Të pastrehët: “Po grabiten 100 banesa të ndërtuara me kontribut vullnetar!”

647
Sigal

DURRËS/ Shtesat e kateve që janë ndërtuar mbi ndërtesat e sekuestruara po përvetësohen nga ish-pronarët

Në qytetin e Durrësit janë shpërndarë urdhër -ekzekutimet e para. Sipas njoftimit të bërë, 30 qytetarët ish-pronarë kanë marrë urdhër-ekzekutimin nga Enti i Banesave për pronat e tyre, të cilat prej gati 70 vjetësh nuk kanë mundur t’i gëzojnë. Drejtoria e Entit Kombëtar të Banesave në Durrës ka bërë gati urdhër ekzekutimin për pronat e familjeve të ish-pronarëve, të cilët tani duhet t’i drejtohen zyrës së përmbarimit gjyqësor për lirimin e pronave të tyre. Ndërsa ka deklaruar Enti Kombëtar i Banesave me të njëjtën vëmendje po ndjek edhe kërkesat e atyre që duan të marrin një kredi në bankë, për personat që dalin nga banesat e tyre. Nga ana tjetër janë banoret që banojnë në banesat e ish-pronareve që thonë se edhe me këtë rast po spekulohet nga shteti. Përveç se po u kthehen banesat e tyre ata thonë se shumë prej ish-pronarëve kanë marre vetë ndërtesa shtetërore dhe i kanë privatizuar. Po ashtu po veprohet edhe me shtesat e kateve që janë ndërtuar mbi ndërtesat e sekuestruara.

SHTESAT JANE BËRË ME KONTRIBUT VULLNETAR

Janë mbi 100 familje në Durrës që banojnë në banesa të ndërtuara me kontribut vullnetar. Të cilat janë ndërtuar ndër vite mbi tarracat e banesave të sekuestruara nga shteti i periudhës komuniste. Këto ditë në lagjen Nr. 12 pallati 124 një pallat me dy kate shtesë banoreve u kanë shkuar urdhër ekzekutimet për të liruar banesën. Personat që duhet të largohen, sipas Gjikë Pastërmës, Sekretar i Shoqatës së Qiramarrësve,  janë 5. Në krye të listës është vetë ai: Gjilë Pastërma, Biha Islami, Xhelal Dobi, Qamil Mezini dhe Negli Apostoli. Pastërma thotë se, janë 15 hyrje të ndërtuara me kontribut vullnetar dhe që në këtë rast ata po grabiten padrejtësisht, pasi dihet se si kanë punuar njerëzit në ndërmarrje jashtë orareve të punës për t’i ndërtuar ato. Ai tregon edhe kontratat e bëra mes tyre dhe shtetit, pas ndërtimit. Pastërma shton se në kundërshtim me udhëzimet këto të ashtuquajturave komisione u mungon personeli si dhe  juristi. Për konkretizim ai nxjerr nga dosja një prej akt marrëveshjeve të marrjes në dorëzim nga ndërmarrja ndërtuese në ndërmarrjen komunale banesa që do të ia kalonte banesat personave të miratuar pas plotësimit të orëve të punës vullnetare në to. Për dorëzimin e 7 apartamenteve të banimit në katet shtesë kanë firmosur 7 persona, mes të cilëve Kryetari i Komitetit Ekzekutiv të qytetit Mihallaq Bushamaku, Shefi i Urbanistikës, përfaqësuesi i Ndërmarrjes Banesa, përfaqësues i Ndërmarrjes Elektrike, i Qendrës Sanitare, i Komandës së Zjarrfikësve, si dhe Kryetari i Degës së Banesave etj.. Kësaj banese, thonë banorët duke treguar një dokument, në vitin 1994 Komisioni i Kthimit të Pronave i ka njohur pronarëve të saj vetëm ndërtesën mbi të cilën është bërë shtesa dhe jo hyrjet e tyre, kurse me urdhër ekzekutimet e tanishme duke u mënjanuar edhe Gjykata Kushtetuese ato i përfitojnë pronarët e pallateve.

Skenat dramatike e të pastrehëve të ardhshëm që po i prodhon shteti

Ngjit një palë shkallë të rrënuara dhe në katin e dytë gjendej një shesh pushim i madh, brenda, të cilit pellgje me ujë krijoheshin prej ujit që vinte nga lartësia e dy kateve të sipërm. Në pragun e derës kolona ishte duke u shembur, e një curril uji derdhej brenda. Dera e parë e katit të dytë është e lyer në të bardhë, brenda saj ka njerëz. Korridori u mbush me gra e me fëmijë, me vajza të reja, e nuse. Ata janë të tronditur. Në mëngjes në portë, kishin trokitur ish-pronarët, të cilët u kanë lënë afat familjeve deri në fund të nëntorit të mbledhin plaçkat e të ikin. Nëse nuk do të largohen vetë, do t’i nxjerrë policia, sepse qeveria e ka thënë fjalën e saj të fundit, me akt normativ. Edhe në Gjykatën Kushtetuese e humbën betejën dhe shpresa e fundit është në Strasburg. Këtu banojnë 7 familje durrsake. Kupton se nuk mund të bëhet një drejtësi duke bërë padrejtësi. Rudina ka tre vajza, të treja në shkollë, është kryefamiljare, e divorcuar, punon banakiere, në të zezë, pa siguracione. “Gjallë jo, por vetëm e vdekur do të dal prej këtej. Pronarët e shtëpisë na erdhën që në mëngjes, na thanë të dalim urgjent. Na dhanë afat deri në 30 nëntor. Në një dhjetor e duan godinën të lirë! Po ku të shkoj? Nuk dal jo, se kam tre vajza dhe nuk kam ku të rri. Kam 25 vjet këtu dhe të na nxjerrin në rrugë neve katër femrave. Më thuaj, se unë nuk kam kujt t’i drejtohem tjetër! Nuk kam ku të shkoj! Kam shkuar tek Enti i Banesave e më thanë që nuk mund të marr as kredi, sepse jam në punë të zezë, me 200 mijë lekë të vjetra në muaj, nuk kam asnjë mundësi tjetër”. Pragun e derës e zë, Merita Çimboku, një grua në prag të pensionit, e cila thotë “Shiko se ç’po na bëjnë. Sot që në mëngjes, erdhi pronari, janë dy këta të fundit që e kanë blerë në 2001, ditë për ditë po vijnë pronarët e shtëpisë, janë dy ata, çnuk na thanë e s’na thanë, me presione e me shantazhe dhe na kanë lanë afat deri në fund të muajit. Në këtë dhomë, jetoj me bashkëshortin dhe tre djem të rritur. Jemi të gjithë pa punë. Aplikuam, se mos na jepnin një banesë nga bashkia. Kemi edhe statusin. Kur të vijnë të na nxjerrin, këtu do të vejë gjaku në gju, sepse ne nuk dalim. Prej 45 vjetësh jemi strehuar në këto banesa, këtu u martova e këtu do të vdes! Ku të shkojmë? Thanë që do na nxjerrin me dhunë. Le ta provojnë! Po s’ka asnjë rrugë të mesme, sepse shteti para se të na nxjerrë në rrugë të na strehojë! Ne nuk kemi asnjë shtëpi, ndërsa ish-pronarëve shteti ju ka privatizuar shtëpitë e tyre në 1993. Tani edhe këto jua fali! Hajde t’i ndërrojmë!”. Shpresa Verteniku thotë: “Unë jam mësuese prej 36-vjetësh, jap mësim dhe jam 57 vjeçe sot që flasim. Jam kryefamiljare, lindur e rritur në këtë banesë, që është 1.75 e lartë, si një kotec, ndërsa im bir që është 18 vjeç është 185 i gjatë”.