“Të uruam kur nise mbylljen e kazinove, na ‘more më qafë’ që i rilinde”

527
Ne që ju drejtohemi me këtë letër, jemi disa gra, banore të lagjes Kombinat në Tiranë, ku ti je bërë deputet. Nuk po të kërkojmë punë, mbasi e di gjithë dynjaja që vendet e punës ua ka dhënë bashkëfshatarëve, familjarëve, kushërinjve, servilëve, trafikantëve, hajdutëve, profesorëve kristalistëve e filloristëve që të lëpijnë këmbët e të japin “haraçin” mujor, por edhe ngaqë shumicën e vendeve të punës ua ke lënë në dorë sekserëve të tu të besuar për t’i shitur, duke mbajtur edhe ata përqindjen që u ke caktuar! Shqetësimi ynë si gra dhe nëna, lidhet me hallin që na ka zënë dhe që ti o Sajmo, rrahe gjoksin se do të na i zgjidhje përfundimisht. Na premtove në fushatën e 2013-ës se do të mbyllje kazinotë dhe qendrat e bixhozit, që të na shpëtoje nga burrat bixhozxhinj që linin edhe lekët e bukës, të dritave e të ilaçeve në ruleta dhe llotari! Në fillim e nise me vrull dhe kyçe e sekuestrove disa dyqane bixhozi. Në atë kohë, të uruam me gjithë zemër! 

Pas aksionit tënd, burrat tanë nuk futeshin më në kazino e pika bastesh nga frika e prangave të “çunave” të tu policë! U lumturuam aq shumë që nise t’i mbyllje ato të mallkuara bixhoze, sa besojmë se të kujtohet, që të kemi dhënë edhe lule e të kemi puthur në ballë në mes të Kombinatit. Me mendjen tonë, se më në fund bixhozi dhe burrat tanë bixhozxhinj kishte rënë në “Zot”, u bënim presion duke përdorur me emrin tënd siç na porosite ti gjatë takimit në kafe, që t’i kërcënonim se do të telefonimin ty nëse i gjenim duke luajtur bixhoz! Të themi të drejtën o Sajmo, gjetëm rehat nga sëmundja e bixhozit, por aq e pati edhe qetësia jonë! Pas aksionit tënd, burrat tanë filluan të shkonin përsëri në qendrat e bixhozit. Në familjet tona filloi përsëri sherri e shamatoja! As kur u bënim presion se do të telefonimin ty, nuk kishin më frikë! Ky hall që kemi, po vazhdon. Po na i lënë në bixhoz rrogat, pensionet dhe ndihmën ekonomike! Me sa kemi dëgjuar e parë me sytë tanë duke përgjuar burrat nëpër qendra bixhozi, kemi vënë re se këto jo vetëm nuk janë mbyllur, por edhe janë shtuar më shumë, duke u hapur në çdo rrugicë, lagje, bllok banimi e pallat. të gjendura në këtë hall që na ka zënë, u kemi kërkuar ndihmë policëve të tu, që të përzënë burrat tanë nga qendrat e bixhozit, por kemi parë çudira. Shumë policë e shefa policie, shkojnë e shkojnë e luajnë edhe vetë bixhoz! Mirëpo mësuam se gjysmat e qendrave të bixhozit i kanë vetë policët, shefat e policisë, drejtorët, doganierët, tatimorët, shoferët dhe bodigardët që ke emëruar ti. 

Dhe kur shkojmë e bëjmë sherr me burrat tanë brenda tyre, ata na thonë sikur janë bixhozet e tua. Të themi të drejtën, në fillim deshëm t’i qanim hallin Edit, por na thanë se ishte ai që e ndaloi aksionin tënd për mbylljen e kazinove mbasi kishte ca miq të rinj e të vjetër pronarë kazinosh, duke na rikthyer rilindjen e bixhozit! Mirë ata që nxjerrin miliarda prej korrupsionit dhe shkojnë e luajnë për sport, po ne fakirëve që nuk mbushim dot barkun me bukë, pse na i le peshqesh bixhozin?! Beso, që “na ka vajtur shpirti në majë të hundës” nga burrat tanë, por inatin e kemi me ty që na premtove se do t’i mbyllje bixhozit, por i shtove edhe më shumë. Në fillim të uruam, por na zhgënjeve e na more më qafë që i rilinde”! Prandaj, nëse këto qendra bixhozi nuk janë të tuat (siç thonë policët dhe drejtorët e emëruar prej teje), hajde na i mbyll, se na rropën e po kërcet dajaku çdo natë! 
Na kupto mirë, o Sajmo! 
Nuk e kemi fjalën për kazinotë ku luajnë ministra e deputetë, por për ato pikat e bixhozit në lagje nëpër Tiranë, që po na shkatërrojnë familjet! Paçka se jemi të dërmuara psikologjikisht prej burrave tanë bixhozxhinj e të (zh)gënjyera nga ty, na ka mbetur aq mendje sa të kuptojmë, që ti këto ditë je shumë i ngarkuar me aksionin e zhdukjes së hashashit. Por mos harro, që aksioni kundër zhdukjes së bixhozit nisi përpara aksionit të zhdukjes së hashashit dhe duhet respektuar radha aksioneve! 
Presim të na shpëtoni nga ky hall!
Me besim, nga disa gra “rilindëse” me burra bixhozxhinj në Kombinat-Tiranë
Sigal