Të shpëtojmë amfiteatrin tremijë vjeçar të Durrësit!

555
Sigal

DURRËS/Ky gjigant i arkeologjisë, më i madhi në Ballkan, dhe ndër të rrallët në Europë, rrezikohet nga agjentët natyrorë dhe pakujdesia e shtetit

“Të shpëtojmë Amfiteatrin tremijë vjeçar”. Kjo është motua e historianëve, arkeologëve dhe intelektualëve durrsakë dhe më gjerë, pas raportit të degës lokale të IMK për vitin 2013, se kjo pasuri e madhe e Shqipërisë, ky gjigant i arkeologjisë, më i madhi në Ballkan, dhe ndër të rrallët në Europë, rrezikohet nga agjentët natyrorë dhe pakujdesia e shtetit. Aktualisht dy institucionet e huaja “Europa Nostra” dhe “BEI” (Banka Europiane e Investimeve) kanë treguar interesim maksimal lidhur me ruajtjen dhe rivlerësimin e zbulimeve tona të çmuara arkeologjike. Lidhur me apelin e specialistëve tanë të Arkeologjisë, bashkësia “Europa Nostra” me mbështetjen edhe të BEI, do të sjellë në vitin 2014 një grup ekspertësh për të bërë vlerësimin e Amfiteatrit 3 mijë vjeçar, i cilësuar në muajin qershor të këtij viti si “një nga shtatë sitet më të rrezikuara”. Kjo vlerë e çmuar e Shqipërisë u shpall e tillë pak kohë më parë nga “Europa Nostra”, e cila e ka përfshirë Amfiteatrin në listën që duhet dhe do të shpëtojë nga shkatërrimi. Vëmendja  aktualisht është kthyer nga kjo vlerë e çmuar me rëndësi të madhe e trashëgimisë sonë kulturore. Shumë shpejt do të nisë projekti për restaurimin e tij. Sipas specialistit të Arkeologjisë Servet Dollaku, “rreziku Amfiteatrit i vjen nga ndërtimet urbane në Durrës, që kanë dëmtuar një pjesë të tij, por edhe nga mungesa e vëmendjes. Amfiteatri është përzgjedhur nga “Europa Nostra” dhe BEI për të qenë pjesë e një plani shpëtimi që do t’i paraqitet ORTE (Organizimit të Ruajtjes së Trashëgimisë Europiane) gjatë një konference që do të mbahet në fundin e muajit dhjetor 2013, në Bruksel. Kjo konferencë do të japë detaje të planit të shpëtimit të Amfiteatrit të Durrësit, që kryeson listën e objekteve të trashëgimisë në rrezik të “Europa Nostra”- tha zoti Dollaku. Organizmi ndërkombëtar “Europa Nostra” prej afro gjysmë shekulli mbetet aktiv në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore e historike të rrezikuar në Europë, duke filluar që nga “Delfi i lashtë” në Greqi, në fillim të viteve 1980, deri në qytetin historik të Akuilas në Itali në vitin 2010. Për herë të parë kjo bashkësi ndërkombëtare ka nisur një program mbrojtës dhe veprues në partneritet me një institucion prestigjioz financiar si Banka Europiane e Investimeve.

PROGRAMI “7 MOMUMENTET MË TË RREZIKUARA”

Denis de Kergorlay, përfaqësuesi zyrtar i “Europa Nostra” është shprehur për apelin e specialistëve tanë të arkeologjisë se, “do të inkurajojmë organizma të tjera për të mbështetur përpjekjet për shpëtimin dhe promovimin e trashëgimisë europiane, ku padyshim futet edhe Amfiteatri tremijë vjeçar romak i Durrësit”. Fillimisht ekspertët europianë listuan 14 objekte të rrezikuara dhe nga këto përzgjodhën 7 më të rrezikuarat që kërkonin ndërhyrje urgjente. Amfiteatri i Durrësit u vendos në krye të listës, prandaj nevojitej një plan emergjent shpëtimi, por së pari duhen siguruar burimet financiare. “Europa Nostra” ka nisur një fushatë sensibilizuese për të bërë pjesë të këtij programi partnerë publikë dhe privatë të niveleve lokale, rajonale, kombëtare dhe europiane. Qëllimi kryesor i “Europa Nostra” është të arrihet integrimi i plotë i tij në strukturën urbane të Durrësit. Kjo vlerë e trashëgimisë është gjithashtu e kërcënuar nga mungesa e burimeve financiare, shkaqeve natyrore dhe neglizhenca. Amfiteatri romak i Durrësit, në Shqipëri, është i datuar në fillim të shekullit të dytë. Ai u zbulua nga arkeologu shqiptar Vangjel Toçi në fund të viteve ‘60. Që nga ajo kohë vëmendja ndaj kësaj vlere të trashëgimisë tonë kombëtare ka qenë e zbehtë, dhe spontane. Arsyet lidhen kryesisht me mundësitë financiare. Aktualisht gjendja në këtë zonë është vërtet skandaloze, për shkak të dëmtimeve që kanë pësuar muret rrethuese nga lagështira. Restaurimi i plotë i Amfiteatrit 3 mijë vjeçar, synon rivendosjen e Durrësit në hartën e vendeve historike të Europës, duke e përzgjedhur atë zbulim të rrallë në listën e 7 monumenteve dhe sajteve të shpallura si më të rrezikuara. Për të gjithë ne që duam ruajtjen e trashëgimisë tonë kulturore e historike, mbetet t’i bashkohemi apelit “Të shpëtojmë Amfiteatrin tremijë vjeçar krenarinë tonë kombëtare”.