“Tenda e Trimave”

730
Gjithkush sot nuk e ka të vështirë të konstatojë se beteja e Tendës së Qypit është “arkivuar” prej vitesh. Dhe ziejnë tregimet dhe episodet ndaj saj, nga përfaqësues të “panteonit të rralluar” të veteranëve, bashkëluftëtarëve. Kemi pasur privilegjin të lexojmë kujtimet e Orhan Frashërit pjesëmarrës në betejën e Tendës së Qypit, kur thotë se magjia e kohës së Luftës, shkathtësia e grupit të tretë partizan të Skraparit dhe dy batalioneve të Brigadës së Parë sulmuese ishin si lava e vullkanit në betejën kundër nazistëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre. Ato të rrëmbenin, të mbushnin kraharorin, të bënin për vete… Dy data historike do të mbeten gjatë në memorien e njerëzve të kësaj krahine. 15 janar 1944 dhe 20 janar 1944; para, formimi i Grupit të tretë partizan të Skraparit dhe e dyta beteja e Tendës së Qypit kundër gjermanëve. Dy përvjetorë, një ideal, një qëllim, I njëjti heroizëm, beteja kundër pushtuesit. Grupi partizan i Skraparit përbëhej nga djem të rinj. Në krye kishin komandantin e grupit, trimin Zylyftar Veleshja, s`mund t’i linte vetëm ata djem të rinj. Komandanti vazhdoi të komandojë partizanët e grupit, të cilët i priste një provë e madhe, me datën 20 janar, do ishin ballë për ballë me gjermanin. Nazistët gjermanë zbritën nga gryka e Dëvrisë dhe u vendosën në Çorovodë. Të shumtë në njerëz e në armatim që ngjanin si një gjarpër i hekurt dhe e nxinë Çorovodën. Aq ushtarë gjermanë dhe makineri lufte nuk kishte mbajtur kurrë Çorovoda e vogël. Toka rënkonte nga nazistët me helmeta dhe automatikë. Ata sulmuan me të gjithë llojet e armëve pozicionet e partizanëve. Dëgjohet zëri i komandantit të grupit Zylyftar Veleshja, ai ishte zëri i kushtrimit, zëri i zemrës. “Të mos lëshohen pozicionet!” E u bë ajo përleshje e tmerrshme. Gjaku u derdh pa llogari. U plagos rëndë edhe komandanti, por ai nuk u tërhoq, u bë më trim. Më pas u plagos edhe komisari i grupit Iljas Sevrani për të mbetur gjithmonë invalid. E çuditshme, edhe pse drejtuesit e grupit u plagosën, grupi nuk pati tkurrje, lufta vazhdoi me intensitet. Mitralozi i Vaip Gogos nuk reshti asnjë çast. Në ndihmë vjen komandanti i Brigadës së Parë, Mehmet Shehu me dy batalione që menjëherë u hodhën në sulm, u bë një përleshje e madhe trup më trup. Dhe lanë në atë betejë disa djem nënash. Edhe pse ishte acar dhe dëborë u ndez pylli nga predhat. Aty lanë një pjesë të gjakut edhe partizanë që u plagosën. Por edhe gjermanët lanë në këto male gjakun e tyre, pësuan shumë dëme në njerëz e në bazë material, por më shumë ata u vranë moralisht, sepse u tërhoqën nga kjo betejë të turpëruar. Por ne na duket sikur edhe dëshmorët na flasin e na tregojnë për ato themele veprash që u ngritën mbi gjakun e tyre të pastër. Me gjakun e tyre u ndërtua Shqipëria. Kjo betejë e lavdishme e Tendës së Qypit vjen tek ne si jehonë e 74 viteve më parë dhe sa më tepër t’i afrohemi asaj jehone, hyjmë në vallen e plumbave, bëhemi njësh me gjëmimet. Qëndrimi ndaj veprës së lavdishme të luftëtarëve për liri, aq më tepër të dëshmorëve, përbën një vijë ndarëse midis atyre që pritën armikun me “flamur të bardhë” apo u strukën nën “ombrellën e madhështisë” së tij dhe popullit liridashës që asnjëherë nuk e pranoi robërinë. Trimave që ranë në betejën e përgjakshme të Tendës së Qypit, iu ka vdekur trupi, por jo ideali dhe nderimi për ndjenjën e detyrës që demonstruan. Ata ishin dhe mbetën idealistë të kulluar. Çfarë do mund të thuhet për Haki Borizanin e brigadës së Parë që plumbi i shpoi fytin dhe ai i vuri gishtin plagës dhe i binte borisë që hodhi forcat partizane në sulme deri sa i doli shpirti. Ai mbetet një kurorë e krenarie shekullore. Në tregun e lirë të demokracisë nuk kanë munguar e nuk do të mungojnë batakçinjtë politikë, madje edhe mediatikë. Por gjaku i dëshmorëve, as nuk shitet dhe as nuk blihet dot. Ai është në themelet e Shqipërisë sonë. Për ta mund të flitet vetë me respekt për veprën e tyre sublime: Bukur djema e çuat nderin e Shqipërisë sonë lart e më lart! E nuk i dëgjuat porositë që jepte Mitat Frashëri kur porosiste: “Nazistët gjermanë pritini me lule, si vëllezër”. Por si mund të quheshim vëllezër ata kur në Vlushë të Skraparit masakruan dhe vranë njerëz të pafajshëm pleq, gra dhe fëmijë, jo pak, po 22 vetë në Krushovë. Gjermanët nuk ishin miq që të priteshin me lule siç porosiste Mitati i Ballit. Në atë betejë të përgjakshme, e cila ishte një ngjarje kulmore për historinë dhe fatet e kombit u vu në provë zgjuarsia, trimëria, atdhedashuria dhe gatishmëria për t’u përgjigjur kërkesave të kohës. Së pari, kërkohej ta përdornin ata të tjerët, dhe ndeshja me gjermanët u bë e rreptë dhe e përgjakshme. Në këto luftime spikati me gjithë madhështinë e bashkëpunimi i ngushtë i forcave partizane dhe çetave vullnetare dhe vetë populli i krahinës. Ata do të kujtohen brez pas brezi si dëshmi e një kohe të lavdishme ku ata nuk kursyen asgjë për liri. Dhe populli nuk e kujton vetëm si Tenda e Qypit, por “Tenda e trimave”.

Sefedin METHOXHA


Sigal