Të përndjekurit e Durrësit: Qeveria t’i vërë gishtin kokës për zgjedhjet e ardhshme!

1065
Sigal

Flet kreu i Shoqatës, Asllan Patrioti: “Duhen 9 muaj nga mbyllja e mandatit dhe s’ka përfunduar kësti i dytë i dëmshpërblimit”

Shoqata për Integrim e të Burgosurve dhe të Politikë në Durrës ka shprehur shqetësimin për vonesat e dëmshpërblimeve për ish të Përndjekurit në Durrës. Nëpërmjet një peticioni kjo shoqatë kërkon të përshpejtohet dëmshpërblimi. 9 muaj nga mbyllja e mandatit të dytë ende nuk është shpërndarë ende kësti i dytë i parave të burgut, ndërsa afatet e përcaktuara janë krejtësisht anormale, sepse njerëzit që kanë vuajtur po vdesin dita ditës pa gëzuar atë çfarë u takon nga shteti dhe nga ligji.

Shqetësimi

Në një prononcim për gazetën “Telegraf”, kreu i kësaj shoqate, Asllan Patrioti bën me dije se mandati i dytë i kësaj qeverie, të cilën e besuan dhe e votuan të djathtët mbaron pas nëntë muajsh dhe në këto tetë vjet nuk është shpërndarë asnjë e dhjeta e parave të të dënuarve e të persekutuarve politikë. Në 8 vjet dëmshpërblimi i kësaj klase duhej të ishte mbyllur, ndërsa këstin e dytë e kanë marrë vetëm një numër shumë i vogël, gati i papërfillshëm. “Ne kemi parë shumë pakënaqësi dhe mospërfillje nga qeveria aktuale, jemi të deklasuar e kriminelë, si atëherë kur vuanim në burgjet e regjimit komunist. Qeveria na kujton vetëm atëherë kur i duhen votat, por tani edhe shoqata jonë do të ndryshojë qëndrim, ndaj qeverisë. Qeveria e ka harruar tërësisht këtë shtresë të përvuajtur. Qeveria është e vonuar, sepse nuk është shpërndarë ende kësti i dytë, gjë të cilën duhet ta përfundojnë para vitit të ri. Ne kërkojmë të shpejtohet përfundimi i këstit të dytë para Vitit të Ri, në të kundërt do t’i drejtohemi Gjykatës së Strazburgut”, bënë të ditur kreu i shoqatës, Asllan Patrioti.

Kërkesat

Të përndjekurit kërkojnë të përcaktohet mosha e pensionit deri në 55 vjeç, sidomos për ata që kanë punuar në miniera. Të përndjekurit kërkojnë aplikimin e një statusi të veçantë për punësimin, strehim falas dhe vizita mjekësore falas. Të përndjekurit po sorollaten në dyert e Ministrisë së Drejtësisë, për të plotësuar dokumente, ndërsa një pjesë tjetër, e cila nuk e ka vuajtur aspak atë regjim me kartat e të përndjekurve po përfiton nga çdo qeveri.