Teatri Kombëtar është “Jerusalemi i artistëve”, kryqëzatat duan ta mbysin

591
Fjalim rrëqethës i aktorit të madh, Robert Ndrenika, në takimin e përjavshëm të artistëve kundër shembjes së godinës 
Artistët shprehen të vendosur të mos lejojnë shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar dhe si çdo të hënë ata janë grumbulluar për të ngritur zërin. Ashtu siç ishte paralajmëruar, në takimin e djeshëm kanë marrë pjesë edhe deputetë e anëtarë të këshillit bashkiak të kryeqytetit, përfaqësues të opozitës. Gjatë takimit në Teatrin Eksperimental, artistët janë shprehur sërish kundër prishjes së godinës së këtij institucioni, por për restaurimin e tij. Aktori dhe Artisti i Popullit, Robert Ndrenika tha se më e shenjta nga të gjitha është toka e këtij teatri. Ai tha se Teatri Kombëtar është “Jerusalemi’ i artistëve të cilin duan ta mbysin kryqëzatat”. Ndrenika tregoi se ishte takuar edhe kryetarin e bashkisë së Tiranës dhe e kishte pëlqyer idenë e tij për një godinë të re, por me kushtin që të konsultohej me aktorët dhe arkitektët. “Nuk di të jetë konsultuar. Një arkitekt më tha, ajo që pashë nuk vlen as për teatër të Lezhës, por unë si minimalist e pranova. Duhet të jenë në diskutim edhe prishja, edhe ndërtimi, të bëhet një teatër i mirë që të rrojë 500 vjet”, u shpreh Ndrenika. Edhe një herë ai e vuri theksin se territori ku ndodhet Teatri Kombëtar në qendër të Tiranës. “Unë mendoj që toka e këtij teatri është më e shenjta. Ky është Jerusalemi ynë, të cilin duan ta mbysin “kryqëzatat”. Tani për ne që kemi nga 70-80 vjet këtu, nuk është gjynah që të vijnë 3-4 biznesmenë dhe ta marrin e ta shesin këtë tokë me 10 mijë euro?! Kjo nuk ka logjikë. Prandaj ne të mbrojmë tokën se kjo është e jona, e komunitetit”, tha Ndrenika.

Pak ditë më parë, artistët nisën mbledhjen e firmave për shpalljen “Kompleks monument kulture” për godinat e Teatrit Kombëtar dhe Teatrit Kombëtar Eksperimental. Pas 16 vjetësh, në sheshin e Teatrit, rifilloi mbledhja e firmave për shpalljen e TK dhe TKE “kompleks monument kulture”. Kërkesa i është drejtuar ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro, ndërsa çdo të hënë artistët mblidhen për të kundërshtuar planet për shembjen e godinës së teatrit. “Prej 73 vjetësh, kompleksi është selia e Teatrit Kombëtar të Shqipërisë, institucioni artistik më i rëndësishëm i vendit, që ka pasur gjatë këtyre viteve më shumë shikues se sa popullsia aktuale e vendit dhe që ka nxjerrë një plejadë të shkëlqyer regjisorësh, autorësh, skenografësh e aktorësh, të cilët i dhanë tonin edhe kinematografisë shqiptare, e cila nisi prodhimin e saj artistik në vitin 1953, me filmin ‘Skënderbeu’”, thuhet në kërkesën e artistëve. Megjithatë, deri më tani kjo kërkesë nuk është marrë parasysh dhe qeveria nuk është shprehur se do të tërhiqet nga projekti për të ndërtuar tërësisht të re për teatrin. Nga ana tjetër, kundërshtime ka edhe për mënyrën se si do të përdoret trualli i teatrit, ku aktorët dyshojnë se do të ndërtohen disa kulla shumëkatëshe. 
Sigal