Të mblidhen 20 mijë emra për të regjistruar aleatët e vegjël

583
Kodi Zgjedhor kërkon që partitë të cilat nuk dorëzojnë listat me 5 mijë emra nuk regjistrohen dot në zgjedhje. Për të plotësuar këtë kusht socialistët kanë mobilizuar strukturat e tyre për regjistrimin e emrave, të cilat do t’iu shpërndahen partive satelite, duke na rikthyer në kohën e Partisë Punës me “levat e partisë”
Fushata zgjedhore po afron, pasi data e zgjedhjeve e dekretuar nga Presidenti i Republikës i ka kaluar tashmë të gjitha limitet, për sa i përket regjistrimit të partive dhe koalicioneve që do të marrin pjesë në këto zgjedhje. Madje, duhet thënë se për shkak të situatës dhe krizës politike Partia Socialiste tentoi që ta shtynte datën e regjistrimit të koalicioneve nëpërmjet një letre të dërguar nga Kreu i Grupit Parlamentar të PS për KQZ. Kjo e fundit e mori në shqyrtim kërkesën e socialistëve, e cila u firmos edhe nga LSI, ndoshta e diktuar edhe nga kërkesa tinëzare e kreut të qeverisë. Gjithsesi, kjo nuk e përjashton përgjegjësinë e Kryetarit të KQZ dhe anëtarëve, të cilët të urdhëruar nga strukturat e qeverisë e morën në mënyrë të kundraligjshme dhe antikushtetuese në shqyrtim. E në këto raste gjyqtari që normon zhvillimet korrekte dhe zhbllokon këtë kaos në të cilin është futur vendi është Kodi Zgjedhor, i cili sipas ligjit nr.10019, datë 29.12.2008, dhe ndryshuar me ligjin nr.74/2012, datë 19.07.2012 dhe ligjin nr. 31/2015, datë 02.04.2015 , ka për qëllim caktimin e rregullave për përgatitjen, zhvillimit, administrimin, mbikëqyrjen, si dhe shpalljen e rezultatit të zgjedhjeve për në Kuvendin e Shqipërisë, për organet e qeverisjes vendore dhe referendumet. Në këto kushte dhe në situatën në të cilin është katandisur vendi socialistët kanë vendosur të futen në zgjedhje të vetëm, por se kjo gjë nuk do jetë moralisht e pranueshme nga faktori i brendshëm dhe ai ndërkombëtar. Lideri i së majtës shqiptare do të krahasohet me liderët me nuancat diktatoriale sikurse po veprojnë Putini dhe Erdogani, duke krijuar partinë –shtet. Dhe kalimi në modelin e partisë shtet është de fakto një sistem diktatorial apo sulltanat dhe, në këto raste, demokracia dorëzohet përballë diktaturës. Në këto kushte Rama nuk do shihej me syrin e mirë tek faktori ndërkombëtar dhe vetë Ramës do i binte reputacioni politik dhe intelektual. Pikërisht kjo kërkon një zgjidhje dinake, të cilën Rama e ka menduar gjatë dhe për t’u bërë i besueshëm në idenë e zgjedhjeve ka ofruar aleatët e tij të vegjël si pjesëmarrës në zgjedhjet e 18 Qershorit. Por mundësitë teknike të partive të vogla për t’u regjistruar janë në kufijtë e pamundësisë, pasi Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë, në nenin 68, ku bëhet fjalë për regjistrimin e subjekteve zgjedhore dhe kandidatëve thuhet shprehimisht se: “Subjekt zgjedhor është një parti politike ose një koalicion partish politike, të cilët paraqesin listë kandidatësh, sipas rregullave që përcaktohen në këtë Kod.”

Ndërsa në nenin 68, po të Kodit Zgjedhor, ndryshuar me ligjin nr. 74/2012, datë 19.07.2012 dhe ligjin nr. 31/2015, datë 02.04.2015. ndryshuar me ligjin nr.74/2012, datë 19.07.2012 ku flitet për listat mbështetëse të partive politike dhe koalicioneve përcaktohet saktësisht se: Listat e kandidatëve për Kuvendin, të paraqitura nga partitë politike, të cilat nuk zotërojnë asnjë mandat në Kuvend, duhet të mbështeten nga jo më pak se 5000 zgjedhës në shkallë kombëtare. Në rastin e koalicionit zgjedhor listat në tërësi duhet të kenë marrë mbështetjen e jo më pak se 7000 zgjedhësve në shkallë kombëtare. Bën përjashtim nga ky rregull koalicioni, ku partitë pjesëtare zotërojnë bashkërisht në Kuvend një numër mandatesh jo më të vogël se numri i partive pjesëtare të koalicionit.” Pikërisht për të realizuar këtë pikë apo kusht të Kodit Zgjedhor, këto ditë me urdhër të selisë rozë, “Rilindja” urdhëroi nxjerrjen në terren të drejtuesve të partisë në të gjithë vendin, duke i udhëzuar që, këta të fundit bashkë me deputetët, drejtuesit vendorë dhe përfaqësues të institucioneve qendrore dhe ministrive të përpilojnë lista të rregullta, me numër karte identiteti. Numri i emrave që duhet të mbledhin duhet të jetë mbi 20 mijë vota, pasi këto do t’iu shpërndahen partive të vogla nga 5000 vota secili, në mënyrë që këto parti të regjistrohen nga KQZ si pjesëmarrëse në zgjedhjet e 18 Qershorit. Sigurisht kjo tymnajë do ketë pasoja të jashtëzakonshme, jo vetëm për fatet e politikë-bërësve apo urdhëruesit të saj, por do të kemi ngjarje të rënda dhe tragjike për vetë fatet e vendit dhe demokracinë shqiptare. Sipas burimeve konfidenciale të disa shërbimeve të huaja dhe ndërkombëtarëve këto lista tashmë janë përgatitur dhe dorëzuar tek partia, e cila do t’ua shpërndajë partive të vogla aleate dhe ndonjë partie tjetër, gjoja e dalë nga gjiri i opozitës së sotme. Duke qenë se partitë e vogla që kanë marrë pjesë në zgjedhjet e kaluara me koalicionin e Rilindjes janë të regjistruara dhe sipas Kodit ku flitet për listat e kandidatëve të partive dhe koalicioneve të partive thuhet se: “Partia politike, që është regjistruar në KQZ si subjekt zgjedhor për zgjedhjet në Kuvend, depoziton në KQZ listën shumë-emërore të kandidatëve të saj për çdo zonë zgjedhore jo më vonë se 50 ditë para datës së zgjedhjeve.”

Kjo tregon arsyen e vërtetë se përse Rama dhe partia socialiste nuk pranoi t’i merrte në koalicionin e saj këto parti satelite, pasi këto parti do të ishin si “asi’ nën mëngë në rast se Partia Demokratike nuk do të futej në zgjedhje sikurse ndodhi në realitet. Sa e besueshme do jetë kjo për faktorin ndërkombëtar dhe qytetarët shqiptarë?! Sigurisht të gjithëve do t’u kujtohet Partia e Punës, e cila në kohën kur drejtohej nga Ramiz Alia, futi si parti në zgjedhje levat e vetë partisë, Bashkimet Profesionale, Frontin, Rininë etj. Madje kjo tregon se edhe deklaratat e Ramës, që ne jemi të gatshëm për marrëveshje dhe koalicion afatgjatë me LSI-në, janë thjesht fiasko. Kjo vërtetohet nga fakti se, nëse z.Rama do e kishte seriozisht do t’i kishte lënë në tavolinë LSI- platformën e vetë dhe pastaj le të vendosnin për vazhdimësinë apo ndërprerjen e marrëdhënieve. Përfundimisht mbledhja e emrave dhe shpërndarja e saj partive të vogla dhe për t’i shitur ato si parti pjesëmarrëse në zgjedhje, do jetë një show dhe dështim i padiskutueshëm i kësaj klase politike dhe konkretisht e kreut të “Rilindjes”, Edi Rama. Kjo situatë do e fusë vendin në një krizë të thellë dhe aktet e mosbindjes do të dalin jashtë kontureve dhe parashikimeve, aq më tepër kur shqiptarët e përjetuan një situatë të jashtëzakonshme në 1997-n dhe, se askush nuk e do më futjen e vendit në kaos dhe pasiguri. 
Sigal