Të dënuar, por të graduar në Psikiatrikun e Elbasanit

967
Sigal

Dënimi

Gjykata e Elbasanit ka shpallur fajtor mjekun  Ylli Muça 45 vjeç dhe e ka dënuar me 1 vit burg , i akuzuar për neglizhencë ndaj një pacienti, kur ai ishte mjek familje në fshatin Gjergjan”. Mjeku që sot është bërë drejtor i Spitalit Psikiatrik “Sadik Dinçi” në Elbasan është graduar nga ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja, pavarësisht se, koalicionet e partive qeverisëse në Elbasan nuk kanë dhënë “OK” për emërimin e tij

 Skandal në spitalin Psikiatrik në Elbasan/Ministria e Shëndetësisë ka nisur verifikimet ndaj dy mjekëve  pas denoncimeve

Një hije e rëndë skandali ka mbërthyer prej disa kohësh spitalin Psikiatrik në Elbasan, duke vënë nën hetim dhe akuzë për “shpërdorim detyre dhe shitje të vendeve të shtrimit”, drejtorin Y.Muça (i cili ka një tjetër çështje penale të hapur) dhe dy mjekë, për të cilët Ministria e Shëndetësisë ka nisur verifikimet pas denoncimeve. Problemi ka lindur kur drejtoria e Spitalit Psikiatrik Elbasan pas afro 15 vitesh, ka tentuar dhe vendosur të nxjerrë nga ambientet e saj një shtetas nga Gramshi, i cili jo vetëm nuk ka familje dhe banesë, por nuk ka arritur të mjekohet përfundimisht, pasi ka sëmundje mendore kronike. Kërkesa e Drejtorisë së Spitalit Psikiatrik Elbasan për ta nxjerrë jashtë ambienteve të saj shtetasin nga Gramshi, ka hasur në kundërshtimet e një pjesë të stafit të mjekëve, por edhe e shoqatave, të cilat merren me mbrojtjen e personave me probleme të tilla mendore. Nxjerrja e këtij pacienti të pashëruar nga diagnoza e tij, lidhet edhe me një seri nxjerrjesh nga ky spital i disa shtetasve, të cilët detyrimisht duhet të mbahen nën kujdesin e mjekëve të atij spitali, pasi përbëjnë rrezik për komunitetin. Shitja e vendeve të shtrimit, është një problem kronik për Spitalin Psikiatrik të Elbasanit, i cili është përfolur edhe vitet e shkuara për abuzime, shpërdorime dhe përvetësime të karaktereve të ndryshme. Ylli Muça drejtori i ri i Spitalit Psikiatrik ardhur pas 23 Qershorit, ishte ndoshta zgjedhja e gabuar e Ministrisë Shëndetësisë, pasi ky njeri jo vetëm nuk ka mbyllur akoma problemet me organet e drejtësisë, por nuk përmbush asnjë kriter profesional për të drejtuar një spital të atij specialiteti. Prej vitesh Spitali Psikiatrik Elbasan, akuzohet për abuzime, shpërdorime, por edhe keqtrajtime të pacientëve. Duke qenë se ky spital ka status të veçantë, dhe nuk varet nga Drejtoria e Spitaleve të Qarkut, ai është kthyer shpesh edhe vendi ku strehohen persona që kanë kryer krime dhe janë dërguar atje pas rekomandimit nga Prokuroria dhe Gjykata si “njerëz me probleme mendore”, duke vendosur kështu vuajtjen e dënimit në ambientet spitalore. Korrupsioni ka vite që ka mbërthyer këtë spital, i cili nuk dihet akoma sepse nuk vihet nën varësinë e Qendrës Spitalore Elbasan, por mbahet nën varësinë e Ministrisë Shëndetësisë, duke mos patur mundësi kontrolli ditor, për të gjitha problematikat që lindin. Por më skandaloze mbetet fakti se, edhe kur ka persona me diagnoza të forta që lidhen me problemet e tyre mendore, drejtoria e Spitalit Psikiatrik Elbasan nuk lejon shtrimin e tyre, duke krijuar kaos dhe debate institucionale, si në dy raste të ditëve të fundit. Pingpongu që luhet me fatet dhe jetën e atyre personave që kanë fatkeqësisht probleme mendore, mbetet një kambanë alarmi për dikasterin e Shëndetësisë, për të ushtruar urgjentisht kontrollet e saj, por edhe për të nisur ndëshkimet e munguara ndaj atyre që spitalin e shohin si çifligun e merituar vetëm nga meritokracia partiake.

Precedenti për drejtorin e Psikiatrikut Elbasan

Ka mbi 2 vjet e gjysmë që drejtori  aktual i Spitalit Psikiatrik në Elbasan i emëruar nga MSH,  mjeku Ylli Muça është në ndjekje penale dhe proces gjyqësor, nën akuzën e “mjekimit të gabuar, me pasojë jetën e pacientit”. Ngjarja ka ndodhur në muajin prill 2012, në fshatin Gjergjan të Elbasanit, kur mjeku Ylli Muça, jo vetëm ka neglizhuar, por edhe i ka dhënë mjekim të gabuar 45- vjetarit, H. Nasufi nga ky fshat. Burime nga Gjykata e Elbasanit thanë për “Telegraf” se, “qysh në 19.04.2012, Gjykata e Elbasanit ka shpallur fajtor mjekun  Ylli Muça 45 vjeç dhe e ka dënuar me 1 vit burg , i akuzuar për neglizhencë ndaj një pacienti, kur ai ishte mjek familje në fshatin Gjergjan”. Mjeku që sot është bërë drejtor i Spitalit Psikiatrik “Sadik Dinçi” në Elbasan është graduar nga ministri Shëndetësisë Ilir Beqja, pavarësisht se, koalicionet e partive qeverisëse në Elbasan nuk kanë dhënë “OK” për emërimin e tij. Sipas të njëjtit burim nga Gjykata e Elbasanit mësohet se, “kanë qenë dhe janë familjarët e H.Nasufit shtetasit të mjekuar gabimisht nga mjeku Ylli Muça, që kërkojnë me ngulm dënimin sipas ligjit të mjekut që është fajtor për humbjen e jetës së njeriut të tyre”. Seanca gjyqësore është drejtuar fillimisht nga gjyqtari Shkallës së Parë Taulant Tafa, i cili çuditërisht  ka lënë në fuqi masën e dënimit që ka kërkuar edhe organi akuzës, pra me 1 vit burg për mjekun Ylli Muça, i shpallur fajtor për vdekjen e shtetasit Hajri Nasufi 45 vjeç nga fshati Murras, i cili fillimisht ishte paraqitur në gjendje të rëndë në Qendrën Shëndetësore të Cërrikut pas një aksidenti. Shtetasi Hajri Nasufi është transportuar me urgjencë më pas në Tiranë tek spitali “Nënë Tereza”, por atje, mjekët nuk kanë mundur ta shpëtojnë. Ishin dhe mbeten familjarët e Nasufit, që kërkuan ndjekje penale ndaj mjekut Ylli Muça, duke e akuzuar atë për “neglizhencë dhe mjekim të gabuar”. Por mjeku i akuzuar e ka mohuar akuzën përmes edhe avokatit të tij, duke e apeluar vendimin e Gjykatës së Elbasanit