Të përkëdhelurit e “Rilindjes” që marrin nga 3 paga shteti

2745
Vjollca KUTA

Ministri Arben Ahmetaj, i ka mbushur Këshillat Mbikëqyrës me 913 emërime të paligjshme, nepotike, partiake e klienteliste 
Qeveria që u votua nga shqiptarët dhe po shfrytëzohet privatisht nga shtetarët e “Rilindjes”, për t’u dhënë nga 3-4 paga zyrtarëve familjarë e shërbëtorë të tyre 
Qeveria dhe drejtësia të zbardhin procedurat e paligjshme dhe “merimangën” e emërimeve në Këshillat Mbikëqyrës të ndërmarrjeve e shërbimeve shtetërore, të një “ushtrie” zyrtarësh me lidhje familjare, partiake, zyrtare, shoqërore e deri fisnore, por pa asnjë lidhje me anën profesionale, natyrën dhe problematikën e këtyre ndërmarrjeve, emërime që janë në shkelje të plotë e të vetëdijshme të ligjit
Sipas dosjeve të shumë prej anëtarëve të Këshillave Mbikëqyrës, rezulton se profesionalisht ata nuk janë emëruar në përputhje me ligjin, ndaj dhe teknikisht, nuk mund te japin dot ekspertizën e nevojshme për sektorët ku janë emëruar, duke gëlltitur fiktivisht miliarda lekë nga fondet publike
Ndërkohë që ekipet anti-krim të operacionit “Forca e Ligjit”, po bredhin e përgjojnë rrugëve për të kapur ndonjë qese drogë, ndonjë kobure, ndonjë makinë të vjedhur dhe ndonjë drejtues mjeti, që qarkullon pa leje drejtimi e pa rrip sigurimi, në zyrat e ministrave të “Rilindjes” është bërë dhe po bëhet batërdia me fondet publike, të cilat po përdoren si 1, 2 e 3 paga mujore shtesë, për zyrtarët, të cilët janë familjarë, miq, shokë e vartës-shërbëtorë të ministrave dhe shtetarëve e politikanëve aktualë! Është një dosje me përmbajtje krim financiar, që duhet të bëhet objekt i “Veting”-ut, për të zbardhur dhe ndëshkuar ligjërisht, abuzimet me fondet e buxhetit të shtetit, për përfitime personale. E kemi fjalën për emërimin në Këshillat Mbikëqyrës të ndërmarrjeve dhe shërbimeve shtetërore, të një “ushtrie” zyrtarësh me lidhje familjare, partiake, zyrtare, shoqërore e deri fisnore, por pa asnjë lidhje me anën profesionale, natyrën dhe problematikën e këtyre ndërmarrjeve, emërime që janë në shkelje të plotë e të vetëdijshme të ligjit. Sot po nisim të publikojmë, dosjen e emërimeve “familjare”, që ministri Arben Ahmetaj ka bërë në Këshillat Mbikëqyrës të Shërbimeve Publike dhe Shoqërive Anonime (Sh.a.), duke shkelur ligjin Ligjin Nr 152/2013 “Për nëpunësin civil”, neni 2 pika “gj” dhe nenin 4, pika “c”, si dhe Udhëzimin Nr. 318, datë 08.04.2009 “Për emërimin, funksionimin dhe shpërblimin e Këshillit Mbikëqyrës, në shoqëritë anonime shtetërore”, dalë në zbatim të VKM Nr. 642, datë 11.10.2005 “Për Këshillat Mbikëqyrës të shoqërive anonime shtetërore”, ku thuhet: “Kandidati për anëtar në Këshillin Mbikëqyrës, duhet të plotësojë kriteret si më poshtë: 

a) Të jetë punonjës i institucioneve shtetërore qendrore, që kanë administrim të drejtpërdrejtë me sektorin ku bën pjesë shoqëria, kur legjislacioni nuk pengon pjesëmarrjen e tyre në funksione të tjera. 
b) Të jetë specialist i institucioneve kërkimore shkencore 
c) Të jetë pedagog i universiteteve Shtetërore, me vjetërsi në punë jo më pak se 5 vjet. 
d) Të jetë person me autoritet profesional, të konfirmuar në fusha të caktuara. 

Mirëpo, sipas “CV” të shumë prej anëtarëve të këshillave mbikëqyrës, që sigurojnë pagesa mujore të konsiderueshme si shpërblime por profesionalisht nuk japin dhe teknikisht nuk mund te japin ekspertizën e nevojshme pra marrin shpërblime për një punë që nuk e ofrojnë, duke gëlltitur faktikisht miliarda nga fondet publike, ndërkohë që ligji dhe VKM që përcaktojnë kriteret e emërimeve, kërkojnë që kandidati të jetë personalitet i fushës, të emërohet nga strukturat shtetërore që kanë në administrim shoqërinë anonime shtetërore. Por çfarë ka ndodhur realisht? Cilët janë personat, që janë emëruar nga ministri Arben Ahmetaj, në krye dhe në përbërje të Këshillave Mbikëqyrës? Në cilët institucione punojnë? Çfarë lidhjesh kanë me shtetarët, deputetët, drejtorët qendror e rajonalë dhe me drejtuesit partiakë? Në sa këshilla Mbikëqyrës janë emëruar? Sa është pagesa e tyre mujore? Çfarë pune bëjnë në Këshillat Mbikëqyrës, veçanërisht ata që punojnë në kupolën qeveritare në Tiranë dhe janë anëtarë, sekretar dhe kryetar të Këshillave Mbikëqyrës të shërbimeve publike edhe në Sarandë, Pukë, Korçë, Vlorë, Kukës, Malësi e Madhe? A lidhet profesioni i tyre, me sektorin e punës të ndërmarrjeve ku ata janë emëruar anëtarë dhe drejtues të këtyre këshillave? Sa prej tyre janë zyrtarë të lartë të shtetit, që kanë detyrë shtetërore, kontrollin mbi ndërmarrjen ku janë anëtarë, sekretar e kryetar bordi dhe a e lejon ligji? Sipas investigimit të “telegraf” dhe një raporti auditi të KLSH, rezulton se ministri Ministri Arben Ahmetaj, i ka mbushur Këshillat Mbikëqyrës me 913 emërime të paligjshme, nepotike, partiake e klienteliste, të cilët janë zyrtarë të çdo niveli që “hanë me nga 2-3 lugë”, ndërkohë që qeveria u votua nga shqiptarët për të zgjidhur problemet sociale-ekonomike e jo që të shfrytëzohet privatisht nga shtetarët e “Rilindjes”, për t’u dhënë nga 3-4 paga zyrtarëve familjarë e shërbëtorë të tyre. Pa bërë komente, po publikojmë faktet konkrete…
Ja disa nga të “përkëdhelurit” e pushtetit, të emëruar në Këshillat Mbikëqyrës
Alket Hyseni (aktualisht Deputet i PS), me profesion jurist, emëruar me Urdhër Nr. 2 prot., datë 20. 09. 2013 të ministrit Arben Ahmetaj, si anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Sh.a. “Rezidenca Universitare Nr. 1”-Tiranë. Nga auditimi i praktikës dhe “CV” përkatëse, nuk rezulton se ku është i punësuar dhe në çfarë strukture është i punësuar në momentin e emërimit, ndërkohë që realisht ka qenë i punësuar në stafin e kryeministrit, në Këshillin e Ministrave. 

Genti Gazheli (aktualisht Ambasador i Shqipërisë në Turqi), me profesion ekonomist, përfaqësues i Ministrisë së Financave, me Urdhër Nr. 19 prot., datë 04. 10. 2013 të ministrit Arben Ahmetaj, rezulton të jetë emëruar anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Sh.a. “Trajtimi i Studentëve Nr.3”-Tiranë, në cilësinë e përfaqësuesit të ministrisë, ndërkohë që ka qenë Drejtor i Drejtorisë së Pastrimit të Parave, në Ministrinë e Financave. 

Genci Gjonçaj (aktualisht Sekretar i Përgjithshëm në Kuvend), me detyrë Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Brendshme, me Urdhër Nr. 3, datë 23.09.2013 të ministrit Arben Ahmetaj është emëruar “Anëtar i Këshillit Mbikëqyrës” në “Agjencia Ndërkombëtare e Transportit Ajror” (ANTA)-Tiranë. 

Astrit Llanaj, me profesion mësues në pozicionin Drejtor i Drejtorisë Arsimore-Sarandë është emëruar me Urdhër Nr. 20 prot., datë 10.01.2014 të ministrit Arben Ahmetaj, si anëtar i Këshillit Mbikëqyrës në Sh.a “Porti Detar”, Sarandë. Nga shqyrtimi i “CV” të këtij përfaqësuesi, rezulton të jetë i diplomuar për Gjuhë-Letërsi, eksperienca në punë e këtij punonjësi, nuk ka lidhje me aktivitetin e shoqërisë dhe emërimi është në kundërshtim të plotë me kriteret ligjore. 

Thanas Xhillari, me profesion pedagog matematike është emëruar me Urdhër Nr. 102 prot., datë 07.02.2014 të ministrit Arben Ahmetaj, si anëtar i Këshillit Mbikëqyrës në Sh.a “Prodhim, Veshje Ushtarake”-Tiranë dhe me Urdhër të Ministrit Nr. 103 prot., datë 07.02.2014 është emëruar si anëtar i Këshillit Mbikëqyrës në Sh.a “Regjistri Detar Shqiptar”-Durrës.

Mirlinda Karçanaj me profesion pedagoge ne Departamentin e Statistikës dhe informatikës së Zbatuar pranë Fakultetit të Ekonomisë është emëruar me Urdhër Nr. 3 prot., datë 23.09.2013 të ministrit Arben Ahmetaj, si anëtare e Këshillit Mbikëqyrës të Sh.a. “Anta” (Albcontroll), Tiranë. Nga shqyrtimi i CV-se rezulton se kjo punonjëse nuk ka plotësuar kriterin e vjetërsisë si pedagoge jo me pak se 5 vjet në Universitetet shtetërore, duke u emëruar që nga muaji Maj 2011 e në vazhdim, ndërkohe qe emërimi i saj është bërë në datën 30. 09. 2013 pra rreth 2.5 vjet vjetërsi ne pune. 

Simo Petromilo, person është me statusin “pensionist” dhe me profesionin ish-veteriner, rezulton se është emëruar nga ministri Arben Ahmetaj në datën 07.07.2015, në Sh.a “Trajtimi i studentëve-Vlorë” si përfaqësues i ministrisë dhe i vendosur në pozicionin e Kryetarit te Këshillit Mbikëqyrës. 

Ilir Keko, punonjës i RTVSH, diplomuar në Institutin e Lartë të Arteve, Dega “Regji” është emëruar me Urdhër Nr. 69 prot., datë 29.01.2014 të ministrit Arben Ahmetaj, si anëtar i Këshillit Mbikëqyrës në Sh.a “Porti Detar”-Vlorë. 

Ilir Keko, punonjës i RTSH, diplomuar në Institutin e Lartë të Arteve, Dega “Regji” është emëruar me Urdhër Nr. 68 prot., datë 29.01.2014 të ministrit Arben Ahmetaj, si anëtar i Këshillit Mbikëqyrës në Sh.a “Korporata Elektro-Energjetike Shqiptare” (KESH)-Tiranë. 

Eralda Hoxha është emëruar me Urdhër Nr. 36 prot., datë 16.01.2014 të ministrit Arben Ahmetaj, si anëtare e Këshillit Mbikëqyrës të Sh.a. ”NPV Ushtarake” Tiranë. Nga shqyrtimi i “CV”-së, rezulton se ka mbaruar studimet në Shkencat sociale, Dega “Psikologji” dhe eksperiencat e punësimit, i ka kryesisht nëpër OJF, për çështje që lidhen me të drejtat e njeriut, me dhunën në familje dhe barazinë gjinore. 

Pilo Gllava, me Shkresën e datës 30.03.2015 të ministrit Arben Ahmetaj, rezulton se është emëruar anëtar i Këshillit Mbikëqyrës në Sh.a “Alb-Bakër” Tiranë, në cilësinë e përfaqësuesit të të ministrisë. Nga shqyrtimi i “CV” së tij, konstatohet se është agjent detar privat dhe nuk ka asnjë lidhje me aktivitetin e sektorit “Alb-Bakër”.

Pilo Gllava, me Urdhrin Nr. 101 datë 21.11.2013 të ministrit Arben Ahmetaj, rezulton se është emëruar në cilësinë e anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës të Sh.a “Porti Detar Sarandë”, si përfaqësues i Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës.

Thanas Xani, përfaqësues i Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës, referuar “CV” së tij, rezulton se për vitet 2007-2010 ka punuar si menaxher në kompani private, në vitet 2010-2014 ka punuar menaxher në Hotel “Brilant” në Sarandë dhe në vitet 2014-2015, ka punuar si Përgjegjës i Sektorit te Financës dhe Shërbimeve Mbështetëse, në N/Prefekturën e Sarandës.

Albana Koçiu, me detyrë Drejtore e Departamentit të Administratës Publike, me Urdhër Nr. 198 prot., datë 21. 03. 2014 të ministrit Arben Ahmetaj është emëruar anëtare e Këshillit Mbikëqyrës në Sh.a “Aeroporti Nënë Tereza”-Tiranë, duke mos përmbushur kriterin ligjor: “Nuk është punonjëse e institucioneve shtetërore qendrore, që kanë në administrim të drejtpërdrejtë, sektorin ku bën pjesë shoqëria që e pranon anëtare të këshillit Mbikëqyrës”. 

Thoma Thanasi, me profesion mësues i lëndëve Gjuhë-Letërsi është emëruar me Urdhër Nr. 176 prot., datë 11.03.2014 të ministrit Arben Ahmetaj, si anëtar i Këshillit Mbikëqyrës në Sh.a “Alb-Bakër”-Tiranë. 

Xhiko Shehu, me Urdhër Nr. 178 prot., datë 11.03.2014 të ministrit Arben Ahmetaj është emëruar si anëtare e Këshillit Mbikëqyrës në Sh.a “Aeroporti Nënë Tereza”-Tiranë, përfaqësuese e ministrisë, por me detyre zyrtare “Shefe Sektori e Burimeve Njerëzore në ministri”. 

Bashkim Gogo, me Urdhër Nr. 195 prot., datë 11.03.2014 të ministrit Arben Ahmetaj është emëruar si anëtar i Këshillit Mbikëqyrës në Sh.a “Tipografia Ushtarake”-Tiranë. Referuar “CV” së paraqitur prej tij, rezulton ushtarak në lirim, në pension. 

Evis Shurdha, me profesion juriste, detyra zyrtare Drejtore e Shërbimeve Mbështetëse në Këshillin e Ministrave, rezulton se me Urdhër Nr. 347 prot., datë 23.06.2014 të ministrit Arben Ahmetaj është emëruar anëtare e Këshillit Mbikëqyrës të Sh.a.”Porti Detar”-Shëngjin, si përfaqësuese e ministrisë. 

Dhurata Shamia, me profesion juriste, me Urdhër Nr. 20 prot., datë 04. 10. 2013 të ministrit Arben Ahmetaj është emëruar anëtare e Këshillit Mbikëqyrës të Sh.a “Trajtimi i Studentëve Nr. 2”-Tiranë, si përfaqësuese ministrisë megjithëse nuk është punonjëse e kësaj ministrie, duke mos përmbushur kriterin ligjor: “Nuk është punonjëse e institucioneve shtetërore qendrore, që kanë në administrim të drejtpërdrejtë, sektorin ku bën pjesë shoqëria që e pranon anëtare të këshillit Mbikëqyrës”. 

Majlinda Dhuka, me detyre Drejtore e Departamentit te Programimit Zhvillimit, Financimeve Ndihmës së Huaj në Kryeministri, me Urdhër Nr. 48 prot., datë 30.10.2013 të ministrit Arben Ahmetaj, rezulton e emëruar si anëtare e Këshillit Mbikëqyrës të Sh.a. “Porti Detar”-Shëngjin.

Bledi Rrapushi, me detyre Sekretar i Ministrit Arben Ahmetaj, rezulton se është emëruar anëtar në Këshillin Mbikëqyrës në Sh.a “Qendra e Regjistrimit te Aksioneve-Tiranë”, caktuar në funksionin e Kryetarit të Këshillit Mbikëqyrës. 
Anëtar bordesh të propozuar ish-ministri Shkëlqim Cani dhe të emëruar nga ministri Arben Ahmetaj
Evis Shurdha, me detyre Drejtore e Shërbimeve Mbështetëse në Këshillin e Ministrave, propozuar me Shkrese 5628/4, datë 17. 04. 2014 të ish-ministrit Shkëlqim Cani dhe nga ministri Arben Ahmetaj (nuk ka asnjë urdhër në dosje) është caktuar “Anëtare e Këshillit Mbikëqyrës në Sh.a “Alba-Film-Studio”-Tiranë. 

Halil Kaloshi, me profesion avokat, me Shkresën Nr. 14546 prot., datë 01.10.2014 është propozuar nga ish-ministri Shkëlqim Cani dhe me Urdhër Nr. 19, datë 04.10.2013 të ministrit Arben Ahmetaj është emëruar anëtarë i Këshillit Mbikëqyrës në Sh.a “Trajtimi i Studentëve Nr. 3-Tiranë. 

Robert Petri, me status “pensionist”, me Shkresën Nr. 14627 prot., datë 30.09.2013 është rekomanduar nga ish-ministri Shkëlqim Cani dhe me Urdhër Nr. 3, datë 23.09.2013 të ministrit Arben Ahmetaj është emëruar “Anëtar i Këshillit Mbikëqyrës në Sh.a “Agjencia Ndërkombëtare e Transportit Ajror” (ANTA)-Tiranë. 

Laura Saro në pozicionin Këshilltare në Këshillin e Ministrave, me Shkresë Nr. 18811/10 prot., datë 13.01.2014 është nga ish-ministri Shkëlqim Cani dhe me Urdhër Nr. 24, datë 14.01.2014 të ministrit Arben Ahmetaj është emëruar “Anëtar i Këshillit Mbikëqyrës në Sh.a “Tregtimi i Librit Artistik dhe Shkencor-Tiranë. 

Majlinda Dhuka, me detyrë zyrtare Drejtore Departamenti në Këshillin e Ministrave, me shkresë Nr. 16828 prot., datë 04.12.2014 është propozuar nga ish-ministri Shkëlqim Cani dhe me Urdhër Nr. 347, datë 23.06.2014 të ministrit Arben Ahmetaj është emëruar “Anëtare e Këshillit Mbikëqyrës në “ASD”-Tiranë, 

Saimir Suli, me detyrë zyrtare Specialist në Korporata Elektro-Energjetike Shqiptare (KESH). me Shkresë Nr 4402, datë 20.03.2015 është propozuar me shkresë të Ministrit te Financave z. Shkëlqim Cani është emëruar “Anëtar Këshillit Mbikëqyrës” në shoqërinë “Prodhim Mobilie”-Tiranë.

Ardian Kola, me detyrë zyrtare “Këshilltar për Mediat” në Ministrinë e Financave, me Shkresë Nr. 1881/3 prot., datë 30.12.2013 është propozuar nga ish-ministri Shkëlqim Cani dhe me me Urdhër Nr. 24, datë 14.01.2014 të ministrit Arben Ahmetaj është emëruar “Anëtar i Këshillit Mbikëqyrës në Sh.a “Hekurudha Shqiptare”-Durrës. 

Ardian Kola, me detyrë zyrtare “Këshilltar për Mediat” në Ministrinë e Financave, me propozim të ish-ministrit Shkëlqim Cani dhe me miratim të ministrit Arben Ahmetaj është emëruar “Anëtar i Këshillit Administrativ” në “Shtypshkronja e Letrave me Vlerë”-Tiranë.

Mimoza Loli, me detyrë zyrtare Përgjegjëse e Sektorit të Huamarrjes në Drejtorinë e Drejtimit të Borxhit Publik, me Shkresë të datës 07.01.2014 është propozuar nga ish-ministri Shkëlqim Cani dhe me Urdhër Nr. 86, datë 03.02.2014 të ministrit Arben Ahmetaj është emëruar “Anëtare e Këshillit Mbikëqyrës” në Sh.a “Trajtimi i Studentëve”-Shkodër.

Mimoza Loli, me detyrë me detyrë zyrtare Përgjegjëse e Sektorit të Huamarrjes në Drejtorinë e Drejtimit të Borxhit Publik, me propozim të ish-ministrit Shkëlqim Cani dhe me Urdhër Nr. 25, datë 14.01.2014 të ministrit Arben Ahmetaj është emëruar “Anëtare e Këshillit Mbikëqyrës” në Sh.a “Alb-Krom”-Tiranë

Irena Gjika, me detyrë zyrtare Drejtore e Drejtore e Drejtorisë së Borxhit të Jashtëm, me Urdhër Nr. 107, datë 10.02.2014 të ministrit Arben Ahmetaj është rikonfirmuar si “Anëtare e Këshillit Mbikëqyrës” në Sh.a “Agjencia Detare Taulantia”-Durrës

Raste abuzimesh me pagesat në Këshillat Mbikqyrës

Në Autoritetin Portual Durrës
Nga të dhënat e paraqitura nga vetë shoqëria, rezulton se Kryetari i Këshillit Drejtues, ka përfituar një shpërblim prej rreth 120 mijë lekë/mbledhje dhe anëtarët nga 90 mijë lekë/mbledhje, pra për 3 mbledhje të zhvilluara në total Kryetari i Këshillit është shpërblyer me vlerën 355 mijë lekë, ndërsa çdo anëtar me nga 270 mijë lekë. Një anëtar i Këshillit Drejtues, konstatohet se vetëm në vitet 2013 dhe 2014 ka marrë pjesë përkatësisht në 6 dhe 10 mbledhje, me një vlerë pagese mujore 54 000 lekë dhe për çdo vit është shpërblyer me vlerë 702 mijë lekë., ndërkohë që krahas këtyre, vetëm për pjesëmarrje në një mbledhje gjatë 5 muajve, është shpërblyer në vlerën 162 mijë lekë. Një anëtar i Këshillit Drejtues, emëruar me shkresën Nr. 1783/1 datë 01.04.2015, rezulton se për një periudhë 2-mujore ka marrë pjesë vetëm në një mbledhje dhe ka përfituar shpërblim në masën 108 mijë lekë. 
Operatorin e Sistemit të Transmetimit (OST). 
Nga të dhënat e paraqitura nga vetë shoqëria me Shkresën Nr 3515/1 datë 19.06.2015, rezulton se Këshilli Drejtues i kësaj shoqërie (të gjashtë anëtarët), për 2 mbledhje të zhvilluara janë shpërblyer në vlerën 842 mijë e 500 lekë nga e cila, Kryetari i Këshillit Drejtues ka përfituar vlerën 202 mijë e 200 lekë, ndërsa anëtarët kanë përfituar nga 134 mijë lekë secili. Sa më sipër, rezulton se anëtarët e Këshillit Drejtues të Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST), janë shpërblyer me pagë mujore, për një periudhë 5 mujore, paçka se kanë zhvilluar vetëm 2 mbledhje. Pagesa për 1 mbledhje, rezulton kështu: Kryetari i Këshillit ka përfituar 101 mijë për 1 mbledhje, ndërsa anëtarët nga 67 mijë lekë për 1 mbledhje.
Sigal