“Telegraf” i rikthen Korçës, vlerat tradicionale të celebrimit të Flamurit Kombëtar. Korça: Faleminderit “Telegraf!”

765
Sigal

Për herë të pare, pas 20 e ca vitesh, ceremoni për Flamurin Kombëtar, edhe në Xhami

Myftiu i Korçës, Haxhi Qazim Muçi, fiton sfidën. Mungojnë përfaqësuesit e Partisë Demokratike

 Për herë të parë pas 20 e ca vitesh demokraci edhe në Xhaminë e themeluesit të Korçës, Iljaz bej Mirahori u zhvillua ceremonia e celebrimit të ngritjes së Flamurit Kombëtar. Përfaqësues të qeverisjes vendore: kryetari i Bashkisë Korçë, Sotiraq Filo, prefekti i qarkut Korçë, Ardit Konomi, kryetarja e Këshillit të Qarkut Korçë, Irena Nika, drejtues institucionesh e të tjerë u bënë pjesë e ceremonisë së celebrimit të Flamurit Kombëtar, të organizuar në Xhaminë e Madhe nga Myftiu i Korçës, Haxhi Qazim Muçi. Vërtet ishte një ceremoni e shkurtër, (sepse nuk kishte qenë e parashikuar në protokollin zyrtar të Bashkisë), por megjithatë qe mjaft drithëruese për të gjithë banorët e “Kasabasë”, (lagjet e vjetra të qytetit të Korçës). Askush prej tyre nuk e priste të ndodhte kështu. Për 20 e ca vite me radhë ata kishin mbetur të mënjanuar, të anashkaluar dhe të shpërfillur. Bashkia nuk i bënte pjesë të programit protokollar të saj. Sigurisht, jo të gjithë patën fatin të mësonin lajmin se në Xhaminë e Korçës do të celebrohej ngritja e Flamurit Kombëtar, sepse gjithçka kishte qenë e paparashikuar, por ata që e morën vesh u ndjenë vërtet të lumturuar. Do të mbetet një ditë e paharruar. Pati të moshuar që nuk dinin si të shpreheshin e të thoshin fjalë të gëzuara, veçse përpiqeshin të fshihnin pikën e lotit që rrekej t’u dilte prej syrit. Dhe të gjitha këto janë të vërteta.

 Faleminderit “Telegraf!”

E vetmja fjalë që dilte prej shpirtit të tyre ishte: Faleminderit “Telegraf!”. Dhe vërtet nuk ka gjë më të rëndësishme për njeriun kur ndihet i barabartë me të tjerët. Tashmë askush nuk ka asnjë dyshimi se vitin e ardhshëm në Xhaminë e Madhe të themeluesit të Korçës, Iljaz bej Mirahori, do të marrë pjesë gjithë Korça e do të festohet ashtu si dikur në vitin 1912, kur flamuri u ngrit për herë të parë në Vlorë, ku festimet mbaronin vetëm në mëngjes. Ndaj urimi special i tyre ishte: Faleminderit “Telegraf!”. Shumë njerëz bashkë me “Telegrafin” në dorë shkonin për të uruar Myftiun e Korçës, Haxhi Qazim Muçi. Vetë “Telegrafi” i 28-Nëntorit kishte një dizenjim special. Në kopertinën e tij shkëlqente ngjyra e kuqe e Flamurit, ndërsa në brendësi mund të shpalosej botimi i posaçëm e i përzgjedhur enkas për këtë ditë të veçantë. Gazeta fliste edhe për atë që pritej të ndodhte në qytetin e Korçës: Celebrimin e Flamurit Kombëtar në Xhaminë e Madhe të qytetit. Dhe ajo që pritej ndodhi. I pabesueshëm mbeti vetëm fakti se përse drejtuesit e Partisë Demokratike nuk u bënë pjesë e ceremonisë në Xhami. Arsyet nuk i dimë. Ndoshta kështu do të jenë orientuar nga Tirana. Gjithsesi, ata mund t’i shpjegojnë shumë mirë cilat ishin arsyet që i penguan të hynin në Xhaminë e Korçës dhe kjo do të ishte një gjë e mirë, sepse me banorët e “Kasabasë” nuk mund të takohen vetëm kur u duhen votat.

 

Pse “Telegrafi” 

E vërtetë, gjithë urimet shkuan për gazetën “Telegraf” dhe myftiun e Korçës. Pse? Nëse kjo gazetë nuk do të kishte publikuar atë çka po ndodhte në qytetin e Korçës, ku flamuri celebrohej vetëm në Kishë dhe jo në Xhami, edhe këtë vit banorët e komunitetit mysliman do të kishin mbetur po aq të lënduar sa 20 e ca vite me radhë, sepse përsëri drejtuesit e Bashkisë Korçë nuk e kishin programuar që pjesë e ceremonisë për nderimin e Flamurit Kombëtar të ishte edhe Xhamia. Gjithçka u bë e mundur vetëm në sajë të “Telegrafit”. Sigurisht, edhe Myftiu i Korçës, Haxhi Qazim Muçi, pas një pritje të gjatë prej 20 e ca vitesh, më në fund kishte vendosur të dilte hapur me sfidën e tij. Drejtuesve të bashkisë Korçës, por edhe gjithë drejtuesve të institucioneve të tjera do t’u drejtohej me ftesën: “Ejani në Xhami, do të celebrojmë ngritjen e Flamurit Kombëtar!”. Ftesa do të ishte publike edhe te gazeta “Telegraf”. Pas kësaj, u mbetej titullarëve të institucioneve të bënin zgjidhjen që dëshironin, ashtu sikurse zgjodhi Partia Demokratike, njerëzit e së cilës pas ceremonisë në Kishë, preferuan të shkojnë gjithkush në shtëpi të vet. Sigurisht të qëndrosh në shtëpi, ndihesh vërtet komod.., megjithatë, pavarësisht nga të gjitha këto, sot për Korçën ishte një ditë e veçantë dhe e tillë ka për të mbetur.

 Kujtime të shkuara

Më të moshuarit patën rastin të kujtonin vitet e shkuara, tregimet e etërve të tyre, kur ushtria greke hyri në Korçë, hoqi flamurin shqiptar dhe ngriti atë grek. Këto ngjarje kanë mbetur të shkruara edhe në shtypin e kohës. Ja çfarë thuhet konkretisht: “Nga ditët e kaluara plot shënime, është dhe një ditë për të shënuar e për të mbajtur në kujtim përjetë ndër faqet të historisë tonë të zezë, (ngritja e flamurit grek në Korçë). Një mëngjes, gdhihej e premte, kur tërë qarku i Korçës, i asaj Korçë bukuroshe, po i binte drita e diellit të shkëlqyer që arrinte prej majave të qytetit, atij qyteti jetik dhe plot idera për ndërtimin e kësaj bije të Shqipërisë, Korçës. Gjithë natyra po nënqeshte ndën shkëlqimet e ndriçme dhe të sermajta të diellit. Dielli, tjetër dritë hapte, në rrëzat dhe bregoret e Korçës natyra tregonte bukurirat më të ëmbla që ajo Korçë nuk i kishte parë asnjëherë….” . Kështu e përshkruan Korçën, korrespondenti I gazetës Koha, të mrekullueshme e të bukur si zonjë, por ai nis të pësojë zhganjimin e madh: “Kur dëgjojmë tellallin, – shkruan ai,- që thërret dhe thotë, sot do të ngrihet flamuri ynë, të vijnë të gjithë qytetarët, u çudita, cili flamur do të ishte ay!… “ “…Populli si i mahnitur ishin mbledhur përpara shtëpive të Ali Qytezës dhe kur shoh të ngrihhet flamuri grek ndë cep të shtëpisë, ndë atë vend që ka qenë djepi i lëvizjes kombëtare. E mjera Korçë… pati fatin e zi… të arrijë këtë ditë kaq të mërzitur…”. (Gazeta “Koha” Jamestown NY, 13 maj 1915).

 Mot më bukur!

Sigurisht nuk ka vend për asnjë paralelizëm, por kujtimet mbeten kujtime. Ato vijnë dhe ikin në çaste të caktuara për t’u shfaqur dhe rishfaqur në kohë të ndryshme. Flamuri për shqiptarët është gjëja më e shenjtë e tyre që ata kanë, ndaj nuk mund t’i ndash dot kurrë prej tij. Tashmë pritet që vitin tjetër ceremonia të jetë edhe më e madhe, edhe më e bukur, edhe më madhështore, ku besimtarët e qytetarët do të jenë më të shumtë. Ka mundësi të mos mungojë as Partia Demokratike. Gjithsesi ajo do të ketë gjithnjë qëndrimin e vet, qoftë sot, qoftë nesër. Megjithatë, gjithnjë do të kujtohet dita se si pas 20 e ca viteve edhe Xhamia e Korçës u bë pjesë e festimeve të Flamurit Kombëtar. Madje ishin të gjitha këto arsye që Myftiu i Korçës, me lumturinë e tij që nuk e fshihte dot, priste me kënaqësi urimet që i vinin nga njerëzit e këtij qyteti. “Mot më bukur!”- ishte përgjigjja e tij. Të njëjtin urim merrte edhe nga njerëzit.

Vepror Hasani