Të prekurit nga tërmeti, strehimi në hotele drejt “skadimit”

234

Këto ditë janari dallgët e detit në bregdetin e Durrësit janë të qeta. Gjurmët e vetme në rërë janë ato të familjeve që braktisën banesat e shkatërruara nga lëkundjet dhe nuk kanë një vend ku të kthehen. Tërmeti i 26 nëntorit la mijëra familje shqiptare të pastreha. Pas strehimit emergjent të tyre në çadra, hapi i radhës ishte vendosja në hotele. Një zgjidhje e parë afatshkurtër, përballë një problemi që do të zgjasë muaj.

“Nuk është një çështje ditësh apo javësh dhe për pak muaj. Është një histori pak më e gjatë, ku do na duhet shumë vëmendje ndaj këtyre njerëzve, shumë dinjitet në shërbimin ndaj tyre”, deklaronte më parë kryeministri Edi Rama. Hotelet hapën dyert për të pastrehët, duke arritur një marrëveshje me qeverinë, që do t’i kompensonte me një shumë prej 2 mijë lekësh në ditë për çdo person të akomoduar. Ndërkohë faza e dytë parashikon lëvizjen drejt shtëpive me qira, për të cilat shtetit akordoi bonuse në bazë të vlerës mesatare të tregut në zonën ku ndodhej banesa e dëmtuar apo e shembur.

Deri në fund të dhjetorit, të dhënat e Drejtorisë së Përgjithshme të Thesarit në Ministrinë e Financave tregojnë se pagesat për strehimin arrijnë në 175.8 milionë lekë apo rreth 1.4 milionë euro. Shpenzimet ndahen në 132 milionë lekë kundrejt hoteleve dhe 43.8 milionë lekë për bonusin e qirave drejt familjeve. Tashmë një pjesë, kanë nisur të largohen nga hotelet, drejt shtëpive ku do të qëndrojnë deri në rindërtimin e banesave.

“Për momentin në hotel kemi 360 persona, por ky proces është gjatë gjithë kohës në lëvizje. Çdo ditë largohen persona dhe afrohen persona të tjerë nga hotele të tjera më të vogla, të cilat janë duke u mbyllur”, shprehet Arjol Haxhillari, administrator i Hotelit “FAFA Premium.” Por një pjesë e madhe e të strehuarve në hotele kanë vështirësi të mëdha në gjetjen e një banesa. Ato apartamente të mbetura në qarqet më të prekura kanë rritur ndjeshëm çmimin, përtej asaj çka ofron bonusi i qirasë.

“Problemi më i madh që person thonë është se janë rritur çmimet e qirasë dhe që është e vërtetë ndodhet në zonat rurale ose në periferi, ku më përpara ka qenë 10 mijë lekë një shtëpi me qira. Tani që ata kanë marrë vesh për bonusin e qirasë kanë rritur automatikisht çmimet për të përfituar këtë lloj vlere”, shpjegon Florian Tahiri, nënkryetar i Bashkisë së Durrësit. Në bazë të marrëveshjes me autoritetet shtetërore, hotelet mund të strehojnë familjet deri në fund të marsit, përndryshe rrezikojnë përgatitjen në kohë për sezonin veror. “Afati ynë përfundimtar është data 30 mars, pasi më vonë se kjo datë nuk kemi mundësi që t’i mbajmë pasi na duhet edhe ne një kohë për restaurimin e hotelit, për të bërë lyerje, arredim tjetër apo pastrim gjeneral”, thotë administrator i “FAFA”, Haxhillari.

“Hotelet kryesore rezistuan dhe nuk patën probleme konstruktive dhe fakti që gati 7000 veta u strehuan në këto hotele me 4-5 yje dha një lloj garancie dhe për partnerët ndërkombëtare, që gjatë këtyre ditëve kanë zhvilluar vizita qoftë dhe të fshehta profesionale dhe nuk ka ndonjë efekt të madh. Shpresojmë të mos ketë ndikim në zhvillimin e turizmit”, deklaroi Zak Topuzi, Kryetar i Shoqatës së Hoteleri-Turizmit. /A2Cnn/