Të ‘fortët’ e biznesit shmangin derdhjen e taksave në bashki

510
Sigal

SARANDË/Kryetatimori Mërkuri:Realizimi i vetëm 80%. Mungesa e arkëtimeve ka krijuar vështirësi në investime

Mungesa e 20% të ardhurave të planifikuara në arkën e Bashkisë së Sarandës ka ardhur kryesisht nga mospagesa e tatimeve nga të ‘fortët’ e biznesit që ushtrojnë aktivitetin në këtë qytet. Ndërkohë, inspektorët u ‘tundin këmbët’ pronarëve të kioskave të vogla.  Këtë e konfirmon për ‘Telegraf’, Timo Mërkuri, titullari i Drejtorisë Tatimore në Bashkinë e Sarandës.

“Të ardhurat si 9-mujor nga taksat vendore, janë realizuar në masën 80% të pritshmërisë planifikuese. Sipas tij, krahas punës për vjeljen e taksave dhe detyrimeve qytetare ndaj pushtetit vendor që është bërë nga kjo drejtori, vazhdojnë të përballen ende me problematikën dhe pengesat në realizimin e detyrës së planifikuar. Mospagesa nga të vetëshpallurit “të fortët” e qytetit në biznes, është kthyer në një fenomen shqetësues dhe pengues për disa vite rresht. Ky fenomen është sa i dhimbshëm, aq dhe shqetësues,jo vetëm për grumbullimin e të ardhurave në buxhetin e bashkisë, por edhe në krijimin e një distance sociale në qytet, si në politikat e bashkisë, por edhe tek zbatueshmëria ligjore”,- shton Mërkuri për ‘Telegraf’. Mësohet, se megjithëse ka ardhur disa herë Taske-Forca financiare, si rajonale dhe kombëtare, përsëri ekzistojnë dhjetëra biznese të mëdha të pa regjistruara, dhe po më shumë se kaq ka edhe biznese të fuqishme që nuk paguajnë detyrimet. Sipas tij, kjo jo vetëm në bashki, edhe në tatimorët e shtetit, ujësjellës dhe energji elektrike. Shmangia e këtyre detyrimeve ka sjellë që mijëra euro të mungojnë në arkë dhe të bllokohet aktiviteti dhe realizimi i investimeve të planifikuara.

Pamundësia e shtetit  për të vënë “zap” këta të plotfuqishëm në mos pagesën e detyrimeve, të kujton pamundësinë e shtetit për të frenuar kultivimin e hashashit në Lazarat…

Pengesa tjetër që përmendet nga tatimet e Sarandës në realizimin e detyrimeve në të ardhura,është edhe sektori i urbanistikës, sektor që kap shifrën e 30% të mos arkëtimeve. Mësohet se kjo ka ardhur për arsye si mosdhënia e lejeve të reja të ndërtimit si dhe mos pagesa e mbartur dhe vijuese e lejeve të vjetra.

Tatimorët thonë se, situata është shumë serioze dhe rrugët e zgjidhjes së këtij problemi të mprehtë, ende mungojnë.