“Të penduarit”, më shumë vuajtje për të fituar statusin dhe lehtësirat

993
Ndryshimet e fundit në Kodin e Procedurës Penale, duket se do të vërë në vështirësi personat që pranojnë të përfitojnë nga statusi i të penduarit. Askush nuk e fiton këtë të drejtë pa vërtetuar pasuritë me origjinë kriminale të bashkëpunëtorëve
Ndryshimet e pjesshme të Kodit Penal dhe atij të Procedurës Penale miratuar së fundmi në Kuvendin e Shqipërisë me 88 vota kanë prekur edhe një nga nenet shumë të diskutueshme vitet e fundit. Bëhet fjalë për nenin 37/a i cili flet për të drejtat dhe detyrimet e bashkëpunëtorit të drejtësisë. I futur si nen për herë të parë në ndryshimet e vitit 2004, kjo pjesë e ligjit tashmë është përforcuar. Personat që për një arsye apo tjetër pas arrestimit, shfaqin shenjat e pendesës dhe kërkojnë të bashkëpunojnë me drejtësinë, nuk do ta kenë të lehtë ta përfitojnë këtë status. Ekspertët e Ministrisë së Drejtësisë në bashkëpunim me ata Euralius, kanë menduar që përveç dëshmisë së tij për të cilën betohet, bashkëpunëtori duhet të paraqitet në gjykatë me prova konkrete për të vërtetuar se bashkëpunëtori i tij në krim i ka përfituar të mirat materiale, me anë të rrugëve të jashtëligjshme si dhe të vërtetojë me dokumente të gjitha pasuritë e tij të paluajtshme. Por si ka qenë më parë ky ligj? 

Në nenin 37/a, i futur si risi në vitin 2004 thuhej qartë se “Personi nën hetim ose i pandehuri, që akuzohet për një krim të rëndë, të kryer në bashkëpunim, kur bashkëpunon me prokurorin dhe gjykatën, duhet të japë informacion të plotë dhe pa asnjë rezervë ose kusht për të gjitha faktet, ngjarjet dhe rrethanat, që shërbejnë si prova vendimtare për 

zbulimin, hetimin, gjykimin dhe parandalimin e krimeve të rënda dhe riparimin e dëmeve të shkaktuara. Kushtet e bashkëpunimit caktohen në marrëveshjen e mbrojtjes, të hartuar sipas dispozitave të posaçme ligjore për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe të bashkëpunëtorëve të drejtësisë. Kur marrëveshja e bashkëpunimit realizohet gjatë gjykimit, gjykata që shqyrton çështjen vendos uljen e masës së dënimit ose përjashtimin nga dënimi, sipas nenit 28 të Kodit Penal. Kur bashkëpunimi realizohet gjatë ekzekutimit të vendimit të dënimit, bashkëpunëtori i drejtësisë mund të kërkojë nga gjykata që e ka dënuar ose nga ajo e vendit të ekzekutimit ndryshimin e dënimit të dhënë. Gjykata

vendos pasi merr edhe mendimin e prokurorit”. Por ky nen tashmë është ndryshuar. 
Në të thuhet “Marrëveshja nënshkruhet kur i pandehuri dëshmon pa asnjë rezervë apo kusht për të gjitha faktet dhe rrethanat që ka dijeni për shkak të pjesëmarrjes së tij në veprimtarinë kriminale. Dëshmia e tij duhet të jetë provë vendimtare fajësie, në drejtim të provueshmërisë së fakteve dhe të autorësisë së tyre, si dhe për parandalimin e krimeve të rënda dhe riparimin e dëmeve të shkaktuara prej tyre. I pandehuri, në dëshminë e tij, duhet të identifikojë të gjitha pasuritë me origjinë kriminale, në posedim të tij dhe të bashkëpunëtorëve. Të dhënat e mësipërme duhet të jepen brenda 30 ditëve nga data e nënshkrimit të marrëveshjes”. Pra përveç faktit që të penduarit të drejtësisë i rëndohet barra e vërtetësisë së fjalëve kundër bashkëpunëtorëve, atij i lihet edhe një afat për të provuar gjithçka që ka thënë. Nëse nuk arrin të vërtetojë atë që ka prodhuar, atij i hiqet e drejta e statusit dhe nuk do të ketë asnjë përfitim nga ligji. 
Kush janë të penduarit e deritanishëm
Që nga viti 1997 deri sot drejtësia numëron vetëm katër persona me statusin e të penduarit. Ndërkohë që numri i dëshmitarëve që kanë marrë tatuesin e të mbrojturve të drejtësisë është më i lartë, ai shkon në 17. Kjo shifër është e regjistruar në Drejtorinë e Policisë së Shtetit, ku ndodhet edhe zyra e posaçme për mbrojtjen e dëshmitarëve. I penduari i parë i drejtësisë është Petrit Liçi një prej anëtarëve të bandës së Lushnjës. Ai u rekrutua nga Aldo Bare në bandën e tij dhe gjatë gjykimit pranoi të rrëfehet për të gjitha krimet. Liçi u dënua me 7 vite burg. Gjatë qëndrimit në Spitalin e Burgut, u tentua të eliminohej. Tashmë ndodhet jashtë vendit. Adriatik Coli është i penduari i dytë. Ky i fundit tregoi të gjitha historitë e bandës së Durrës. U dënua me 10 vite burg. Ndërsa dy të penduarit e fundit kanë të bëjnë me bandën e tritolit. Ata janë Juljan Sinanaj dhe Ndriçim Gjokona. I pari u dënua me burgim të përjetshëm, por për shkak të përfitimit të statusit të bashkëpunëtorit, automatikisht mori 35 vite burg, ndërsa Gjokona u dënua me 8 vite. 
Drogë drejt Malit të Zi, kapet malli “zhduken” autorët
Goditet një tentativë për trafik të lëndëve narkotike, ndërsa janë sekuestruar rreth 48 kg lëndë narkotike Cannabis Sativa, në Shkodër. Shërbimet Policisë Kufitare, gjatë patrullimit në kufirin jeshil në afërsi të piramidës A-2-9/1, në kufi me Malin e Zi, në vendin e quajtur Bukoviç, mbi fshatin Brigjë, Hot, Njësia Administrative Kastrat, Malësi e Madhe, në orët e para të mëngjesit kanë konstatuar me anë të Kamerave Termike disa persona që po lëviznin në drejtim të Malit të Zi duke transportuar dy thasë ku dyshohej se ishin me lëndë narkotike. Shërbimet e Policisë Kufitare kanë njoftuar Forcën Operacionale të Kufirit si dhe Sektorin Kundër Narkotikëve në D.V.P Shkodër. Personat porsa kanë parë se po i ndiqte Policia, kanë fshehur lëndën narkotike dhe janë larguar në drejtim të pyllit. Si rezultat i krehjes së zonës u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale dy thasë ku brenda tyre kishte 44 pako me peshë rreth 48 kg lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa. Shërbimet e Policisë vijojnë krehjen e zonës për të bërë të mundur kapjen e personave që transportonin lëndën narkotike. Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër për veprën penale, “Trafikimi i narkotikëve e mbetur në tentativë”.
Korrupsioni, ja dyshimet si i fshihte paratë ish-shefi i krimeve në Tiranë
Disa ditë më parë kolegët urdhëruan arrestimin e shefit të krimeve në komisariatin numër dy, Dritan Metani, me akuzën e korrupsionit dhe të shpërdorimit të detyrës. Ai ishte vënë nën hetim prej disa muajsh nga Shërbimi i Kontrollit të brendshëm në Policinë e Shtetit. Dyshimet sipas zyrtarëve të policisë janë të forta, e për këtë qëllim ata kanë dorëzuar në prokurori disa dokumente me anë të të cilave pretendojnë se kanë gjetur mënyrën se si Metani arrinte të fshihte paratë që dyshohej se i kishte fituar me anë të korrupsionit. Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm ka paraqitur disa kontrata noteriale të nënshkruara nga ish punonjësi i policisë me anë të të cilave bëhej e ditur se pasi i merrte paratë në rrugë të ndryshme, ai i pastronte ato duke bërë shit-blerje fiktive të automjeteve. Metani dyshohet se gjatë ushtrimit të detyrës ka lejuar në tre raste, të bëheshin ndërtime pa leje, kundrejt shpërblimesh në shuma monetare. Hetimi nisi pas referimit të SHÇBA-së, në lidhje me dyshimet për korrupsion ndaj punonjësit të policisë N/komisar Metani. Në zbatim të vendimit penal përkatës, SHÇBA ka ekzekutuar masën e sigurimit personal “Arrest në shtëpi”. Ndërkohë që ka të dhëna se Dritan Metani ka qenë arrestuar në vitin 2007 për korrupsion pasiv dhe në vitin 2008 është dënuar me 1 vit e 4 muaj burg. Në vitin 2013, Gjykata e Lartë e ka lënë në fuqi përfundimisht këtë dënim.
Sigal