Të fillojnë hetimet për falsifikimin e pensioneve të minatorëve

665
Sigal

Intervistë me kryetarin e Sindikatës së Minatorëve, Fiqiri XIBRI

– Zoti Xibri, a keni arritur rezultate konkrete me qeverinë për kërkesat tuaja ekonomike?

– Ka 12 vjet që Sindikata e Minatorëve “Janar 1991” proteston për “Statusin e Minatorit”, për të drejtat e mohuara të minatorëve, për diskriminimin ligjor dhe moral që u bëhet atyre që prej më shumë se 20 vitesh. Retrospektivë e vështirë për t’u imagjinuar, në kufijtë e të pabesueshmes. Dhe sa e dhimbshme ta kujtosh ! Dhe të mos e besosh as vetë! Sa qindra a mos mijëra herë, sa me shkresa e sa me gojë u kemi sqaruar e kërkuar pushteteve ligj-zbatuese dhe ligjvënëse të reagojnë e veprojnë!

Për cilën arsye nuk janë hapur portat e zgjidhjes nga qeveria? Çfarë ka penguar ?

– Në një kohë kur asnjë nga të adresuarit e pushteteve, as dje dhe as sot nuk ka shprehur kundërshti në parim. Gjithnjë që prej 12 vitesh të gjithë na kanë dhënë të drejtë. Herë herë edhe na kanë inkurajuar. Por zgjidhje nuk është ofruar. Edhe ca me keq akoma, kur vinte puna tek zgjidhja mbylleshin të gjithë në bunkerët e qeverisjes dhe kyçnin gojët. I vetmi artikulim që belbëzohej ishte se «është kosto e lartë, e papërballueshme, nuk bëhet.» Po daleni, o mavri qeveritarë, daleni të flasim! Çfarë ka që nuk shkon, pse është kosto e lartë, sa është kjo kosto e lartë, në cilat raporte është e lartë, cilat janë mundësitë për të gjetur burime alternative, sa zgjat koha e pamundësisë, a ka hapësira për kompromise etj., etj.

– Ju po thoni se ka abuzime me pensionet e minatorëve?! Të çfarë lloji janë këto abuzime?

– Herë me shumicë e herë me pakicë, duke shfrytëzuar herë mes dritë-hijeve e herë ashiqare ditën për diell reformat pjesshme në sektorin minerar dhe efektet e pa disiplinueshme të zhvillimeve anarko-korruptive të tranzicionit administrativ, segmente të caktuara nga drejtoritë e minierave që mbylleshin nga reformat, nga sindikatat, nga nëpunësit e Sigurimeve e Shoqërore dhe Ministrisë së Industri-Minierave kanë mundësuar në mënyrë korruptive miratimin e pensioneve si punonjës nëntoke për mijëra njerëz që nuk e kishin parë kurrë nëntokën me sy, pa folur për të tjerë që falsifikonin sasinë e viteve të punës në sektorët nëntokë ose gjetkë, në përshtatje me kushtet e përcaktuara për pensionimet e parakohshme, për shkak të reformave.

– Ju flisni për mijëra pensione minatori të përfituara padrejtësisht. Ku e mbështesni këtë bindje tuajën ?!

– Në vitin 2007-2007, pas protestave tona tek ISSH u bënë auditime që nxorën 28% abuzime dhe pasi u miratua ligji i cunguar 150/2014 për pensionet e minatorëve dolën të tjera abuzime. Me përjashtime të vogla, ata që përfituan në masë nga ky ligj ishin minatorët që kishin përfituar më herët nga ligji nr. 8685 dt.09.11.2000. Por që të përfitonin nga ligji i vitit 2014, ata duhet të paraqisnin kërkesë të re, çka automatikisht rihapte dosjen e përfitimit dhe mundësinë e riverifikimit të të dhënave në dosje.

– Dhe ju mendoni se pensionet abuzive përbëjnë pengesë për dakordësimin dhe miratimin nga qeveria të “Statusit të Minatorit”?

– Përtej çdo dyshimi, që është kështu. Arsyet janë disa:Së pari, sepse ISSH nuk do, por aktualisht as nuk është në gjendje që t’i paraqesë qeverisë një kosto të qartë të ligjit. Sepse (sipas tyre) ata nuk i kanë të evidentuara se cilat janë dosjet e përfituesve si minatorë, pra as se sa do ishte masa e përfitimeve të secilit dhe e të gjithëve. Së dyti, kjo kosto me qëllim nxihet edhe më shumë nga ISSH. Ata e dinë bukur mirë se miratimi i statusit do detyronte rihapjen e dosjeve, disa emra të caktuar brenda ISSH do duhej të mbanin përgjegjësi ligjore.

– Cilat janë aktualisht hapat që po ndiqni për të arritur synimin për “Statusin e Minatorit”?

– Meqë edhe kjo qeveri është shprehur se kostoja e statusit është e papërballueshme, edhe kësaj qeverie ne i kemi ofruar asistencën tonë për pastrimin e skemës së pensioneve të minatorëve nga abuzimet ekstreme. Nga ana jonë si sindikatë ne po realizojmë një proces vetëdeklarimi, i cili do shërbejë cilësisht si parafiltër i atyre që do kërkojnë të përfitojnë nga ligji i ri. Nga ana e qeverisë kërkohet që ISSH të realizojë evidentimin e të gjithë atyre që aktualisht përfitojnë pension si punonjës nëntoke.