Të pastrehët në Durrës, nxirren jashtë banesave familjet e para

541
Sigal

Shkelet premtimi se nuk do të nxirreshin jashtë forcërisht qytetarët pa u sistemuar më parë me kredi ose banesa të tjera

Megjithëse Bashkia e Durrësit u kishte lëshuar një deklarate se personat ishin në listën e përfituesve të banesave me qira nga shteti në afërsi të Ujësjellësit të Durrësit, dje janë nxjerr nga banesat e ish-pronarëve dy familje në Durrës dhe priten që të nxirren edhe të tjera në ditët që vijojnë. Ata banonin në lagjen Nr. 3 të qytetit rruga “Taulantia”, banesa Nr. 97. Personat duke pasur kushte ekonomike të dobëta nuk mund të përfitonin as nga kreditë e premtuara. Policia së bashku me Përmbarimin janë ndodhur në orët e para të mëngjesit përballë me presionin e shoqatës së të pastrehëve, të cilët ishin grumbulluar në rrugën tregtare të Durrësit dhe deklaruan se nuk do të lejoheshin të nxirreshin jashtë forcërisht qytetarët e paralajmëruar pa u sistemuar më parë me kredi ose banesa të tjera.

Shkresa e bashkisë

Gjatë grupimit te të pastrehëve u mësua se ishin paralajmëruar të lironin banesat e ish-pronarëve Thoma Xhimbaku, Rexhep Alushi, Shpresa Veterniku, Hajrie Veterniku, Vasilika Filipi, Polo Sotiri dhe të tjerë. Ndërkohë ata bënë me dije se pas marrjes së njoftimit ata kishin kontaktuar me Bashkinë e Durrësit, e cila i kishte pajisur ata me një shkresë të firmosur nga Kryebashkiaku, Vangjush Dako, me anë të së cilës vërtetohej se në Zbatim të aktit Normativ të datës Nr. 3 të datës 01.03. 2012 “ për lirimin e banesave pronareve të ligjshëm nga qytetarët e pastrehë” sqarohej se në pamundësi për të  ata kishin krye aplikimet, për të plotësuar kriteret e bankës për kredi me interes 0, e cila është detyrë e Entit Kombëtar të Banesave dhe se personat e lajmëruar për të liruar shtëpitë, kishin kryer aplikimet përkatëse pranë Bashkisë Durrës për tu trajtuar me banesa sociale me qira pranë Ujësjellësit Durrës. Shkresa bënte me dije gjithashtu se deri në momentin e trajtimit nga Këshilli Bashkiak Durrës me banesa sociale, ata nuk lironin banesat. Megjithë ketë mësohet se pas largimit të pjesëtarëve të shoqatës, Përmbarimi kishte çarë dyert dhe i kishte nxjerrë dy familje nga banesat. Ne komunikimin telefonik me kryesinë e Shoqatës mësohet se nga banesat janë nxjerrë familja e Polo Sotirit me të vëllanë. Ne ditët në vijim pritet që të dalin edhe banore të tjerë.