Të harruarit e mëdhenj të historisë!

812
Nga Ergys Alushi

Vijon…
Don Mark Vasa
Do të vdiste mëngjesin e ditës së martë të datës 18 dhjetor në qytetin e Vlorës. Don Mark Vasa ishte prifti titullar në kishën Katolike të Vlorës. Ai do të varrosej me një ceremoni zyrtare, në të cilën do të merrnin pjesë autoritetet më të larta të vendit dhe e gjithë popullsia e qytetit. Në varrezat e qytetit, fjalën e lamtumirës për priftin patriot do ta mbante Jani Minga, që do të vlerësonte kontributin e madh patriotik të Don Mark Vasës. Në shtypin e kohës do të shkruhej “Fjalimi i shkurt u dëgjua me një heshtje të përmotshme prej të gjithë popullit që ishte pranë, i cili e ndjente thellë vdekjen e Don Mark Vasës, të këtij prifti bujar dhe gjithmonë buzëqeshur, këshillonjës dhe i përvuajtur…”Ai kishte qenë aktiv në të gjitha ngjarjet e Vlorës, organizimet e parisë së Vlorës për vendime të rëndësishme, zbukurimet e qytetit në raste festash dhe kishte ideuar shtizën e flamurit, të ndërtuar në ato vite në vend të shtëpisë ku u shpall Pavarësia në Vlorë.

Neshet Pashë Vlora 
Ka vdekur në Romë të Italisë, në muajin mars të vitit 1934. Edhe pse jetonte në një shtet të huaj, nuk e harroi vendin dhe njerëzit e vendit të vet. Dashuria për Atdheun e përjetësoi në testamentin që la në prag të vdekjes, duke i dhuruar vakëfit të Vlorës dy nga çifliqet e tij të mëdha, Bishan e Pishë, produktet bujqësore të të cilave sigurojnë 6 mijë franga ari në vit. Ky bamirës i madh vlonjat la në testament që me të ardhurat nga çifliqet e mëdha të mbahen në shkollë pesë studentë. Dëshira e tij u dekretua nga Mbreti Zog, në datën 3 prill të vitit 1935, mbështetur në artikullin 659 të Kodit Civil.

Alem M. Tragjasi
“Sot më 8.11.1926 Adem Tragjasi, shtylla ma e fortë e qarkut t’Vlorës ndërroj jetë”. Kështu do ta niste artikullin gazeta “Rilindja shqiptare”që botohej në Tiranë, për vdekjen e ndodhur në Vlorë. Artikulli vazhdon duke shkruar se Adem Tragjasi ishte burri më I madh që ka parë jo vetëm Tragjasi, por e tërë krahina e Vlorës, me zgjuarsinë e tij natyrale, karakterin e qëndrueshëm, idealin e tij kombëtar që e kishte bërë të njohur në të gjithë Shqipërinë që kur kishte filluar të angazhohej në zgjidhjen e çështjes kombëtare. Që në fillim të viteve 1900 ai përndiqet nga armiqtë e Shqipërisë dhe internohet në Itali, ku pas 4 muajve I falet dënimi dhe kthehet në Vlorë, ku përsëri angazhohet me klubin patriotik “Labëria”. Më 28 nëntor 1912 ai rreshtohet në krah të Ismail Bej Vlorës, me një zgabë dykrenare në dorë, duke qenë një nga mbështetësit e tij më besnik. Në qeverinë e Vlorës gradohet oficer nënkolonel dhe merr komandën e Përgjithshme të Xhandarmërisë së Jugut. Ai është edhe një përkrahës i flaktë i Kongresit të Lushnjes e më mbas Luftës së Vlorës, duke qenë një nga anëtarët kryesor të Komisionit që u ngrit në Drashovicë për organizimin e Luftës së armatosur.

Jani Minga
Firmëtari i Pavarësisë
Jani Minga, njeriu që i mësoi shqipen Vlorës e fshatrave përreth saj, në vitet 1910 e në vazhdim. Oratori i madh. I pari që vuri në skenë në Vlorë një shfaqje teatrale “Vdekja e Pirros” të Mihal Gramenos, për llogari të klubit “Labëria” në fundjanarin e vitit 1909.
Delegati i Vlorës në Kuvendin e Shpalljes së Pavarësisë dhe firmëtar i Aktit të Pavarësisë në 28 Nëntor 1912.
Intelektual e patriot i madh!
Bashkë me 600 burrat e Vlorës që mblodhi Gjermani për 10 ditë të tetor-nëntor 1943, ishin edhe dy djemtë e tij, të cilët nuk u kthyen nga kampet e përqendrimit.
E përjetoi keq dhe pësoi tronditje të madhe psikike, duke pasur një vdekje tragjike.
Sot, askush nuk e kujton më Jani Mingën.
Ibrahim Shyti
Libraria e parë në Vlorë
Ai ka lindur në vitin 1877 në fshatin Tragjas dhe ka vdekur ne ditët e para te korrikut 1972.
Ka qenë një ndër patriotët e shquar të Vlorës, ne vitet krijimit te klubit “Labëria” e në vazhdim.
Njeriu që me librarinë e tij u kthye në një vatër të rëndësishme për shpërndarjen e gazetave në gjuhën shqipe në qytetin e Vlorës, si gazeta “Dielli”, “Shpresa e Shqipnisë”, “Liria”, “Drita”, “Koha”, “Atdheu”, “Përlindja e Shqipërisë”, etj. I internuar nga Turqit në vitin 1897, sepse shkroi shqip një letër për mikun e tij, u internua nga Italia në 1920 në Sazan dhe në 1942 në Porto Romano. Bashkëkohës me Jani Mingën e Marigo Pocion dhe mendimtar shqiptar, botues gazetash patriotike. Njeriu që së bashku me Jani Mingën i bën thirrje Popullit të Vlorës që të mos bashkohej me Italinë në Luftën kundër Greqisë. Sot, çuditërisht është i harruar.
Ai është, Ibrahim Shyti, me kontribut te madh në shtypin vlonjat dhe atë shqiptar.

Sali Hallkokondi
Autori i librit të parë: “Historia e Shqipërisë”
Sali Hallkokondi lindi në fshatin Vranisht të Vlorës. Ai do të shquhet në tre dekadat e para të shekullit XX. Artikujt e tij në bibliografinë retrospektive të viteve 1912-1936 dhe në faqet e shtypit të kohës, nuk janë pak. Disa prej tyre mbajnë pseudonimin “Hallkokondi”. Vetëm në gazetën “Politika” të Halim Xhelo të Vlorës, të “Demokracisë” së Gjirokastrës, të “Diellit”, “Dajtit”, “Shqipëria e re”, “Dritës” e shumë të tjera organe të shtypit, do të njihesh me më shumë se 300 artikuj. Sali Hallkokondi do të ishte një nga iniciatorët e organizmit në Kuç të Vlorës të Kuvendit të Labërisë në nëntor të vitit 1924, ku do të merren vendime të rëndësishme siç ishte falja e shumë hasmërive në Labëri. Për meritë të tij, “Historia e “Shqipërisë” njohu një ndër autorët e parë të saj edhe Sali Hallkokondin, mbi bazën e së cilës jo vetëm studiuesit, por edhe historianët tanë bazojnë dhe referojnë shumë ngjarje, probleme dhe çështje të kohës, të trajtuara sipas tij.

Sezai Çomo
Doktori me kobure në dorë
Spiro Çomo nga Libohova së bashku me një grup infermierësh kanë dhënë një kontribut të madh në mjekimin e të plagosurve në Luftën e Vlorës 1920. Ai do të emërohet drejtori I parë I spitalit të Vlorës. Është mjeku të cilit iu besua konservimi I zemrës së Avni Rustemit që vdiq pas një atentati në Tiranë, më 22 prill 1924. Në dhjetor të vitit 1924, do të largohet së bashku me Fan Nolin e patriot të tjerë nga Shqipëria.

Muhamet Çobo
Në vitet e para të shekullit të 20, ai do të punonte si berber në qytetin e Vlorës. Por, nuk ishte thjesht dhe vetëm berber. Duke u lidhur ngushtë me patriotë të tjerë vlonjatë si Jani Minga, Hamit Lumi, Musa Çakërri, ky i vrarë nga grekët vetëm, sepse propagandonte shqipen dhe qëllimet e këqija të tyre ndaj Shqipërisë, Llukë Papajorgji e të tjerë. Fillimisht do të ishte anëtarë i një shoqërie patriotike të krijuar para vitit 1908 me emrin “Komiteti Kombëtar Shqiptar” dhe pas vitit 1908 u anëtarësua në klubin “Labëria”. Ai do të ishte një nga organizatorët e interpretuesit e dramës “Vdekja e Pirros” të Mihal Gramenos. Në vitin 1912 në shtëpinë e tij gjeti strehim Isa Boletini që kishte ardhur në Vlorë për Pavarësinë. Muhamet Çobo nuk arriti dot t’i gëzohej ngritjes së Vlorës, sepse ndërroi jetë në muajin tetor të vitit 1912/.

Xhovani Valencia
Italiani që ndihmoi Luftën e Vlorës 1920
Marshalli arbëresho-italian i ardhur në Vlorë me ushtrinë italiane ka kontributin e tij të madh në Luftën e Vlorës të vitit 1920. Ai kishte në ruajtje me një kompani ushtarësh italianë depot me armë e municione në fshatin Panaja të Vlorës. Kur kryengritësit shqiptarë iu afruan kodrave pranë qytetit, ku ndodhej dhe Panaja, marshalli mori urdhër nga komanda italiane që t’i hidhte në erë depot, me qëllim që të mos binin në duart e shqiptarëve, por ai nuk e zbatoi urdhrin. Ai ua dorëzoi armët e municionet kryengritësve e u bashkua me ta në fshatin Drashovicë ku ishte vendosur shtabi i tyre. Për tradhëtinë e kryer, gjykata ushtarake italiane e dënoi me vdekje në mungesë. Pas luftës së 1920-n, Xhovani Valencia u vendos në qytetin e Vlorës, ku bënte punë të ndryshme e ishte i respektuar nga vlonjatët. Për kontributin e dhënë, paria e Vlorës, vendosi që t’ia sillte familjen nga Italia në Vlorë, duke kryer për këtë mision të vështirë e sekret në Itali, Nustret Llupën, i cili e kreu me sukses aksionin. Xhovani Valencia do të gjendej i vrarë në bregun e detit në Skelë, në vitin 1927 dhe u varros me nderime të mëdha në Vlorë.

Ymer Radhima
Ka qenë një nga mbështetësit kryesorë të Ismail Bej Vlorës, në veprimtarinë e këtij të fundit në qytetin e krahinën e Vlorës. Në shtëpinë e tij ka qëndruar për një kohë të gjatë Ismail Bej Vlora, që e tregon dhe një pllakatë e vendosur në shtëpinë e tij në lagjen “Muradie”. Në shtëpinë e tij është hedhur edhe shorti për vrasjen e Esad Pashë Toptanit, si një detyrim patriotik i parisë së Vlorës, për sjelljen e Esad Toptanit ndaj qeverisë së Ismail Bej Vlorës dhe një pjese të parisë së Vlorës. Në vitin 1910 ka qenë një nga organizatorët e një kryengritjeje të armatosur kundër turqve, por nuk arriti rezultat, ndaj dhe u arratis për në Itali, për t’i shpëtuar internimit. Ka qenë aktiv bashkë me përfaqësues të tjerë të parisë së Vlorës në ngjarje të ndryshme, duke qenë njeri me reputacion dhe që i dëgjohej fjala. Pas shpalljes së Pavarësisë është caktuar si Komisar i policisë së Vlorës. Është zgjedhur si delegat i Vlorës në Kongresin e Lushnjës të vitit 1920. Një nga kryesorët në Komitetin për organizimin e luftës së Vlorës 1920. Me vrasjen e Avni Rustemit, u bë një armik i betuar i Ahmet Zogut.

Spiro Jorfo Koleka
Kontributi i tij fillon që më qenien anëtar i klubit patriotik “Labëria” në qytetin e Vlorës. Është në krah të patriotëve të Vlorës në mbështetjen që I dhanë Ismail Bej Vlorës më 28 nëntor 1912. Në qeverinë e Sulejman Delvinës, ka kryer detyrën e Ministrit të Punëve Botore. Ka shërbyer si ndërmjetës i Komitetit Mbrojtja Kombëtare që organizoi Luftën e Vlorës 1920 dhe qeverisë së Delvinës. Ka qenë aktiv në tratativat midis qeverisë së Romës dhe asaj të Tiranës për çështjen e Vlorës në vitin 1920. Me hyrjen e kryengritësve në Vlorën e çliruar më 3 shtator 1920, ka qenë një nga njerëzit e zgjedhur për të mbajtur fjalim në sheshin qendror të qytetit. Mbështeti kryengritjen e qershorit të vitit 1924, por emigroi jashtë vendit me shtypjen e kryengritjes. 

Dush Strati
Ndër figurat patriotike që punuan në Vlorë për çlirim kombëtar në fundin e shekullit XIX dhe fillimin e shekullit XX, ishte edhe Dush Strati. Bashkë me patriotë të tjerë si Xhafer Drashovica, Hamit Lumi, Musa Çakërri, luftoi me penë për arritjen e qëllimit kombëtar. Ai konsiderohet si një rilindësit e fundit, jo vetëm për Vlorën por edhe më gjerë. Ja disa nga vargjet e një prej vjershave të tij: 

“Vetëm një në jetë dua 
dhe për të dua të vdes
tjetër dashuri për mua 
nuk ka veç mëmëdhesë”.

Krahas vjershave me karakter patriotik, ai merrte pjesë dhe në mbledhjet që zhvilloheshin në atë kohë, ku flitej për veprime konkrete kundër pushtuesve otomanë. Ai vdiq në vitin 1901, kur ishte 22 vjeç.


Sigal