Të përndjekurit: Dje në errësirë, sot në hijen e pushtetit që i dhanë votat

600
Sigal

Ish-të përndjekurit e Mirditës ndihen të paintegruar dhe të zhgënjyer nga maxhoranca aktuale qeverisëse

Në tremujorin e parë të këtij vitit Partia Demokratike do të mbledhë konferencën e saj për të zgjedhur drejtuesit e ri të kësaj partie. Fatkeqësisht dhe në këto zgjedhje meqë është verifikuar, të përndjekurit politikë mbetën ende jashtë çdo drejtimi, të ashtuquajtur partia e tyre, duke mbetur në hije. Hija e sotme e të ndëshkuesve të ndërgjegjes është më e rëndë se errësira e djeshme e atij pushteti që ishin të deklaruar kundër tij, ndërsa hija që u vjen nga pushteti i votuar prej tyre që në vitin 1990, ku pabesisht u zaptua nga ata vetë apo të afërm të tyre që kanë qenë pjesë e atij pushteti dhe që sot quhen të persekutuar politikë. Që dhe sot gjenden në ato llogore, e në ato pozicione të dikurshme, të heshtur, të pafjalë, e të frikësuar, pasi ende sytë u shohin po të njëjtat fytyra në udhëheqje të asaj partie që në çdo zgjedhje kanë votuar për të. Sot në listën e kandidatëve për drejtimin e ri të PD-së, ka njerëz me një të shkuar të dyshimtë dhe nga ata që kanë qenë në drejtim të saj dhe janë akuzuar për përfitime të paligjshme, në shpërdorimin e detyrës që partia i di dhe hesht. Ajo që është më e keqja se nga lista e sivjetme njëson me ato të parat, pasi është i njëjti klan që i ka përpiluar, aty ka njerëz që njihen si vetë ata ose të afërm të tyre kanë qenë në shërbime të fshehta të ish sigurimit të shtetit dhe kjo ndodh për fajin e krerëve të shoqatës të përndjekurve politikë, të cilët nuk pranojnë të japin intervista ose pranojnë po qe se u nënshtrohesh kushteve të tyre, për të fshehur klanet e krijuara që të zënë frymën prej 22 vjetësh të kësaj partie. Është e vërtetë dhe askush nuk mund ta mohojë se të burgosurit dhe të përndjekurit politikë janë lënë të shmangur në këtë 22 vite për të qenë në qeverisjen e pushtetit lokal dhe në drejtimin të PD-së në Mirditë. Me çfarë është para deri më tani në krye të tyre kanë qenë njerëz apo të afërt të atyre që krijuan këtë shtresë, bile kanë të drejtë për atë çka thonë se: Në udhëheqje të partisë dhe të pushtetit lokal në Mirditë duhet të ishin anëtarë të PPSH-së bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, servil e të paaftë.

Militantët

Ka kohë që po flitet ajo që tashmë mesa duket është kthyer në një traditë të pa shkruar, ku burime kofidenciale nga kampi blu për gazetën “Telegraf” thotë, se, brenda këtij kampi ka mbështetës dhe kundërshtar të kryetarit, të cilët dy palët akuzojnë njëra -tjetrën si pjesë e klanit dhe bëjnë luftë në mes tyre për pushtet. Sipas tij është e mjaftueshme t’i hedhësh një vështrim përbërjes së administratës së institucioneve që operojnë në Mirditë, të cilët që nga drejtuesit kryesorë janë të gjithë jashtë profilit çka tregon se aty janë mbledhur të gjithë militantët që i intereson Kryetarit të Partisë. Kjo ka bërë që të bjerë ndjeshëm popullariteti i PD-së dhe gjithnjë po humb terren dhe po shterohet nga votat e popullit, siç ndodhi në votimet e 8 Majit 2011. Pak ditë pas krijimit të PD-së të Shqipërisë, lindi Dega e Partisë Demokratike në Mirditë. Grupi nismëtar i saj u mblodh në ditën e 8 Janarit dhe bashkë me hijen e frikshme të Sigurimit të Shtetit arritën që pas 9 ditësh të shpallin krijimin e saj, për të mbetur vetëm si datë historike që është 17 janari 1991 e për të festuar përvjetorët e saj.

 Shpresa

Ky formacion i ri politik u krijua si shpresë e madhe për të gjithë të burgosurit politik, e të persekutuarit e atij regjimi, por çuditërisht me apo pa qëllim cilësia e pranimit doli jashtë kontrollit, pasi të burgosurve politikë, ju bashkëngjitën dhe ata ordinerë dhe të persekutuarve e të përndjekurve ju bashkuan ata që i persekutuan dhe i përndoqën ata lakej, e servilë të atij regjimi, anëtarë të Partisë së Punës të paaftë e të kamufluar si ish-bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit, e të afërmit e tyre, duke i bërë një shërbim të së majtës shqiptare pastrimin e saj nga këta njerëz që kërkuan strehë në të djathtën shqiptare duke prishur imazhin e saj. PD-ja lindi si një parti opozitare ndaj PPSH dhe jo si pjesë e saj. Mungesa e vigjilencës dhe vendosmëria e nismëtarëve për ta mbajtur të pastër e për të qenë parti e shtresës së të burgosurve politikë dhe jo parti që është sot e katandisur që ka ardhur gjithnjë në degradim dhe në humbje të elektoratit të saj dhe kjo mjafton të thuhet se nga 7 njësi vendore që kishte në zgjedhjet e 2007 në 2011 mori vetëm 3 prej tyre, duke humbur dhe dy bashkitë që ka Mirdita.

Lidhjet

Po cilët ishin nismëtarët, kryetarët e partive, deputetët, Kryetarët e Bashkive e komunave dhe drejtuesit e institucioneve në këto 20 vite të Partisë Demokratike? Dhe çfarë i lidh këta me shtresën e të burgosurve politik. Në protokollin e themelimit të kësaj partie, ndodhen të regjistruar  9 nismëtarë, por në fakt 2 prej tyre e kishin konfirmuar vetën si të pamundur për të qenë prezent, pasi “vuanin” nga ana shëndetësore, ku njëri prej tyre pas themelimit arriti të kapë majën e piramidës së rrethit. Emrat e nismëtarëve që filluan historinë e kësaj partie pavarësisht se ç`thuhej për ta pjesa më e madhe e tyre sot janë të zhgënjyer nga udhëtimi historik i kësaj partie, kjo ndodhi se në krye dhe në përbërje të saj erdhën njerëz pa asnjë kontribut dhe lanë në harresë jo vetëm nismëtarët por braktisën të burgosurit dhe të përndjekurit politik që ishte baza, shpresa, vendi, për të cilën ata mendonin dhe ëndërronin. Në krye të protokollit për krijimin e PD-së ishte Muharrem Bisprendi organizatori i kësaj nisme, Ata që ju bashkuan kësaj nisme ishin: Ndue Gjika, Kol Zefi, Gjon Ndoka, Fran Canga, Zef Bardhi, Gjin Lazri, Lek Shtinja dhe Pashk Gjoka. Do ishte në nderin e kësaj partie që gjatë udhëtimit të saj në krye të ishte një nga nismëtarët, që në atë mbrëmje të frikshme të 8 janarit 1991 u bënë garant i pagëzimit të saj, pavarësisht se sot një pjesë e tyre akuzohen nga vetë PD-ja se kanë qenë kontingjent i Sigurimit të Shtetit.