Tenderët vazhdojnë, më 10 korrik janë shpallur 432 procedura me vlerë 32 miliardë lekë

595
Përparim HALILI
Hidhet në kosh VKM nr. 482, datë 5 korrik 2017, po shpërfillet nga drejtuesit shtetërorë dhe Agjencia e Prokurimeve Publike (APP)
Kryeministri Rama, në datën 5 korrik 2017, ka shpallur VKM Nr. 482, me të cilin ka bllokuar zhvillimin e tenderëve me fondet publike, duke detyruar ligjërisht institucionet qendrore, që të urdhërojnë institucionet dhe shërbimet vartëse të tyre në qendër e prefektura, për të “ngrirë” gjithë procedurat e tenderëve, përveç atyre që kanë lidhje me investime blerje për për shërbime të domosdoshme emergjente në polici, mjekësi e ushtri! Ky bllokim tenderësh është bërë me afat të përkohshëm, por të pa caktuar konkretisht. Pra, VKM nr. 482, datë 5 korrik 2017 është ende në fuqi dhe duhet zbatuar nga institucionet shtetërore. A po zbatohet ky vendim? Ndërkohë që po merret me emra zyrtarësh të denoncuar nga “populli” për raste të para 4-5 viteve, kryeministri Rama nuk po shikon që 5 ditë pas shpalljes së VKM për bllokimin e tenderëve, “nën hundën e tij”, poshtë dyshemesë së zyrës së tij në selinë e kryeministrisë, Agjencia e Prokurimeve Publike (APP) e cila varet direkt prej tij, po shkel hapur këtë vendim të firmosur prej tij, duke pranuar e shpallur tendera. Ky skandal është bërë institucionet dhe shërbimet shtetërore që kanë lejuar e zhvilluar tendera edhe pas hyrjes në fuqi të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 482, datë 5 korrik 2017. Shkelja e këtij vendimi është mbështetur hapur e zyrtarisht edhe nga “Agjencinë e Prokurimeve Publike (APP) e cila ka njohur dhe ka shpallur zhvillimin e tyre. Kujtojmë, që Agjencia e Prokurimeve Publike (APP) është institucion që emërohet, shkarkohet, urdhërohet dhe monitorohet vetëm nga kryeministri dhe e ka zyrën brenda në kryeministri. Çdo javë, APP dërgon në zyrën e kryeministrit, një kopje të buletinit për verifikim paraprak të tenderëve që do të shpallen! Nuk e dimë, nëse e ka parë apo jo kryeministri “Buletinin e Prokurimeve Publike” nr. 27, datë 10 korrik 2017, të botuar 5 ditë pas VKM nr. 482, datë 5 korrik 2017 që bllokon zhvillimin e tenderëve me fondet publike, por dimë faktin që ky buletin është mbushur “kapicë”, me tendera që bien ndesh me vendimin “Rama”! Konkretisht, në “Buletini i Prokurimeve Publike” nr. 27, datë 10 korrik 2017, janë shpallur 432 procedura prokurimi tenderësh, me vlerë 32 miliardë e 894 milionë lekë. Po në këtë buletin, në kundërshtim të plotë me vendimin e këshillit të Ministrave të datës 5 korrik, janë rishpallur edhe shumë tenderë që janë anuluar për shkaqe të ndryshme, ku kryesor është prishja e pazareve mes drejtuesve e firmave, por edhe shtimi fiktiv i vlerave të fondeve limit të investimeve, shërbime e blerjeve, duke i paraqitur ato si “të llogaritura gabim”.

Disa nga tenderët e shpallur, pas vendimit për bllokim
1. Bashkia Vlorë: Tender 120 milionë lekë, me objekt “Përmirësimi i kushteve te banimit për komunitetin rom dhe egjiptian”
2. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU): Tender 750 milionë lekë për riparimin e zyrave
3. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU): Tender 13 milionë lekë për riparimin e automjeteve
4. Bashkia Selenicë-Vlorë: Tender 313 milionë lekë, për riparim të pjesshëm të kanalit dalës, të rezervuarit Harvalas
5. Bashkia Kukës: Tender 16 milionë lekë, për blerje bojë printeri
6. Ministria e Mbrojtjes: Tender 312 milionë lekë, për blerje pjesë këmbimi për veturat e zyrtarëve
7. Korporata Elektro-energjetike Shqiptare (KESH): Tender 360 milionë lekë, për blerje mjeti multi-funksional
8. Këshilli i Qarkut Dibër: Tender 30 milionë lekë, për riparimin e sallës se mbledhjeve
9. Zyra Qendrore e Regjistrimit Pasurive të Paluajtshme: Tender 150 milionë lekë, për mobilim zyrash
10. Këshilli Qarkut Durrës: tender 70 milionë lekë për zbukurim të zyrës së mbledhjeve, me letër murale
11. Agjencia Kombëtare e Turizmit (AKT): Tender 220 milionë lekë, për realizimin e turit “Shqipëria ime turistike”
12. Drejtoria e tatimeve: Tender 248 milionë lekë, për blerje pajisje “Backup Site”
13. Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit: Tender 480 milionë lekë, për rikonstruksionin e Amfiteatrit në Liqenin e Tiranës.
14. Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit: Tender 168 milionë lekë, për furnizim me karburant dhe vaj automjetesh
15. Bashkia, Patos: Tender 13 milionë lekë, për blerje pajisje kompjuterike
Sigal