSH, zotin Martin Leka dhe me përfaqësuesin e firmës gjermane “Rohde&Schëartz”, ishte një “pazar tjetër korruptiv, mbasi ndryshe nga përcaktimet ofertuese të shërbimeve e kostove të parashikuara në tenderin e shpallur, firmës gjermane iu krijuan edhe favore të tjera, ose më saktë përfitime shtesë dhe privilegje në kryerjen e investimit me “marifete” përfituese në aspektin financiar dhe të drejtat e ushtrimit të koncesionit për dixhitalimin. Pa bërë komente, po publikojmë me fakte e argumente, privilegjet shtesë që qeveria “Rilindja” i ka bërë në kontratën “Harito”, firmës klienteliste që u shpall fituese me tenderin “”Pollo” dhe që “u bekua” me heshtjen dhe pazarin e qeverisë “Rilindja”. 

1. Kontrata “Harito”, krijon këtë privilegj: Meqë Radio-televizioni Shqiptar dhe shteti shqiptar si pronar i këtij enti publik, (gjoja) nuk i kanë “në dorë” 23 milionë euro për të paguar menjëherë firmën “Rohde&Schëartz” për shërbimin e kryer, RTSH duhet të marrë kredi bankare në këtë vlerë për të bërë pagesën. Kërkohet, që qeveria të japë një garanci për të shlyer ajo detyrimin, në rast se nuk e shlyen dot RTSH, pra të paguhet nga taksat e shqiptarëve. 
2. Kontrata “Harito”, krijon këtë privilegj: Kompania e shpallur fituese nga ministri Pollo, denoncuar si përfituese mafioze prej PS gjatë opozitës dhe e njohur fituese nga “Rilindja” pas ardhjes në pushtet, të mos paguaj taksën TVSH të blerjeve, investimeve, shërbimeve e fitimeve, por këtë taksë ta paguaj Radio-Televizioni Shqiptar e po kështu RTSH të paguaj edhe gjithë taksat doganore për materialet që do të importohen nga firma “Rohde&Schëartz”, gjoja sipas qeverisë shqiptare, se “kjo është në ndihmë të realizimit me sukses të projektit prej firmës gjermane”, vlerë totale e cila shkon në 4.6 milionë euro.
3. Kontrata “Harito”, krijon këtë privilegj: Firma huaj fituese e tenderit të dixhitalizimit, ka të drejtë të bëjë edhe një ndarje të pagesave sipas projekteve të saj. Si fillim, RTSH duhet të paguajë paradhënie 3.23 milionë euro brenda dy javësh nga nënshkrimi i kontratës nga data 19 mars 2015). Shuma e mbetur prej 18.33 milionë euro, do të paguhet nëpërmjet një “formule”, sipas së cilës 65% e faturave duhet të paguhen nga RTSH në momentin kur një pajisje e caktuar vendoset në magazinat e Radio-Televizionit Shqiptar, ndërsa 35% e vlerës do të paguhet kur ajo të vendoset në vendin e parashikuar (fjala është për antena, ripertitorë etj).
4. Kontrata “Harito”, krijon këtë privilegj: Firma e huaj e shpallur fituese nga ministri Pollo dhe e njohur fituese nga qeveria “Rilindja”, lejohet që nga 1 janari 2018 e në vazhdim, të rrit çmimet e pjesëve të këmbimit, me një ndryshim të pranuar në masën 5% për çdo vit. 
Vetëm me këto kushte të plotësuara nga shteti shqiptar dhe RTSH, firma “Rohde&Schëartz”, ka të drejtë të pranojë të fillojë investimin me dy faza: Në fazën e parë, për të mbuluar me teknologji dixhitale transmetimet televizive në masën 85% të popullsisë. Ndërsa në fazën e dytë, për të arritur të mbulojë me teknologji dixhitale, transmetimet televizive në masën 96.5% të popullsisë, masë që është dhe mbyllja e investimit.
Sigal