Të moshuarit, problemet dhe solidariteti

3101
Rajna Kovaçi

Mungesa e një edukimi publik, sot kur në majë të diskutimeve globale qëndron çështja me temën e nxehtë: “Jetëgjatësia modelon të ardhmen”, ka krijuar një perceptim të gabuar për moshën e tretë. Për jetën në familje dhe jashtë saj, ndërkohë që potenciali i tyre mendor na befason çdo ditë, për vlerat e jashtëzakonshme që mbart. Diskutimet për moshën e tretë kanë mision të caktuar dhe ndihmojnë duke e plotësuar edhe më mirë debatin e shoqërisë për politikat që kanë mungesë të theksuar. Synohet vlerësimi më i drejtë i energjive të kësaj grupmoshe dhe për të qenë zëri i hapjes së mundësive për pjesën më të përvuajtur, më të dëmtuar të shoqërisë. Kjo grupmoshë nuk duhet të paragjykohet kur paraqitet tek pensionet e vogla, tek shërbimet e munguara, si sociale, po ashtu edhe shëndetësore apo jocilësore e të diskriminuar. Tek ne ekziston dhe ndjehet neglizhenca e theksuar e shtetit, por dhe e shoqërisë, për të pasur ky target-grup një moshim aktiv. Asambleja e Dytë Botërore mbi Moshimin shënoi një kthesë të rëndësishme si bota duhet të përballet me sfidën më të madhe, që është ndërtimi i një shoqërie për të gjitha moshat dhe propozoi një orientim të ri e mjaft ambicioz për problemet e moshimit. Ky orientim ka nxitur edhe aktorë të ndryshëm në Shqipëri të bëjnë një rivlerësim të aftësisë të moshuarve, duke përcaktuar që kjo grupmoshë duhet të jetë aktive në komunitetin e saj për të përballuar me dinjitet sfidën që sjell realiteti demografik në mënyrën reale e të qëndrueshme për të gjitha brezat, por për moshën e tretë në veçanti. Aktualisht kërkohet që gruaja në moshë të ketë standarde më të larta në mënyrën e jetesës dhe të ndryshojë konceptin për jetën. Diskutimet rreth moshës së tretë synojnë të nxisin e të inkurajojnë politikëbërësit për ta parë konkretisht dhe për t’i dhënë vlerën e duhur dhe zgjidhjen e duhur problemeve të tyre. Ofrimi i një perspektive më të gjerë për kontributin e potencialin e njerëzve të moshuar jep një orientim të ri, një burim frymëzimi për të gjithë aktorët në rrugën drejt përmirësimit të perceptimit rreth çështjeve të personave të moshuar, të marrëdhënieve që duhet të vendosim me ta e ndihmën që ata duhet të marrin. Gjithashtu ndihmuese është trajtimi i temave që ekzistojnë në jetën e përditshme, historitë njerëzore dhe problemet e ndryshme që ekzistojnë në shoqërinë shqiptare. Media është padyshim zëri dhe shpirti ku mund të gjenden edhe art-kulturë-ngrohtësi-dashuri, për t’u qetësuar dhe argëtuar në mënyrë të kulturuar dhe bashkëkohore. “Moshimi Aktiv” trajton në vazhdimësi çështje dhe tema që kanë lidhje, jo vetëm me aspektin ekonomik, por edhe jetësor-socialo-kulturor, duke promovuar solidaritetin ndërbreznor, jetën aktive dhe pjesëmarrjen më të gjerë në shoqërinë shqiptare. Komuniteti duhet të ketë një reagim dhe mbështetje ndaj moshës së tretë. Pra ky është çelësi i jetëgjatësisë tonë.
Sigal