Të vjetrit e PD-së në alarm, sulmojnë ashpër Lulzim Bashën

543
Rexhep ALIMEMAJ
Humbja e PD-së në zgjedhjet e 25 qershorit ishte humbje e parashikuar dhe këtë e dinte edhe Basha. Por më shumë e dinin ata, që e kishin sjellë PD-në në këtë derixhe. Dhe ata mbetën po këta zëra që kërkojnë largimin e Lulzim Bashës nga kryetari i PD-së. Po të shikojmë me kujdes të gjithë emrat kundër Bashës janë po ata emra që parapërgatitën humbjen e PD-së në vitin 2013, për shkak të keq-qeverisjes, shkeljes së ligjit, të korrupsionit galopant në arsim, mjekësi, prokurori e gjyqësor, polici, si dhe të borxhit publik katastrofik. Në asnjë ditë e asnjë rast kundërshtarët e Lulzim Bashës, që qëndruan 8 vjet në pushtet, nuk bënë asnjë autokritikë për gjendjen në të cilën lanë vendin, për shkeljet e ligjit dhe të korrupsionit. Përkundrazi kundërshtarët e Bashës, nuk kanë punuar për fitoren e PD-së, por për humbjen e saj, edhe siç ndodhi. Kryetari i PD-së pranoi përgjegjësinë për humbjen, duke pranuar kështu dhe rezultatin e zgjedhjeve, ndaj dhe reflektimi i Bashës pas humbjes së PD-së, në zgjedhjet e përgjithshme të 25 qershorit është për t’u respektuar.

Garda e vjetër në PD-së ka nisur sulmin kundër Bashës, për të ndaluar zgjedhjet për kreun e ri, sipas statutit të partisë. Garda e vjetër ka nisur në bazë fushatën kundër kryetarit të PD-së, duke bindur kryetarët e degëve, që të kërkojnë largimin e tij, pa u zhvilluar zgjedhjet. Duke zbarkuar në bazë dhe po bindin krerët e degëve të nënshkruajnë peticion për dorëheqjen e tij. Por pavarësisht kundërshtarëve që Basha ka, ata duket se do ta kenë të pamundur ta largojnë kryetarin aktual me forcë nga drejtimi i PD. Së pari, ata janë në kundërshtim ose më mirë në shkeljen e statutit të PD-së. Së dyti, ata janë duke e përçarë PD-në në parcela. Mbështetësit e të vjetërve të PD-së janë hedhur në sulm, për ta rrëzuar nga kryetar. Po e njëjta gjë do të ndodhë me mbështetësit e kryetarit aktual, do të hidhen në sulm dhe ata kundër kundërshtarëve të Bashës. Çfarë do të ndodhë pas kësaj përplasjeje? Shkatërrimi i PD-së totalisht. Qeveria aktuale u gjend në vështirësi, por ia doli me ndihmën e ndërkombëtarëve, por edhe të kryetarit të PD-së, i cili në fund bëri një lëvizje politike që shpëtoi Shqipërinë nga politika agresive dhe destabilizuese në të cilën e ka çuar në gjithë këto vite grupi i vjetër i PD-së. Kryetari aktual Basha, pranoi kushtet e vëna nga BE dhe SHBA, pas takimit me Yee, më 18 maj 2017. Nga ky moment Lulzim Basha ndoshta i vetmi nga kryesia e PD-së, bëri një gjest patriotik për Shqipërinë. Vendosi kombin mbi politikën e ditës, duke i hapur rrugë reformave të ngecura, si e drejtësisë, por edhe duke ndihmuar të bëhen zgjedhjet parlamentare së bashku me opozitën, duke u përfshirë në qeverisje për të monitoruar zgjedhjet. BE dhe SHBA përkrahën zhvillimet. Lulzim Basha për herë të parë indentifikoi përgjegjësitë e humbjes së 2013, të cilat edhe sikur të ishin në konditat për deputet në zgjedhjet e 25 qershorit, përsëri do të humbnin, sepse sovrani popull nuk do t’i besonte këta ish deputet që kishin zënë për gryke PD dhe që ishin deri diku fajtor për korrupsionin dhe mungesën e reformave. Kështu, kryetari i PD Lulzim Basha i largoi këta politikan të dështuar, anti PD nga lista e kandidatëve për deputet. Kjo mbetet një lëvizje e vetme reformuese e PD, që nga koha kur ishte formuar ajo dhe për këtë Basha duhet përgëzuar. Po të kishin moral këta firmëtar, këta kundërshtar duhet të mbështetësin me të gjitha forcat PD-së dhe kryetarin e saj. Le të shpresojmë se Basha duhet të qëndrojë në krye të PD-së, apo më mirë, PDja ka nevojë për një lider pro perëndimor e me vizion si Lulzim Basha.
Sigal