Tenderat në Shëndetësi/ Open Procurement Albania publikon të dhënat, 1 miliardë lekë janë dhënë vetëm 1 konkurrenti në garë

606
Sigal

Çfarë po ndodh me tenderat te Ministria
e Shëndetësisë? Open Procurement Albania publikon të dhënat interesante ku gati
1 miliardë lekë të buxhetit të shtetit, për paisjen e spitaleve me ilaçe janë
fituar nga firma që kanë një konkurrent të vetëm. 

 Bëhet fjalë për tendera të
drejtorive të spitaleve dhe në gjithë vendin. 

“Bëhet fjalë për tendera
që kanë vetëm 1 konkurrente. Tenderat me një konkurrent apo negociimet e
drejtpërdrejta janë procedura të ligjshme, por që shpesh përkojnë me situata të
ekspozuara dhe me rrisk për pabarazi dhe korrupsion në prokurime. Ose kriteret
e tenderave bëhen vetëm që ti plotësojnë firma të caktuara, ose ka dyshime për
korrupsion. Ndryshe nuk ka si shpjegohet ndryshe” thonë ekspertë të Open
Procurement Albania.

E kur pyeten se mos janë
vetëm këto firma që sjellin ilaçe, prapë ekspertët vlerësojnë si të padrejtë
këtë pretendim.

“Gara quhet cilësore kur
ka konkurrencë. Nëse do të ishte ndryshe, kanë praktikën e negociimit, ku 1.5
miliardë lekë, apo 37 përqind e kontratave të lidhura, nuk janë tenderuar fare,
por janë bërë me negociim. Ndërsa bërja e tenderit me një konkurrent hedh hije
dyshimi” thonë ekspertët e Open Data Albania.

Diferenca ndërmjet Fondit
Limit dhe Ofertës së Shpallur Fituese  është 6.1 % e fondit të vënë në
dispozicion.  Kjo diferencë tregon cilësinë e konkurueshmërisë, dhe
eficensën buxhetore përmes prokurimeve.

Kjo diferencë, përkon me
para të kursyera si rezultat i konkurrencës dhe ofertimit më të mirë ekonomik.

Përmes procedurës Negocim
i Drejtpërdrejtë, procedurë kjo pa garë, janë lidhur kontrata me një vlerë 1.55
miliard Lekë.

Kjo vlerë është 24.5% e
totalit të Vlerës së Ofertuar, thënë ndryshe Vlerës së Kontratës.

Me konkurrent të vetëm në
garë, janë realizuar 1 260 procedura, me vlerë oferte 1.04 miliard Lekë që
përkon me 16.5 % të vlerës totale të ofertave. 4.9% e vlerës së kontraktuar
përkon me Punë Publike (investime), 25.4% e vlerës totale janë Shërbime, 69.6 %
janë Furnizime Publike dhe pjesa  e mbetur janë Marrje me Qira dhe
Shërbime Konsulence.

Për vitin 2016 janë rreth
5000 kontrata të drejtorive rajonale spitalore që janë përfshirë në procedura
tenderuese ose negociimi.